E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet Fazlliç, lobisti i qeverisë shqiptare qe pastron paratë në Tiranë

Fazlliç u arrestua dje në shoqërinë e një biznesmeni të hetuar për kontrabandë. Zbardhen doku,entet, Cilat jane fijet e tij poltiko-financirare qe e lidhin me Tiranen

Habjon Hasani
Damir Fazlliç, shtetasi boshnjak i hetuar në Bosnjë dhe Kroaci për pastrim parash, kontrabandë cigaresh, por dhe i skeduar për trafik ndërkombëtar të armëve, ka arritur të pastrojë dhe të fshehë të paktën 1.7 milionë euro gjatë aktivitetit të tij trevjeçar në Shqipëri. Ai është arrestuar ditën e djeshme në Sarajevë nga Policia boshnjake së bashku me Naser Oriç (një ish-luftëtar boshnjak i hetuar për kontrabandë dhe trafiqe). Të dy po hetohen për një skemë të pastrimit të parave. Në shikim të parë arrestimi i Fazlliçit duket si një rast i zakonshëm. Por emri i këtij personazhi nuk është i panjohur për Tiranën dhe sidomos për qarqet e larta politike shqiptare. Damir Fazlliç rezulton me një aktivitet të dendur tregtar falë mbështetjeve politike edhe në Shqipëri. Ai ka krijuar pesë firma në Tiranë, ndërsa “Albania” ka zbuluar se të paktën njëra prej këtyre firmave është përfshirë në një lojë tipike të pastrimit të parave, në shumën e 1 milion e 700 mijë eurove. Nga verifikimi i dokumentacionit zyrtar rezulton se gjatë aktivitetit të tij në Shqipëri zoti Fazlliç është asistuar nga disa personazhe që rezultojnë familjarë apo ortakë të disa prej zyrtarëve më të lartë të shtetit.

Java e pushtetit

Që në javën e parë të pushtetit të demokratëve, në shtator të vitit 2005, Fazlliç krijoi me urgjencë tri firma të ndryshme brenda dy ditëve, ndërsa statuti dhe objektivi i këtyre tri firmave është i njëjtë, por duket se i njëjtë dhe i pandryshueshëm ka qenë dhe administratori shqiptar i këtyre tri firmave, i cili rezulton të jetë zoti Erion Isufi. Nga një kërkim i thjeshtë del se zoti Isufi është kunati i ministrit Lulzim Basha, madje me një karrierë siameze njësoj si e zotit Basha. Sikurse dhe zoti Basha, Erion Isufi ka kryer një master në Universitetin e Utrehtit në Holandë, ka punuar dhe katër muaj si përkthyes në UNMIK (departamenti i ndjekjes së kriminelëve të luftës), për ta lënë këtë funksion në mars të vitit 2005, kohë në të cilën i duhej të kthehej për të punuar si koordinator i KOP-it, nga ku më vonë do të mbante dhe barrën e organizimit të shtabit elektoral të kandidatit për deputet Lulzim Basha. Fillimshtatori i vitit 2005 e gjeti zotin Basha deputet dhe ministër të Transporteve, ndërsa kunati dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt, në krye të dy javëve vendosi të bëjë biznes në cilësinë e administratorit të tri firmave të ndryshme në pronësi të Damir Fazlliçit.

Puno me mua

Më 19 nëntor të vitit 2005, biznesmeni Damir Fazlliç dhe administratori Erion Isufi regjistruan dy firma të ndryshme: “SRF DEVELOPMENT” dhe “VIRTU ACQUISITONS”. Një ditë më vonë Fazlliç dhe Isufi nuk vonuan dhe hapën edhe një firmë të tretë, të cilën e quajtën “CROWN ACQUISITIONS”. Nga një vështrim mbi praktikën zyrtare që ndoqën këta dy persona del se për të tria këto firma është lënë si adresë e selisë së tyre qendrore e njëjta adresë që administratori Isufi ka lënë si vendbanimin e tij (Rr. “Shilasi Dishnica”, Pallati 2/4). Por ngjashmëritë vazhdojnë edhe me statutet dhe qëllimet e këtyre firmave, të cilat kanë ekzaktësisht të njëjtin grup objektivash. Kryesisht këto firma synonin operimin në tregun e pasurive të paluajtshme duke zhvilluar projekte ndërtimi dhe të zhvillimit urban, shitblerje dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme, dhënien e konsulencës ekonomike tregtare dhe financiare për ndërmarrjet, por edhe tregtimin, import-eksportin dhe magazinimin e mallrave të ndryshme. Kësisoj, është e qartë se ndërsa kunat kishte ministrin e Transporteve dhe Punëve Publike, Erion Isufi, vendosi të bëjë administratorin e tri firmave që zhvillonin projekte ndërtimi dhe urbane, por dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme. Dhe vendosi të bënte administratorin e tri firmave, të cilat kishin për pronar shtetasin Damir Fazlliç, i hetuar në vendin e tij e më gjerë për evazion fiskal dhe mashtrime financiare. Nuk do të vononte që njëra prej këtyre firmave të bëhej epiqendra e një skeme të pastër të pastrimit të parave në mes të Tiranës.

