Rama: “Varfëria dhe analfabetizmi, kërcënim për fëmijët shqiptarë”
Kryesocialisti Edi Rama është ndalur në Lezhë, ku ka lëshuar sinjalin se varfëria dhe analfabetizmi po mund fëmijët në Veri të vendit. Në kuadër të turit “Rrugët e ideve për të ardhmen”, Edi Rama ka qëndruar në Lezhë, ku është takuar më arsimtarët e këtij qyteti. Rama u shprehu arsimtarëve se duhet mundur analfabetizmin dhe varfëria përmes politikave të reja në Arsim. “Këtu, në zonën ku nis dhe shtrihet Veriu i vendit, problemet janë më të prekshme dhe më të frikshme. Këtu del lakuriq varfëria migjeniane, ku fëmijët e kanë të pamundur të shkojnë në shkollë për shkak të varfërisë; ku fëmijët e kanë të pamundur që të marrin mësimin normal në mjedise që dikur kanë qënë shkolla dhe sot nuk mund të quhen më të tilla, ku fëmijët janë të kërcënuar nga ana e analfabetizmit”, - bëri të ditur Rama gjatë takimit.
Duke vënë alarmin se analfabetizmi sot jo vetëm është shfaqur, por po përparon me shpejtësi, Rama bëri thirrje që kjo dukuri të mundet përfundimisht. Kreu i socialisteve nënvizoi se në rast se socialistëve do t’u jepej mundësia të qeverisnin, gjithçka do ta nisnin nga arsimi. “Jam absolutisht i bindur se gjithçka në Shqipëri dhe Shqipërinë e së nesërmes do të fillojë nga arsimi. Arsimi do të bëhet prioriteti jo thjesht i Partisë Socialiste, por për të gjithë ata qytetarë që do të bëhen përditë e më të vetëdijshëm”, - tha Rama.
5 Tetor 2008