E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pak fjalë në nderim të zotit Velija



Albert Gjoka

Që nga dita e djeshme familja Velija nuk do ta ketë kryefamiljarin e pazëvendësueshëm; kompania “VEVE Group” presidentin plot energji, televizioni “Alsat” pronarin që rriti dhe respektoi lirinë e gazetarëve, Shqipëria sipërmarrësin e palodhur, diaspora shqiptarin europian dhe rajoni ballkanasin e mirë. Të gjitha këto janë për zotin Vebi Velija, të cilit, mbrëmjen e së premtes i pushoi vetëm zemra.

Zoti Velija erdhi në Shqipëri rreth 18 vjet më parë, në kohën kur të gjithë po e linin këtë vend dhe po merrnin rrugët e kurbetit për të nxjerrë bukën e gojës; erdhi këtu në kohën kur shumë shqiptarë të diasporës apo joshqiptarë, të veshur me petkun e biznesmenit apo intelektualit, donin të mbillnin modelin e keq të mashtrimit dhe injorancës në vendin e sapodalë nga komunizmi.

Zoti Velija erdhi në Shqipërinë e fillimviteve ‘90 jo me çantën plot para, por me idetë dhe energjitë e pashtershme për të kontribuar në zhvillimin e sektorit privat, për të treguar modelin e sipërmarrësit perëndimor në vendin që kishte nevojë më shumë se asnjëherë tjetër për njerëz dhe përvoja të tilla. Ai nuk erdhi për të qarë hallet me fjalë, por për të zgjidhur realisht probleme. Ai erdhi për të investuar në një vend që kishte nevojë për punësim dhe zhvillim. Emri i tij është i lidhur me shumë aktivitete në fushën e konsulencës, industrisë së telekomunikacioneve, medias, industrisë ushqimore, të duhan-cigares etj. Ai ishte dhe mbetet themeluesi dhe pionieri i sipërmarrjes private të Shqipërisë së pas-komunizmit.

Zoti Velija erdhi këtu për t’u bërë biznesmeni shqiptar që di të ndërtojë partneritet me sipërmarrjen e huaj, që ngre ura të forta bashkëpunimi dhe përmirëson imazhin e vendit në Perëndim, duke nxitur dhe ftuar investitorët për të ardhur në Shqipëri. Shumë prej kompanive serioze europiane që tashmë ushtrojnë aktivitetin e tyre këtu, busull orientuese patën zotin Velija dhe sot ata prekin dhe korrin suksesin e ideve dhe ëndrrave që pati ai.

Zoti Velija erdhi për të qëndruar këtu edhe në ditët më të vështira të Shqipërisë; edhe në vitin e trazirave, që sollën një faturë të rëndë për komunitetin e biznesit dhe pa dyshim, ndër më të humburat ishte kompania e tij “VEVE Group”. Ai erdhi për të mos ikur si shumë shqiptarë të tjerë që morën me trastë paratë e fituara këtu dhe i depozituan në bankat e botës. Zoti Velija u tregua filantropi i denjë në mbështetje të kulturës, gazetarisë dhe letërsisë shqipe, në kohën kur shumica e biznesmenëve se kishte mendjen dhe luksin të mendonte dhe kontribuonte për vepra të tilla.

Zoti Velija ishte shqiptari i denjë në Europën e madhe, ishte europiani i sprovuar në Ballkanin plot vese, ishte edhe maqedonasi i mirë edhe kroati i mirë. Ai ishte ballkanasi i rrallë.

Zoti Velija u largua nga kjo botë plot strese dhe sfida, duke lënë pas shpirtin e sipërmarrjes, pronat dhe investimet konkrete, modelin e regjur të biznesmenit dhe filantropit, njeriut plot pasione dhe vizione që nuk rreshti asnjëherë t’i vërë në shërbim të shoqërisë dhe shtetit.
Në këto momente, çdokush që e ka njohur apo ka punuar në sipërmarrjet e zotit Velija (përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve) ndien dhimbje njerëzore për këtë ndarje të parakohshme. Por tashmë që ai nuk ndodhet mes nesh meriton më shumë se dy fjalë mirënjohje për gjithçka që bëri këtu dhe kudo.

18 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›