E shesim në Qipro

Më 4 qershor të vitit 2007, zoti Fazlliç shkarkoi nga detyra e administratorit të firmës “CROWN ACQUISITIONS”, Erion Isufin. Kjo periudhë përkon dhe me emërimin e zotit Basha si ministër i Jashtëm. Por ky nuk duket një vendim arbitrar nëse i referohesh faktit se zoti Isufi vazhdonte të bënte administrimin e dy firmave të tjera, në një zyrë më luksoze, në katin e tetë te një prej godinave të quajtura “Kullat binjake”, përballë Kryeministrisë. Rreth një muaj më vonë, më datën 9 korrik 2007, zoti Fazlliç kreu zyrtarisht shitjen e kësaj firme (me vendim gjykate nr. 34011/2, të gjyqtares Majlinda Dogga) për llogari të një firme të regjistruar në Nikosia të Qipros, e cila quhet “ALTARIA RESEARCH LIMITED”. Praktika e ndjekur për shitjen tregon se firma qipriote nuk solli ndonjë përfaqësues të sajin në Shqipëri, por autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Flutura Kola. Dokumentet tregojnë se firma qipriote e ka lëshuar prokurën e përfaqësimit që në datën 14 maj 2007 (kohë në të cilën administrator ishte Z. Isufi), ndërsa avokatja Kola, më datë 20 qershor 2007, firmosi kontratën e shitjes. Nga termat e kontratës del se firma “CROWN ACQUISITIONS” u shit për një vlerë prej 1 milion e 700 mijë eurosh, ndërsa në kontratë nuk përcaktohej asnjë aset i firmës. Duke qenë se në prokurën e lëshuar nga Qiproja avokates i kërkohej të bënte blerjen dhe më tej regjistrimin e firmës për llogari të qipriotes “ALTARIA RESEARCH LIMITED”, atëherë “Albania” shkoi të verifikonte pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve dhe pranë Drejtorisë së Tatimeve procedurën e regjistrimit si dhe për asetet e firmës. Por, në mënyrë të papritur zbuluam se firma ende vazhdonte të ishte e regjistruar në emër të Damir Fazlliçit. Madje të dhënat nga Tatimet tregojnë se kjo firmë nuk ka derdhur asnjë qindarkë në arkën e shtetit. Firma nuk kishte asnjë aset dhe nuk ka paguar kurrë ndonjë detyrim tatimor, madje nuk ka paguar as 10 përqindëshin e TVSH-së për kontratën e shitjes (170 mijë euro në rastin konkret, që sipas kontratës duhet t’i paguante Fazlliç). Në fakt, nuk kishte si ta paguante në kushtet kur nuk ishte zbatuar vendimi i gjykatës për regjistrimin e firmës për llogari të pronarëve qipriotë. Por, si ishte e mundur që avokatja Flutura Kola nuk kishte zbatuar një prokurë ligjore të noterizuar dhe një vendim gjykate për regjistrimin e firmës pas aktit të shitjes?! A kishte ekzistuar ndonjëherë kjo avokate, apo gjithë procedura ishte një zinxhir falsifikimesh?!

