E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Urojmë që Kolegji zgjedhor të mos sillet si KQZ-ja

Deklaratë e kreut socialist pas “dyllosjes” së procesit nga ana e KQZ-së

Kryetari socialist Edi Rama ka kërkuar dje publikisht, që Kolegji Zgjedhor të veprojë me profesionalizëm dhe jo me urdhra politikë si në rastin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Urojmë që Kolegji Zgjedhor të mos sillet si KQZ-ja me ligjin e me të drejtën tonë për të kërkuar zbatimin e tij, ashtu sikundër i siguroj të gjithë votuesit e mbështetësit tanë se ne nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër në këtë përpjekje që s’ka të bëjë thjesht me fatin e një beteje elektorale, po me fatin e demokracisë në Shqipëri dhe me domosdoshmërinë për të mos lejuar që zgjedhjet në këtë vend të bëhen një skemë e mbyllur ku fiton gjithnjë pushteti pavarësisht si voton qytetari”, deklaroi dje Rama. Sipas Ramës për të gjithë shqiptarët është tashmë e qartë se në Shqipëri po vazhdon maskarada e shkeljes së standardeve dhe lirisë themelore për të lexuar në mënyrë korrekte votën e shqiptarëve. “Vazhdon maskarada e KQZ-së, vazhdon pengmarrja e zgjedhjeve, vazhdon farsa e kryeministrit në detyrë që bën sikur ecën pa paterica, që rrit taksa e inauguron rrugë të pambuluara me financime duke thelluar gropën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që kriza ekonomike po troket fort në derë dhe gjendja e demokracisë në Shqipëri është përditë e më dramatike”, - deklaroi dje Rama.
Deklarata
Për numrin një të selisë rozë beteja për respektimin e të gjitha të drejtave demokratike qe PS-ja ka për të lexuar votën e shqiptarëve do të vazhdojë pa asnjë dilemë. “Angazhimi ynë për të konsumuar deri në fund hallkat ligjore të një procesi tërësisht të degjeneruar është i plotë dhe pavarësisht abuzimit të skajshëm të KQZ-së me ligjin zgjedhor e me të drejtën tonë të padiskutueshme për hapjen e kutive në Berat, Tiranë e Shkodër, ne nuk kemi ndërmend të tërhiqemi asnjë milimetër nga detyrimi ynë për ta zbardhur krimin elektoral të 28 qershorit”, - tha kreu socialist. Socialistët janë të vendosur për të fituar edhe një mandat, ndonëse beteja e tyre kërkon rinumërimin e votave edhe për disa qendra të Tiranës edhe Shkodrës. Në Berat, PS-ja pretendon se rinumërimi i kërkuar do i dhurojë një mandat më tepër dhe pikërisht për këtë arsye këmbëngulja e selisë rozë ka qenë më e madhe dhe kategorike në KQZ për kutitë e këtij qarku. Në lidhje me Beratin socialistët kundërshtonin vendimin e KZAZ-së 1, 2 dhe 3 të këtij qarku, për miratimin e tabelave të rezultateve. Në Berat beteja e socialistëve ka qenë me kryetarët e KZAZ-ve, të cilët, sipas socialistëve, i kanë pasqyruar keq rezultatet në tabelat përmbledhëse ose në disa raste kanë shpallur qëllimisht me qindra vota të pavlefshme. Një tjetër kërkesë e socialistëve është bërë edhe për qarkun e Tiranës, ku socialistët kanë pretendime për manipulime masive të ndodhura në zonën e Paskuqanit dhe atë të Kamzës, që përfaqësohen përkatësisht nga KZAZ-të Nr. 58 dhe Nr. 56. Gjithashtu PS-ja ka paraqitur pranë KQZ-së një kërkesë të gjatë edhe për qarkun e Shkodrës, duke kontestuar rezultatet e KZAZ-ve 40, 41, 42, 43 dhe 44 dhe më pas rivlerësimin dhe rinumërimin e votave.
Raporti
Duket se pretendimet e socialistëve i ka mbështetur dhe raporti paraprak i ODIHR-it. Në raportin paraprak, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vlerësuar se megjithëse secili grup i numërimit të votave duhej të numëronte pesë deri në dhjetë kuti votimi para se të ndërrohej, në realitet GNV-të shpesh nuk zëvendësoheshin, çka shkaktonte edhe më shumë vështirësi për anëtarët e GNV-ve. Vëzhguesit e vlerësuan marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore si shumë të mirë ose të mirë në 90% të VNV-ve. Megjithatë, ata vunë re se procesi ishte i ngadaltë në disa VNV, sidomos në qytetet e mëdha. Vëzhguesit ndoqën numërimin e votave në të 66-të VNV-të, duke filluar nga mbrëmja e 28 qershorit dhe në pothuajse të gjitha VNV-të deri në përfundimin e tij. Sipas raporteve të tyre, respektimi i procedurave të numërimit ishte i dobët në nëntë VNV. Veprimtari e keqe ose shumë e keqe e KZAZ-ve u raportua nga 11 VNV. Vëzhguesit e raportuan se në 62 VNV, ose në 94% të rasteve, një ose më shumë GNV patën vështirësi në plotësimin e tabelave të rezultateve të qendrës së votimit. Numërimi i votave pati një fillim të ngadaltë, pjesërisht për shkak të faktit se shumë nga anëtarët e grupeve të numërimit u caktuan vonë dhe nuk ishin trajnuar siç duhet. ODIHR-i ka konstatuar se kur rezultatet e pjesshme paraprake tregonin se diferencat ishin të vogla, partitë politike filluan të ndërhynin më shumë në procesin e numërimit. Procesi i numërimit të kutive ka qenë shumë problematik, fakt ky që u pasqyrua edhe në raportin paraprak të ODIHR-it.

