E Diel, 1 Nëntor 2026

Fraser Uilson: “Korrupsioni në prona i mban larg investitorët nga Shqipëria”

Ambasada Britanike monitoron procesin e regjistrimit të pasurive. Ambasadori e vë theksin në zbatimin e ligjit për kthimin e pronave

Eljona Ballhysa
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Fraser Uilson, ka deklaruar dje se investitorët anglezë nuk vijnë në Shqipëri për shkak të korrupsionit dhe paqartësisë në çështjet e pronësisë. Këtë deklaratë z. Uilson e bëri gjatë një seminari ku u bë publik një raport mbi monitorimin e punës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në kryeqytet. Raporti monitorues u realizua nga Forumi për Demokraci dhe Etikë, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, në bashkëpunim me Zyrën qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Deklarata

Gjatë fjalës së tij ambasadori Uilson e vuri theksin në domosdoshmërinë e zbatimit të legjislacionit që zgjidhin çështje të pronësisë. Ai tha se toka duhet t’u kthehet pronarëve të ligjshëm. “Unë jam pyetur shpesh pse shumë kompani britanike nuk zgjedhin Shqipërinë për të investuar. Dhe një përgjigje e dukshme është së investitorët nuk duan të rrezikojnë të investojnë në Shqipëri paratë e tyre, në një treg pronësie ku rregullat e pronës dhe pronarët janë të paqartë. Kjo është afërmendsh”, - është shprehur z. Uilson, ndërsa ka sugjeruar zbatimin e ligjit të pronës. “Shqipëria duhet të adresojë çështjen e pronësisë së tokës dhe kthimin e pronës tek ish-pronarët, në mënyrë të drejtë dhe përmbyllëse, në mënyrë që të jetë në gjendje të tërheqë sa më shumë investitorë, por gjithashtu duhet të plotësojë kriterin e vendosur për të nga Bashkimi Europian”, - është shprehur ambasadori britanik.
Përsa i përket raportit monitorues, z. Uilson bëri të ditur se ky raport pritet të rrisë aksesin publik të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Tiranë dhe do të ndihmojë qytetarët të gjejnë mënyrën për të zgjidhur problemet e tyre të pronësisë. Z. Uilson gjithashtu theksoi se gjatë punës së hartimit të këtij raporti është vënë re mungesa e besimit të qytetarëve për shkak të rasteve korruptive. “Regjistrimi i pronësisë është një çështje e ndjeshme. Shumë qytetarë kanë eksperiencë negative nga ky proces dhe kanë humbur besimin. Njerëzit nuk kanë kuptuar procedurat e përfshira në proces. Për fat të keq ky proces ka shënuar shumë raste korrupsioni, gjë që ka sjellë dhe humbjen e besimit. Korrupsioni dhe perceptimi i tij në sistemin e regjistrimit të pasurive dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e qytetarëve të thjeshtë shqiptarë, por ai dëmton gjithashtu dhe ekonominë shqiptare”, - është shprehur z. Uilson. Ndërsa në fjalën e tij, kryeregjistruesi Arben Qirjako theksoi se “projekti është një kontribut i rëndësishëm për përmirësimin e transparencës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”. Ai gjithashtu pranoi se ka pasur raste korrupsioni në praktikat që ndiqen, por niveli i korrupsionit është ulur së fundi. “Unë, si kryeregjistrues, jam i detyruar të pranoj se Zyra e Regjistrimit ka vuajtur nga korrupsioni në nivele të larta dhe natyrisht që edhe sot mund të ketë korrupsion, por ne kemi hartuar strategji të cilat mund ta them me siguri se kanë dhënë rezultate shumë të mira”, - është shprehur Qirjako.

