E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Unë, kryeministri që shqiptarët kanë pritur prej 18 vjetësh

Kreu i PS-së: “Qeveria jonë do të ndryshojë rrënjësisht nga qeveria e Sali Berishës”. Rama: “Berisha do të humbasë sepse shqiptarët nuk e duan vendin e tyre si Gërdeci, por si Tirana”

Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka premtuar pas 28 qershorit një qeverisje ndryshe, e cila do të jetë një qeverisje në shërbim të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Këtë premtim Rama e ka bërë gjatë prezantimit të programit qeverisës së PS-së në Konferencën Kombëtare të Programit, të zhvilluar dje në Pallatin e Kongreseve. Pasi ka marrë në dorë nga ish-presidenti Meidani librin e programit qeverisës së PS-së, Rama tha se ky libër shton përgjegjësitë që Partia Socialiste do të marrë më 28 qershor për të siguruar një qeverisje ndryshe për Shqipërinë. Rama tha se qeverisja e re socialiste do të ndryshojë rrënjësisht nga qeveria e Berishës. Ai tha se do të jetë kryeministri i njerëzve që kanë nevojë prej 18 vjetësh për ndërtimin e një shteti në shërbim të tyre. “Qeveria jonë do të ndryshojë rrënjësisht nga qeveria që mbyll më 28 qershor kontratën e saj të parinovueshme me popullin shqiptar. Unë do të jem kryeministri i njerëzve që kanë nevojë prej 18 vjetësh për një shtet në shërbim të tyre dhe për një politikë të ëndrrave e të shpresave të tyre, e cila nuk bëhet në kutinë e televizorit për arsyet që na ndajnë në emër të së shkuarës, por mes njerëzve për zgjidhjet që na duhen në drejtim të së ardhmes. Qeverisja jonë do t’u japë mbrojtje të varfërve, do t’u japë krahë të papunëve, do t’u japë mbështetje sipërmarrësve, do t’u japë shpresë të rinjve, do t’u japë solidaritet të moshuarve, do t’u japë dinjitet të nëpërkëmburve, bujqve, minatorëve, ushtarakëve të liruar, personave me aftësi të kufizuar, grave të trafikuara e të dhunuara, minoriteteve”, - u shpreh Edi Rama.

Gërdeci

Kryesocialisti Edi Rama dënoi veprimet e kryeministrit Berisha për çështjen e Gërdecit, ku si pasojë e korrupsionit shtetëror u vranë 26 shqiptarë të pafajshëm. Rama tha se çdo ditë e më shumë po dalin në sipërfaqe fakte që implikojnë në lidhje me këtë çështje familjen e Berishës. Rama tha se Berisha, në vend që të marrë përgjegjësitë për këtë çështje, hedh baltë mbi Bashkinë e Tiranës dhe Partinë Socialiste. “Vullkani i korrupsionit që shpërtheu në Gërdec, duke vrarë 26 shqiptarë të pafajshëm, po nxjerr përditë mbi sipërfaqe blozën e oxhakut familjar që qeveris Shqipërinë. Për ta mbuluar këtë blozë nga fytyra e qeverisë së tij, Sali Berisha nxin përditë me zhargonin vulgar të politikës së vjetër modelin tonë të suksesit, Bashkinë e Tiranës dhe derdh përditë mbi Partinë Socialiste baltën e mllefin e dëshpërimit të tij”, - tha Rama. Kryesocialisti theksoi se Berisha do ta marrë përgjigjen për këtë nga të gjithë qytetarët e Shqipërisë, sepse asnjë shqiptar nuk e do qytetin apo fshatin e tij si Gërdeci, por si Tirana. “E ka marrë përgjigjen tri herë nga populli i kryeqytetit. Do ta marrë këtë radhë nga populli i gjithë Shqipërisë. Sepse shqiptarët, socialist dhe demokrat, nuk e duan qytetin e fshatin e tyre si Gërdeci, por si Tirana. Sepse shqiptarët e shqiptaret e vitit 2009, socialistëve e demokratëve të ndershëm të këtij vendi, u duhet një shtet demokratik, i fortë, modern, që nuk punon as për llogari të një familjeje të vetme e as për interesat e një partie, por për tryezën e bukës së çdo familjeje shqiptare dhe për interesat e një Shqipërie të tërë”, - vijoi Rama.