BOX
Kutitë e kontestuara, PS-ja shpresë për të balancuar mandatet

Rinumërimi i të gjitha kutive ku socialistët pretendojnë shkelje të procesit mund të kthejë në mënyrë të rrufeshme balancat e peshores elektorale. Sot, pas rezultateve finale për kutitë e rinumëruara të Fierit, flitet për një raport mandatesh ku 70 vota i ka koalicioni i kryesuar nga PD-ja, 66 ai i kryesuar nga PS-ja dhe 4 mandate i ka koalicioni i kryesuar nga LSI-ja. Nëse për një moment do të supozonim se KQZ-ja (apo Kolegji Zgjedhor në finale) do të jepnin dritën jeshile për rinumërimet e pretenduara socialiste (në Berat, Tiranë e Shkodër) dhe nëse nga këto tri qarqe PS-ja do të siguronte dhe një mandat (si pasojë e rinumërimit në Berat), atëherë do të kishim një diferencë 67-69 mes koalicioneve të PD-së dhe PS-së, duke vazhduar ta mbajnë LSI-në në pozitat e “kingmaker”-it, por duke i rrëzuar asaj alibinë për “shpalljen e marrëveshjes në parim me koalicionin fitues të PD-së”. Socialistët prandaj po luftojnë “me mish e me shpirt” për të zbardhur të vërtetën e kontestimeve në këto qarqe dhe në zona të caktuara, pasi në rast se dyshimet e tyre vërtetohen, kjo do të thotë automatikisht se PS-ja nuk është humbëse e këtyre zgjedhjeve, duke djegur kështu të gjitha argumentet matematikore të PD-LSI-së. Është pikërisht kjo fije e hollë “ekuilibri” që i bën dhe demokratët në pushtet shumë të “ndjeshëm” nga fati administrativ i këtyre kutive ku socialistët kanë pretendime, pasi mund të jenë pikërisht këto kuti ato që mund “të hedhin në erë” festimet e deritanishme të demokratëve.

PD: Akuzat e Ramës, alibia e një humbësi në panik

Menjëherë pas deklaratës publike të kreut të PS-së Edi Rama, Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses Erla Mëhilli i ka cilësuar qëndrimet e Ramës si alibi për të fshehur përgjegjësitë e tij direkte në humbjen e zgjedhjeve nga ana e PS_së. “Sot Edi Rama, për të maskuar humbjen e tij sërish bëri fjalë për krim elektoral por kësaj rradhe hoqi cdo maskë dhe shpalli kriminelë elektoral komisionerët socialistë, të cilët në përputhje të plotë me ligjin dhe me ndjenjën e përgjegjësisë qytetare së bashku me komisionerët e forcave të tjera politike i gargantuan vendit procesin zgjedhor me integritetin më të lartë në gjithë historinë e tij”, - deklaroi zëdhënësja e PD-së.
Sipas demokratëve Rama po përdor dhe kryqëzon edhe komisionerët e partisë së vetë, vetëm e vetëm që të heqë përgjegjësitë e tij nga humbja. “Partia Demokratike duke shprehur respektin e thelle për komisionerët e të gjitha forcave politike për punën dhe përkushtimin e tyre, denoncon edhe një herë qëndrimin e Edi Ramës, të motivuar totalisht nga përgjegjësia që ka për humbjen e zgjedhjeve dhe rënia në pakicë në Tiranë dhe një sërë qytetesh të vendit në nivel lokal”, - tha Mëhilli. Demokratët i kanë bërë thirrje dje Ramës të përballet me elektoratin e vetë për të marrë përgjegjësitë e rezultatit. “Z.Rama, Partia Demokratike të ftoi të përballeshe me shqiptarët dhe ti u fshehe pas karriges së bashkisë. Ti humbe Z.Rama. Tani mos u fshih mbas alibive të kota të një humbësi në panik por përballu me socialistët”, deklaroi dje Mëhilli

18 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›