Rama: U rihap rruga për konsensus

Edi Rama
Kreu socialist shprehu gatishmëri për dialog me maxhorancën pas tërheqjes së Zaganjorit.
Duam dialog, pa parakushte dhe as paragjykime mes palëve
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu dje gatishmëri për të rinisur dialogun për një President konsensual pas dorëheqjes së Xhezair Zaganjorit. Gjatë një deklarate për mediat, Rama kërkoi dialog pa parakushte dhe paragjykime. Seanca e paradites së sotme në Kuvend, retorika e papërshtatshme dhe djegia e raundit të tretë pa konsensus, nuk ishin një ogur i mirë për raundin e katërt. Por, tërheqja më pas e kandidatit jokonsensual, e rihap rrugën e konsensusit dhe i jep mundësinë opozitës të konfirmojë qëndrimin e vet publik, tha Rama para mediave në selinë rozë. Kryesocialisti garantoi vullnet për dialog. Ne jemi plotësisht të vullnetshëm të japim konsensus për një kandidaturë që duhet identifikuar, pa humbur kohë, përmes dialogut mes të gjitha palëve. Nëse çdo palë ka të njëjtin vullnet, janë absolutisht të gjitha mundësitë që kështu të ndodhë dhe zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës me konsensus, të kthehet në një shprehje të fuqishme të aftësisë së Shqipërinë për të ecur përpara, në kërkim të statusit të kandidatit për Bashkimin Europian. Sipas kreut të opozitës, qëllimi i këtij dialogu është gjetja e një figure të dalë nga një proces gjithëpërfshirës. Kemi vetëm një qëllim: konsensusin për një kandidaturë që të marrë mbështetjen e gjithë Kuvendit të Shqipërisë. Kemi vetëm një kërkesë: dialogun konstruktiv, pa parakushte e as paragjykime mes palëve, për të identifikuar një kandidaturë konsensuale, u shpreh Rama. Kreu i PS-së renditi sërish kushtet që kjo parti i vendosi përpara maxhorancës në nisje të procesit të negocimit për Presidentin, por duke vënë kësaj radhe si prioritet zgjedhjen e kreut të shtetit, dhe jo reformat. Vizioni ynë në këtë përpjekje ishte dhe mbetet i pandryshuar: të zgjedhim Presidentin e ri të Republikës me votat e qeverisë dhe të opozitës; të hapim menjëherë bashkërisht procedurën për heqjen/kufizimin e imunitetit; të bëjmë kompromisin e nevojshëm për reformën parlamentare dhe ta votojmë bashkërisht; të përmbyllim reformën zgjedhore dhe ta votojmë bashkërisht; e po bashkërisht, qeveria e opozita, me siguri edhe me mbështetjen e Presidentit të ri, ti drejtohemi familjes europiane para përfundimit të këtij sesioni parlamentar për të kërkuar njëzëri që Shqipëria ta marrë statusin e kandidatit më 12 tetor, tha Rama dje pasdite për mediat nga selia rozë.
Raundi i katërt, Rama mbledh aleatët e PS
Kur zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës ka hyrë në raundin e katërt dhe të pestë, kreu i PS-së, Edi Rama, mblodhi dje në mesditë aleatët e tij. Në takimin e nisur në orën 15:30 ishin të pranishëm: kreu i PLiDr, Spartak Ngjela, kreu i PDS-së, Paskal Milo, koordinatori i opozitës, Preç Zogaj dhe sekretari për Koalicionet, Ndre Legisi. Dje munguan Gjinushi, Ndoka, Koçi e Dule, të cilët ishin, sipas njoftimeve, jashtë Tiranës. Pas takimit, Spartak Ngjela, i cili doli më shpejt se të tjerët nga zyra e Ramës, tha se Sali Berisha ka humbur të drejtën e propozimit nëse është serioz në një marrëveshje. Tani të drejtën për propozim e ka opozita.
Sot, Kryesia e PS
Në orën 08:30, Edi Rama ka thirrur mbledhjen e Kryesisë socialiste, e cila do të vendosë se çfarë qëndrimi do të mbajë kjo parti në fazën aktuale për zgjedhjen e Presidentit, kur jemi në raundin e katërt e të pestë. Dje, në mbledhjen e Grupit, Arben Malaj i ka kërkuar Ramës bërjen transparente të modaliteteve që PS kërkon nga maxhoranca për dialogun për Presidentin. Po ashtu edhe deputeti Paulin Sterkaj ka kërkuar që PS të nxjerrë emrat e saj për President. Përgjigjja e Ramës ka qenë që të gjitha këto çështje do të jenë objekt i mbledhjes së Kryesisë.
ARISTIR LUMEZI