Zgjedhjet
Kryesocialisti Rama tha se më 28 qershor shqiptarët do të duhen të zgjedhin midis dy rrugëve, midis rrugës së vjetër të këtyre 18 viteve dhe midis rrugës së re dhe historisë së re për Shqipërinë. Rama u shpreh i bindur për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit, duke thënë se pas kësaj fitoreje Shqipëria do të fitojë një frymëmarrje të re, në një kohë të re europiane. “Më 28 qershor ndahen dy rrugë. Nga njëra anë rruga e vjetër e këtyre 18 vjetëve, që do të thotë edhe 4 vjet të tjera në botën e vjetër të premtimeve të pambajtura e të zullumeve të papërmbajtura. Dhe nga ana tjetër rruga e re, e një historie të re, që kërkon zemër e kurajë për të parë larg, aty ku panë të parët tanë, që na lanë amanetin e Shqipërisë zonjë dhe aty ku na çojnë këmbët e brishta të ëndrrave të fëmijëve tanë, të cilëve u kemi borxh një atdhe ndryshe nga ky që kemi sot. Kjo është koha jonë dhe ne do të fitojmë, sepse Shqipëria nuk mund të humbasë”, - tha Rama.

Edi Rama për:

Fshatin
- Ngritja e një ministrie të posaçme për fshatin, që do të quhet Ministria e Zhvillimit Rural
- Dyfishim i menjëhershëm për buxhetin e bujqësisë
- Të gjitha fondet që do të shpenzohen për hapësirën rurale do të menaxhohen si fond i integruar për ekonominë rurale
- Zhvillim i qëndrueshëm i një ekonomie të re rurale
- Shpërndarje falas të librave të shkollës për fëmijët dhe arsimim profesional për të rejat e të rinjtë e fshatit
- Shërbim shëndetësor për të gjithë dhe plan tërësor për rindërtimin e marrëdhënieve mes fermerit e shtetit
- Çdo nëne e re do të përfitojë nga barrë-lindja njësoj si nënat në qytet
- Asnjë bujk dhe fermer pa certifikatën e pronësisë mbi tokën sipas Ligjit 7501

Për sovranitetin ushqimor
- Prioritetet e qeverisë do të jenë bujqësia, blegtoria e peshkimi të cilat do të rrisin sovranitetin ushqimor të vendit dhe të familjeve shqiptare
- Asnjë bujk, fermer e peshkatar pa shtetin pranë për të ulur kostot e prodhimit dhe garantuar infrastrukturën e tregut të shitjes së tij

Për shëndetësinë
- Ndryshime radikale, të cilat do të sigurojnë shërbim shëndetësor universal
- Jo më sigurime shëndetësore, po financim publik të shëndetësisë
- Krijim i Shërbimit Shëndetësor Kombëtar, ku çdo shqiptar do ketë akses të barabartë

Për arsimin
- Luftë fenomenit të analfabetizmit
- Njehsim të programeve mësimore të arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të përgjithshëm
- Dhënia e vlerës çdo diplome, duke hapur epokën e re të akreditimit përmes një sistemi të pavarur
- Nuk do të mbyllet asnjë universitet, por çdo universitet do t’i duhet ta sigurojë ekzistencën e tij në fushën e konkurrencës e të meritës, mbi bazën e rezultateve e të standardeve të akreditimit
- Do të lindë edhe arsimi i vërtetë profesional në Shqipërinë si zgjidhje të vetme për papunësinë e të rejave dhe të rinjve

Për papunësinë
- Luftë kundër papunësisë dhe parazitizmit të detyruar
- Zhvillim të ekonomisë përmes hapjes së vendeve të reja të punës

Për mjedisin
- Politikë të re qeverisëse për mjedisin, që do të mbështetet mbi një ligj të ri integral për mjedisin
- Pastërtia dhe mbrojtja e hapësirave të përbashkëta
- Pastrimi i vendit nga plehrat e kudondodhura nëpër rrugët urbane dhe ato kombëtare e nga mbeturinat urbane të hedhura kuturu
- Zonat turistike nuk do të kthehen sheshe ndërtimi për TEC-e me qymyr apo pyjet e kodrat në zgafella për prodhimin e çimentos

Për policinë
- Ristrukturimi i të gjithë forcës policore. Jo më polici të shumëllojshme, por një polici e vetme, Policia e Shtetit Shqiptar. Nuk do të përfshihen në organikën e saj, për specifikat e tyre të veçanta, vetëm Policia Bashkiake dhe ajo e Burgjeve

18 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›