Takim në studio

Në përpjekje për të zbuluar enigmën mësuam se avokatja Flutura Kola ekzistonte dhe ishte një person konkret. Madje ajo ka filluar të ekzistojë dhe të operojë edhe në fushën e avokatisë dhe konsulencës që prej 8 tetorit të vitit 2005, datë në të cilën zonja Kola, së bashku me juristen tjetër, znj. Argita Malltezi, regjistruan në Tiranë studion ligjore “Malltezi&Kola”. Megjithatë, praktika e kësaj studioje tregon se vetëm dy muaj pasi u themelua, dy ortaket u ndanë. Në bazë të dokumenteve zyrtare rezulton se në të njëjtën datë (15 dhjetor 2005), zonjat Flutura Kola dhe Argita Malltezi janë paraqitur tek e njëjta notere (znj. Flutura Pustina), për të regjistruar dy firma konsulence të mëvetshme. Për pasojë u formuan dy firmat, “Malltezi& Associates” dhe “Kola&Associates”. Ndonëse dy ortaket filluan të operonin më vete, ato nuk do të ishin shumë larg njëra-tjetrës, pasi të dyja zyrat e reja janë regjistruar ekzaktësisht në të njëjtin apartament në adresën: Rruga e Barrikadave, Pall. Ndërtim Vila, Ap.7. Të paktën deri pak javë më parë dy studiot i ndante vetëm një mur i hollë, i sajuar me shkumë deti të presuar.

Damiri merr çekun

Zonja Kola nuk u kujtua ndonjëherë të regjistronte firmën sipas prokurës qipriote dhe vendimit gjyqësor shqiptar, por shitësi i shkathët Damir Fazlliç shkoi me kontratën e firmosur nga zonja Kola në bankë dhe tërhoqi plot 1 milion e 700 mijë euro. Kjo sasi parash u mor për një shitje që nuk ishte kryer kurrë, ndërsa eurot u transferuan në Shqipëri nga një firmë e cila vetëm sa rezulton e regjistruar në Qipro, pasi pronarët janë pjesë e një grupi të fuqishëm serb në fushën e investimeve. Por ndonëse me pronarë serbë, firma “ALTARIA RESEARCH LIMITED” ka zgjedhur të operojë nga Nikosia në Qipro, një zonë bankare e tipit “offshore”, ku zor se të pyesin se ku i gjete lekët apo se kush është pronari i vërtetë. Gjithsesi, zoti Fazlliç mund t’i depozitojë 1 milion e 700 mijë eurot e tij në çdo cep të botës tanimë, pasi edhe sikur ta pyesin ku i gjete, ai do t’u tregojë çekun e marrë në bankën shqiptare si pasojë e shitjes së rreme të kompanisë së tij “CROWN ACQUISITIONS”. Vetëm se në arkën e Tatimeve në Shqipëri do të mungojnë 170 mijë euro detyrime të TVSH-së. Por duket se zoti Fazlliç nuk e ka aspak problem çështjen e tatimeve apo zbatimit të ligjeve në Shqipëri, pasi vetëm 1 muaj pasi kishte bërë këtë shitje të rreme, më 10 shtator të vitit 2007, zoti Fazlliç autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Joana Qeleshi që të regjistronte në emër të tij firmën “ALPHA”. Zonja Qeleshi në këtë periudhë ka punuar si avokate në studion “Kola&Associates”, në pronësi të avokates Flutura Kola. Madje Damir Fazlliç zgjodhi si kontabiliste për firmën “ALPHA” zonjën Shpresa Breçani, e cila është mbesa e kryeministrit Berisha dhe kushërirë e parë me juristen Argita Malltezi.

