E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori gjerman: “Përmbushni standardet që të përfitoni liberalizimin e vizave”

Borkard: “Liberalizimi tashmë është çështje e brendshme e Shqipërisë”

Eljona Ballhysa
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Bernt Borkard i ka bërë thirrje politikës shqiptare që të përmbushë standardet në mënyrë që të përfitojë nga liberalizimi i vizave. Gjatë fjalës së mbajtur në një aktivitet të organizuar Lëvizja Mjaft, ambasdori Borkard ka komentuar vendimin e Bashkimit Europain për të mos përfshirë Shqipërinë në “Shengen”. Sipas tij, sinjali i Bashkimit Europian është mjaft i qartë për Shqipërinë. Më parë duhen plotësuar standardet dhe të gjitha detyrimet, në mënyrë që Shqipëria të përfitojë nga lëvizja e lirë. Ai ka bërë të ditur se tashmë liberalizimi i vizave është çështje e brendshme e Shqipërisë, pasi BE-ja është e gatshme të hapë dyert për cilindo vend që përmbush standardet.
Deklarata
Por ambasadori Borkard nuk ka hezituar që këtë përgjegjësi t’ia ngarkojë klasës politike shqiptare. Ai është shprehur se politika shqiptare duhet të përmbushë detyrimet që i janë ngarkuar nga strukturat e Bashkimit Europian dhe të mos merret me premtime boshe. “Sinjali është i qartë dhe nuk duhen dhënë premtime boshe. Duhet të përmbushen standardet” - tha ai, duke premtuar mbështetje në këtë proces, ndërsa ka kujtuar se ato janë përmbushur nga fqinjët që tashmë do të lëvizin pa viza. “Maqedonia dhe Mali i Zi i kanë plotësuar kërkesat e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave”, - theksoi Borkard. “Sinjali i Bashkimit Evropian për Shqipërinë ishte mjaft i qartë, ndaj klasa politike duhet të ketë mirë parasysh se për të përfituar liberalizimin e vizave duhen përmbushur standardet. Ne jemi optimistë se do t’i përmbushni këto standarde, ashtu siç bënë fqinjët që përfituan nga vendimi për liberalizimin e vizave. Ky optimizëm vjen nga fakti se ky proces ka filluar tashmë, pra nuk është në diskutim por është një kapitull i hapur nga BE-ja”, - është shprehur Borkard gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e organizuar nga Lëvizja Mjaft. Aktiviteti kishte të bënte me nisjen e fazës së tretë të programit “Travel to Europe”, i cili zhvillohet në kuadër të sfidave të procesit të liberalizimit të vizave.
Ndërkombëtarët
Qëndrimi i ambasadorit të Gjermanisë në Tiranë është në të njejtën linjë me qëndrimin e komisionerëve europianë, Zhak Barrot dhe Oli Ren. Që të dy komisionerët, pak ditë më parë, ndërsa bënë publike liberalizimin e vizave me shtetasit e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, kërkuan që qeveria shqiptare të përmbushë standardet e kërkuara, në mënyrë që të përfitojë nga liberalizimi i vizave. Sipas tyre, Shqipëria e humbi shansin për të përfituar këtë vit nga vendimi i BE-së, për shkak se nuk kishte plotësuar dy çështje teknike, siç është kontrolli i kufinjve dhe pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike. Ndërkaq, burimet diplomatike bëjnë të ditur se çështja nuk është dhe aq teknike. Sipas tyre, shkak për mospërfitimin nga liberalizimi i vizave, është edhe mos përmbushja e sandardeve për zgjedhje të lira e të ndershme. Raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë për ecurinë e procesin zgjedhor në Shqipëri nuk kanë qenë aspak pozitivë, ndaj dhe kjo ka ndikuar që Shqipëria të mos jetë këtë vit pjesë e “Shengenit”. Megjithatë dy komisionerët europianë u shprehën se, në rast se plotësohen detyrimet që i janë ngarkuar qeverisë shqiptare, mund të rihapen diskutimet për liberalizimin e vizave qershorin e vitit të ardhshëm. Por shqetësimi që është ngritur edhe nga opozita shqiptare është fakti se Shqipëria izolohet më shumë se kurrë nga vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave të vendeve të rajonit të Ballkanit. Kjo, për shkak se Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia do të aplikojnë standarde të njejta me vendet e Bashkimit Europian për të dhënë vizë për shtetasit shqiptarë. Pra, shqiptarët që më parë e kishin më të lehtë të merrnin vizë për vendet fqinje, tashmë do ta kenë po aq të vështirë sa e kanë për vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Bushati: BE-ja konfirmoi Berisha ai që na privoi nga lëvizja e lirë

