Rama-Veliaj: “Nano bën pjesë tek 1 milionë të papunët”
Erion Veliaj ka zbardhur edhe ç’përmban bardhaku i Edi Ramës. Duke folur për Fatos Nanon, ai e klasifikoi atë si një nga një milionë të papunët, të cilëve Partia Socialiste dhe Edi Rama s’kishin përgjegjësi t’u gjenin ndonjë sistemim
Janë të njohura tentativat demagogjike të eksponentëve të Partisë Socialiste, duke filluar nga lidershipi i saj, për të rritur artificialisht numrin e të papunëve në vend, por askujt s’i kishte shkuar në mendje se pjesë e kësaj tallje publike do bëhej dhe lideri historik i së majtës, ish kryeministri Fatos Nano. Krahu i djathtë i Edi Ramës, ish Mjaft-isti dhe 99-shi Erjon Veliaj, në rolin e “çerrit” të kryesocialistit, sajon alibinë kundër kandidimit të z.Nano, për President të Republikës. Arsyeja është e thjeshtë – gjithnjë në logjikën dhe arsyetimin e 99-sho-mjaft-istit Erjon Veliaj, se PS s’do punësojë një të pa-punë si Nano (nënkupto këtu mbështetjen që Nano i ka kërkuar kreut të PS-së, për zgjedhjet presidenciale), aq më tepër në një pozicion delikat si ai i presidentit të Republikës, ku edhe siç është janë të njohura zhvillimet e 2-3 viteve të fundit, Edi Rama kërkon ta ketë nën-kontroll dhe në ndikimin e tij politik. Pra, indirekt Erjon Veliaj kërkon t’i japë shuplakën kandidimit të z.Nano, përpara se të jetë vonë. Rasti i keqpërdorimit të institucionit të Presidencës është konkret dhe s’ka nevojë për komente të tepërta. Dhe ky moment, ai i humbjes së terrenit politik te kreu i shtetit, pasi Bamir Topi po shkon drejt dorëzimit të detyrës, është dhimbje koke për Edi Ramën. Raportet e tij me Nanon kanë qenë si mos më keq, për të mos thënë konfliktuale deri në atë pikë sa s’kanë munguar akuzat e ndërsjella për devijim të vlerave të së majtës politike, përfitime të paligjshme në krye të PS-së si dhe mungesa e një lidershipi serioz që të jetë në gjendje t’i përgjigjet ndryshimeve kohore në proporcion me modernizmin e të majtës evropiane. Por përsëri, renditja e Fatos Nanos tek 1 milionë të papunët e PS-së, përsëri nuk tingëllon aq mirë sa duket. Kjo për faktin se është një mesazh konkret që PS s’do e mbështesë në garën presidenciale dhe për më tepër që, ironia si i “pa-punë”..., në kontekstin që, as ne s’e kemi ndër mend të të punësojmë..., se ndoshta s’të kontrollojmë dot! Sigurisht që, s’pritet argument tjetër nga Erjon Veliaj, pasi ishte ky ai që me pankarta në dorë (i financuar nga Edi Rama), brohoriste “Poshtë Nano” apo dhe me sloganin e njohur gjerësisht, “Nano Ik”. Sot, Erjon Veliaj është funksionar në PS..., edhe pse kontribuoi për daljen e PS-së në opozitë, në mënyrë që Rama të uzurponte ish-PS-në. Erjon Veliaj ka në dorë fatet e 1 milionë të “papunëve”..., midis tyre edhe të Fatos Nanos, i cili në këndvështrimit e ish Mjaft-istit, është thjesht një i papunë që s’ia ka për detyrë PS t’i gjejë punë.
Këtu rrëzohet edhe e gjithë kauza e opozitës për punësimin e të papunëve. Sidoqoftë, demagogjia vazhdon...