E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaiani: Presidenti të jetë figurë konsensuale

Ambasadori i Italisë në Tiranë Massimo Gaiani

Ambasadori italian në Shqipëri kërkoi nga politika shqiptare zgjedhjen e një Presidenti konsensual. Të gjitha partitë politike dhe Parlamenti shqiptar do të dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur, që Presidenti i ri të përfaqësojë të ardhmen e shqiptarëve, sepse zgjedhja e një figure konsensuale do ti përfaqësojë denjësisht drejt Europës, deklaroi dje Massimo Gaiani, ambasadori italian në Tiranë, pas vizitës së tij në universitetin Eqrem Çabej në Gjirokastër. Po e përsëris, bëhet fjalë për një President që u përket shqiptarëve mbi të gjitha, shtoi Gaiani. Trojka e ambasadorëve, Arvizu, Sekui dhe Volfarth, u kanë bërë apel politikanëve shqiptarë që në nisjen e procedurave parlamentare për zgjedhjen e Presidentit që të votonin që në raundin e parë një President konsensual. Në përfundim të takimit me Ramën, para raundit të parë të zgjedhjes së Presidentit, ambasadori amerikan, Arvizu, theksoi se për ndërkombëtarët ishte i rëndësishëm procesi, dhe jo emri i kandidatëve. Gjëja më e rëndësishme është dialogu që ndërmerret mes palëve, për shkak të zhvillimeve, palët kanë interes të përbashkët për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja e Presidentit është e rëndësishme edhe për drejtimin e vendit, theksoi Arvizu, duke shtuar se ai shikonte se mes palëve ekzistonte vullneti për të gjetur një zgjidhje. Nga ana e tij, Etore Sekui theksoi se për të kishte rëndësi shumë të veçantë fakti se palët politike ishin të ndërgjegjësuara në lidhje me pasojat që sillte mungesa e konsensusit në këtë proces.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›