E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Unë, nuk tërhiqem nga kutitë

 Aristir Lumezi"I nënvizova Berishës se ne nuk lëvizim nga parimi themelor i hetimit të kutive". Kryetari socialist, Edi Rama menjëherë pas takimit në Presidencë me kryeministrin Berisha, përmes një deklarate për mediat, tregoi se nuk ka lëvizur nga kërkesa e patjetërsueshme, siç është shprehur ai, e hapjes së kutive të votimit, duke treguar se tryeza nuk solli asgjë të re për zgjidhjen e krizës. Sipas tij, "me zotin Berisha patëm një ballafaqim të hapur të pikëpamjeve të kundërta për thelbin e problemit që nga ana ime jam plotësisht i angazhuar ta zgjidh, por kurrsesi i predispozuar ta mbuloj apo anashkaloj". "I nënvizova se ne nuk lëvizim nga parimi themelor i transparencës së plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të shkuara për të çliruar njëherë e mirë zgjedhjet në Shqipëri prej kthetrave të korrupsionit elektoral", u  shpreh Rama. Për kryetarin e opozitës, "lënia e kutive të 28 qershorit jashtë objektit të hetimit parlamentar që kërkojmë qysh në krye të herës, do të ishte shkelje e pa tolerueshme e parimit që na udhëheq në përpjekjen tonë, dorëzim i pajustifikueshëm i së drejtës sonë kushtetuese e ligjore për të nxjerrë në dritën e diellit të vërtetën e kutive të votimit, pranim i palejueshëm i faktit se Shqipëria edhe nesër do të bëjë zgjedhje po kaq të papranueshme sa dje". Kryetari i PS-së tregoi gatishmëri për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjes që do të thotë dhe mbarim të krizës dhe hyrjen e deputetëve në Kuvend, por paralajmëroi se dialogu nuk duhet të zvarritet. "Jam i gatshëm të vazhdoj të përpiqem me të gjitha energjitë e pasionin tim për t'ia dalë, por siç ia thashë hapur e shumë sinqerisht zotit Berisha nuk jam aspak i gatshëm të pranoj zvarritjen e dialogut në pafundësi. Jo sepse unë s'kam durim, përkundrazi, por sepse thellimi i krizës po bëhet i padurueshëm për shqiptarët dhe opozita e këtij vendi nuk përfaqëson interesat e mia, po interesat e të gjithë shqiptarëve", u shpreh Rama. Kreu i selisë rozë, duke përfituar nga rasti, kërkoi t'u përgjigjej dhe zërave që e kanë cilësuar dialogun e mundshëm të tij me kryeministrin Berisha si një kompromis për interesa të tij personale dhe politike. "Dua të jem shumë i drejtpërdrejtë dhe transparent me shqiptarët, të cilët i kishin të gjithë sytë tek tryeza e takimit të sotëm. Unë nuk shkova në atë tryezë për një pazar, por për një parim. Nuk shkova në atë tryezë për të mundur kundërshtarin politik, po për ta ftuar që së bashku të përmbushim një detyrim të politikës ndaj qytetarëve duke e ndarë përgjithmonë Shqipërinë nga tradita e shëmtuar e zgjedhjeve të deformuara e të kontestuara. Nuk shkova në atë tryezë për të kryer një formalitet të quajtur dialog, po për të nxjerrë vendin nga kriza përmes dialogut", u shpreh Rama. Kreu i opozitës vlerësoi rolin e Presidentit dhe nismën e tij për gjetjen e një kompromisi që do çonte në zgjidhjen e krizës politike. "I shpreh konsideratën time më të lartë edhe Presidentit të Republikës për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë përpjekje për të zgjidhur një krizë që sipas bindjes sonë të palëkundur i ka rrënjët tek deformimi i vullnetit të popullit para, gjatë, e pas 28 qershorit dhe pa asnjë dyshim, tek pengimi i paligjshëm nga qeveria i transparencës së plotë të zgjedhjeve", u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›