E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Nëse PS do kishte fituar, kutitë s'do hapeshin

 Dy herë kryeministër i socialistëve, anëtari i kryesisë Pandeli Majko u shpreh dje se nëse PS do të kishte fituar zgjedhjet e 28 qershorit, nuk do kërkonte hapjen e kutive të votimit për të bërë transparencën e tyre. Këtë deklaratë anëtari i kryesisë socialiste e bëri dje në studion e Top Channel ku ishte i ftuar në një panel që komentonte takimin që zhvillohej në ato momente në Presidencë mes Sali Berishës dhe Edi Ramës. I pyetur nga analisti Lutfi Dervishi nëse "Partia Socialiste do të kishte shfaqur vullnet për të bërë transparencën e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive, po të kishte marrë shumicën e deputetëve bashkë me LSI e do të qeveriste vendin", Majko tha se "PS nuk do kërkonte hapjen e kutive". "Nuk do të kërkonim hapjen e kutive, pasi ne do të respektonim standardet evropiane të zgjedhjeve", u shpreh Majko, duke komentuar se brenda përgjigjes së tij kishte dhe nota ironie. Kjo deklaratë e Majkos krijoi pikëpyetje dje në ambientet gazetareske, kur PS këmbëngul që prej korrikut 2009 në hapjen e kutive të votimit dhe bërjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit, jo për të marrë pushtetin në tavolinë, siç shprehet dhe Edi Rama, por si një e drejtë e opozitës për t'i prerë rrugën përsëritjes së korrupsionit elektorale dhe tjetërsimit të votës së shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›