Damir Fazlliç, një histori me marrëveshje dhe përqindje

I lindur në Foca të Bosnjës më 26 shtatorin e vitit 1975, me babanë boshnjak dhe nënën serbe, Damir Fazlliç përfaqëson sot një nga biznesmenët me njohjet dhe lidhjet më të fuqishme në Ballkan. Fazlliç ka ardhur në Shqipëri në fillimin e vitit 2005, si kontingjent i kompanisë “BG&R”, e cila menaxhoi fushatën elektorale të demokratëve. Në Bosnjë dhe Serbi zoti Fazlliç shihet si një personazh misterioz. Dy gazeta boshnjake kanë investiguar për një kohë të gjatë aktivitetin e zotit Fazlliç, ndërsa ky i fundit rezulton në disa lidhje të fuqishme biznesi dhe klanore me njerëzit më të pushtetshëm të regjimit të Millosheviçit. Sipas këtyre investigimeve rezulton se zoti Fazlliç ka pasur mbështetje të madhe nga ish-shefi i policisë sekrete (dhe numri 2 i regjimit të Millosheviçit), Jovica Stanishiç. Në fakt, e ëma e tij, Jovanka, ka qenë kushërirë e dytë me zotin Stanishiç dhe ka punuar si sekretare e tij deri nga fundi i viteve ‘80, kur familja u shpërngul dhe emigroi në Londër. Pikërisht në Londër ka marrë shkas dhe anglishtja e tij e përkryer. Në vitin 2003 ai u ndalua nga Policia boshnjake dhe u mor në pyetje lidhur me relatat e tij me Milorad Ulemek (LEGIJA). Ulemek ishte shpallur në kërkim për vrasjen e ish-kryeministrit serb Zoran Xhinxhiç dhe autoritetet serbe kishin të dhëna se Fazlliç e fshihte atë në Bosnjë. Në telefonin e Fazlliçit u gjend si numri i Ulemekut, ashtu dhe ai i kryeministrit të vrarë. Fazlliç kishte një miqësi të fortë me Ulemekun, pasi ky i fundit i kishte shpëtuar lëkurën disa vite më parë, kur bosi i kontrabandës së cigareve në Ballkan, Stanko Subotiç, donte ta eliminonte atë gjatë garës për privatizimin e një fabrike të rëndësishme duhani në Serbi. Por zoti Fazlliç është ndjekur penalisht në Bosnjë dhe Kroaci për pastrim parash dhe evazion fiskal, ndërsa Hinvestigimet e medieve boshnjake e sjellin atë në vëmendje edhe për trafikun e armëve, si pasojë e disa bashkëpunimeve të tij në Rusi dhe Serbi. Fazlliç ka një miqësi të fortë dhe me Hasan Çengiç, ish-ministër i Mbrojtjes në Bosnjë, i cili është i njohur për rrjetin e gjerë të trafikantëve të armëve, me të cilët ka konsoliduar bashkëpunimin në vite. Gazetarët boshnjakë që e kanë investiguar dhe kanë shkruar për zotin Fazlliç, e përshkruajnë atë si një mjeshtër të marrëveshjeve miliardere. Sipas tyre, Fazlliç nuk bëhet kurrë pjesë integrale e marrëveshjes, atij i pëlqen t’i pajtojë palët dhe të mbajë përqindjen e fitimit. Madje Fazlliç nuk i ka shumë qejf as asetet dhe pasuritë e patundshme, paratë i pëlqejnë të thata dhe shpejt e shpejt.

FIRMAT E KRIJUARA NË SHQIPËRI, NË PRONËSI TË DAMIR FAZLLIÇ

Firma “CROWN ACQUISITIONS”
E regjistruar më 20 shtator të vitit 2005
Administrator: Erion Isufi (deri më 4 qershor 2007)
Më 9 korrik 2007 firma i shitet kompanisë qipriote “ALTARIA RESEARCH LIMITED”. Kompania vazhdon të jetë e regjistruar në emër të Fazlliçit
Adresa: Rr. “Shilasi Dishnica”, Pallati 2/4

Firma “VIRTU ACQUISITIONS”
E regjistruar më 19 shtator 2005
Administrator: Erion Isufi
Adresa: Rr. “Shilasi Dishnica”, Pallati 2/4
Më 14 nëntor 2005 dy shtetas gjermanë (Abdilgafar Ramadani dhe Jurgen Rober) blenë 55 për qind të aksioneve, ndërsa adresa e firmës u zhvendos në selinë e re te “Dëshmorët e Kombit”, Kulla 2, kati VIII (e njëjtë me DF TRADE LIMITED)

Firma “SRF DEVELOPMENTS”
E regjistruar më 19 shtator 2005
Administrator: Erion Isufi
Adresa: Rr. “Shilasi Dishnica”, Pallati 2/4
Më 12 dhjetor 2005 shtetasi gjermanë Abdilgafar Ramadani bleu 50 për qind të aksioneve, ndërsa adresa e firmës u zhvendos në selinë e re te “Dëshmorët e Kombit”, Kulla 2, kati VIII (e njëjtë me DF TRADE LIMITED)

Firma “DF TRADE LIMITED”
E regjistruar më 9 janar 2006
Administrator: Damir Fazlliç
Vazhdon të jetë aktive
Adresa: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Kulla 2, kati VIII

Firma “ALPHA”
E regjistruar më 10 shtator 2007
Administrator: Damir Fazlliç
Firma është regjistruar me prokurë të posaçme nga avokate Joana Qeleshi
Eksperte kontabël është caktuar znj. Shpresa Breçani
Adresa: Bulevardi “Bajram Curri”, pranë Aviacionit

Firma: ROMPETROL

Në pronësi të një grupi ortakësh shqiptaro-rumunë
Zoti Fazlliç është zgjedhur në vitin 2007 anëtar i këshillit mbikëqyrës

5 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›