Raporti

Raporti i hartuar nga Forumi për Demokraci dhe Etikë, në bashkëpunim me Ambasadën Britanike, u realizua nga monitorimi që iu bë punës së ZVRPP-ve në Tiranë për një periudhë prej 40 ditësh. Gjatë kësaj kohe u realizuan një sërë sondazhesh nëpërmjet plotësimit të pyetësorëve me opinionet e qytetarëve të thjeshtë. Në përfundim të kësaj pune ekspertët kanë renditur disa nga problematikat që kanë vërejtur. Sipas tyre, është vërejtur prania e sekserëve në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Është vërejtur një mungesë informacioni kundrejt procedurave që do të ndiqnin qytetarët. Disa qytetarë ngrinin nevojën e kryerjes së verifikimeve në terren nga vete institucioni i Hipotekës dhe pasi të ketë bërë këtë verifikim të lëshojë certifikatat sipas kërkesës së të interesuarve. Sipas ekspertëve, është e nevojshme të përmirësohen arkivat e institucionet dhe të jenë elektronike.

Problemet e konstatuara në regjistrimin e pronës

• Fluksi më i madh i punës ishte nga ora 08:00 deri në mesditë, rreth orës 12:00.
• Te hënave fluksi i qytetarëve ishte shumë më i madh në krahasim me ditët e tjera dhe situata në ambientet e Hipotekës dukej pak kaotike.
• Ditët e tjera të javës shërbimi dukej me cilësor dhe normal.
• Kishte raste që disa persona, të përditshëm, viheshin re në ambientet e ZVRPP-së Tiranë dhe lëviznin me lehtësi sa nga njëri sportel në tjetrin. Interesimi i tyre është për persona të tjerë.
• Vihej re një mungesë e informacionit suplementar, përveç atij që vinte nga sporteli i biletave. Mungonte një stendë ku mund të kishte fletëpalosje, broshura apo botime të cilat do të ndihmonin qytetaret për procedurat që duhet të ndiqnin. Vumë re se gjatë shpërndarjes së fletëpalosjeve në ambientet e Hipotekës, qytetarët i lexonin ato me kureshtje dhe shprehnin kënaqësinë e tyre për njohuritë mbi informacionin që përfitonin nëpërmjet tyre. Kjo na bën të jemi të sigurt se puna jonë në këtë drejtim ishte me efekte konkrete pozitive.
• Disa qytetarë ngrinin nevojën e kryerjes së verifikimeve në terren nga vetë institucioni i Hipotekës dhe pasi ta ketë bërë këtë verifikim të lëshojë certifikata sipas kërkesës të të interesuarve.
• Përmirësimi e arshivës së këtij institucioni. Jo çdo dokument ishte elektronik dhe mungonte një sistem i tillë për të gjitha zonat. Kishte qytetarë që pretendonin se nuk ishin pajisur me certifikatë pronësie për këtë arsye.
• Probleme që kanë të bëjnë me rritjen e shërbimit postar si respektimi i afateve, saktësia e adresave, mungesa e përgjigjeve të sakta e të plota etj.
• Ka raste që aktet noteriale të bëra nga noterë të veçantë kanë qenë të gabuara, p.sh. na u paraqit rasti kur një pronë ishte e bllokuar për efekt kredie dhe nga ana e noterit ishte përpiluar akt-shitje.
• Në ndonjë rast pati qytetarë që dolën nga sporteli pa kryer punë, pasi siç thanë ata, punonjësi i ZVRPP-së ishte larguar nga puna dhe nuk ishte zëvendësuar akoma, gjë kjo që kishte sjellë si pasojë mosplotësimin në kohë të kërkesës së qytetarit.
• Pati qytetarë që paraqitën shqetësimin se gjatë përpilimit të dokumentacionit ishte shkruar një gabim në emrin tyre, gjë që kishte sjellë probleme të pasaktësisë së dokumentacioneve dhe mundime për të rregulluar gabimet e bëra.
• Probleme të mbartura që kanë të bëjnë me zënien e trojeve e ndërtime pa leje.
• Vërtetimet për pensione, për ambasadat etj., merreshin brenda ditës, por mungonte ai që mund të quhej shërbimi ekstra, pra përfitimi i shërbimit ekspres kundrejt një tarife për këtë shërbim. Kishte emigrantë që kishin ardhur me pushime dhe donin të kryenin veprime hipotekare, por që në mjaft raste nuk patën mundësi të përfundonin punët e tyre. Ky ishte një nga shqetësimet kryesore që nxirrnin shtetasit me banim të përkohshëm jashtë Shqipërisë.

5 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›