Reagimi pas deklaratës së djeshme të përfaqësuesve të BE-së në Tiranë

Ditmir Bushati, ka reaguar sërish dje lidhur me liberalizimin e vizave, duke nënvizuar deklaratën e përfaqësuesve të BE-së, të cilët artikuluan qartë arsyet e përjashtimit të Shqipërisë nga ky proces. “Qëndrimi i përsëritur sot i përfaqësuesve të BE, konfirmon edhe një herë tjetër shqetësimin e shprehur me forcë nga Partia Socialiste se qeveria Berisha ka dështuar në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me; zgjedhjet e lira e të ndershme, pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike e karta identiteti, korrupsioni i kthyer në sistem për një oborr, - trafiqet e krimin i organizuar, 5-menaxhimi i integruar i kufijve, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Standarde këto që duhet t’i përmbushte qeveria e Sali Berishës. Por që dështoi duke thelluar akoma dhe më shumë izolimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Qëndrimit qesharak të ministrave të oborrit kryeministror që me kokëfortësi nuk pranojnë realitetin dhe vazhdojnë në rrugën e propagandës post elektorale, u themi ashtu siç po u thotë Bashkimi Evropian se qeveria Berisha dështoi në lëvizjen e lirë”, tha Bushati.
Qëndrimi
Sipas Ditmir Bushatit, propozimi i fundit i Komisionit Evropian konfirmon atë që Partia Socialiste ka disa muaj që ua bën me dije shqiptarëve, duke nënvizuar vijimësisht se për shkak të paaftësisë e të korrupsionit të kësaj qeverie Shqipëria mbetet jashtë programit të heqjes së vizave me Bashkimin Evropian. “Pra, shqiptarët e shqiptaret detyrohen të vazhdojnë të paguajnë, fare padrejtësisht, çmimin e lartë të mungesës së lirisë së lëvizjes në Evropë, për shkak të Sali Berishës e të një qeverie të kthyer në një biznes familjar. Në kundërshtim me propagandën boshe të oborrit të Kryeministrit dhe tonelatat e gënjeshtrave elektorale për Shqipërinë pa viza, qëndrimi i Komisionit Evropian konfirmon se qeveria familjare e Sali Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, me pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Qeveria familjare e Sali Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm, ripranimin dhe menaxhimin e integruar të kufijve”, - tha
Vizat
Dy ditë më parë Bushati ka deklaruar dje se skandalet e katër viteve të fundit që përfshinë qeverinë kanë treguar se qeverisja në Shqipëri është tërësisht familjare dhe klanore duke goditur aspiratat e shqiptarëve për lëvizjen e lirë. “Qeveria familjare e Sali Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, kryesisht në lidhje me mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe komunitetit rom. Qeveria familjare e Sali Berishës mban përgjegjësi direkt për klimën konfliktuale ndaj agjencive të zbatimit të ligjit dhe në stimulimin e aferave megakorruptive. Duke penalizuar kështu padrejtësisht shqiptarët që do vazhdojnë të mbeten peng i regjimit të vizave, ndërkohë që qytetaret e Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi do të lëvizin lirisht. Madje, komisionerët janë shprehur se, nëse Shqipëria plotëson kriteret, liberalizimi mund të diskutohet sërish në qershorin e vitit të ardhshëm. Por, nëse situata do të ishte më e qartë në Shqipëri, liberalizimi i vizave mund të ridiskutohej në muajin shtator, ose në fillim të vitit të ardhshëm, ashtu sikurse dhe është premtuar nga politika shqiptare dhe nuk do të ishte shtyrë jo pak, por një vit, duke e lënë vendin tonë shumë mbrapa vendeve fqinje të saj”, ka nënvizuar Bushati dy ditë më parë.

18 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›