E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, prapë me shantazh, s’e duron dot marrjen e statusit

05-05-2012 / Gazeta 55

Sapo komisioneri Fyle dha porosinë që reforma zgjedhore të mbyllet përpara nisjes së procesit për zgjedhjen e presidentit të ri, Edi Rama pa se po i largohej pushteti i 2013-s dhe shpalli bllokimin e reformës zgjedhore. Duke e përjetuar integrimin në BE si një humbje personale, Edvini ka shtuar shantazhin, duke u konfirmuar si një katalizator i madh destabilizues. Ai i është rikthyer fobisë së hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, duke futur në krizë krejt procesin e ankimimeve

Komisioni i Reformës zgjedhore ia ka dalë të mbyllë me konsensus 30 nene të kapitullit të numërimit elektronik. Por një detaj i vogël, për demokratët shumë i rëndësishëm, siç është lidhëza “ose” ka penguar miratimin e kapitullit në mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, për shkak se e ka lënë evazive hapjen e kutive të materialeve zgjedhore në KQZ.
Në deklarimin e parë socialistët u prononcuan për një tërheqje të demokratëve nga teksti i kompromisit.
Neni për të cilin u debatua në këtë komision lidhej me faktin se “kutitë e materialeve  të votimit hapen në KQZ-së gjatë fazës së shqyrtimit të ankimit, në përputhje me nenet 136 dhe/ose pika 1 e nenit 138 të Kodit  nëse prova/provat e kërkuara administrohen në kutinë e materialit të votimit”.
Më vonë nga selia rozë, bashkëkryetari socialist Gjiknuri përsëriti të njëjtin qëndrim, duke cituar, sikundër ai tha, tekstin për të cilin ishte rënë dakord. Por në këtë citim të tekstit fillestar as Gjiknuri nuk artikulon lidhëzën dhe/ose, e cila figuron në tekstin e shpërndarë dhe është pikërisht ajo që demokratët kërkojnë të hiqet nga pika 6 e nenit 116.
Sipas Bylykbashit tolerimi i këtij formulimi në kod tej-zgjat procesin e nxjerrjes së rezultatit, pasi i hap rrugën KQZ të hapë mbi 4500 kutitë e materialeve zgjedhore në mbarë vendin, kur duhet të jetë e përcaktuar kthjellët që hapja në KQZ të bëhet vetëm kur ka prova.
“Është bërë një formulim që ndryshon thelbësisht këtë konsensus të arritur, që është futur, nën rrogoz dhe bën ndryshim thelbësor të një momenti kompromisi, i cili synon përmirësimin maksimal të procesit të numërimit. Do të krijonte një problem shumë të madh, sepse atë që neve sot bëjmë, 4 500 kuti të materialeve zgjedhore, i hapim 66 KZAZ, duke e fraksionuar ngarkesën e punës, të gjithën më pas ta bëjmë duke e hapur me proces ankimor të 4500 kutitë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e cila do të rrënonte procesin ankimor, do ta zgjaste në mënyrë të skajshme. Ajo që nuk shkon është vetëm futja e këtij formulimi në mënyrë jo të rregullt në Komision. Besoj që riformulimi nga ekspertët mund ta sjellë menjëherë”, u shpreh Bylykbashi.
Por ajo që bie në sy është se me këtë detaj të këtij neni, socialistët vënë në dyshim konsensusin, ndërsa demokratët janë optimistë se riformulimi është i thjeshtë për t’u arritur Bylykbashki foli me optimizëm pasi ekspertët kanë punuar paralelisht dhe për kapitullin e ankimimeve dhe të administrimit, ku bën pjesë dhe KQZ.
Nga ana tjetër partitë e vogla nuk pritet të marrin asgjë më shumë se sa firmat e Edi Ramës dhe Sali Berishës në kërkesën e tyre për ndryshimin e formulës së llogaritjes së shpërndarjes së mandateve të deputetëve, si diçka jashtë objektit të të punës së komisionit, bazuar në tekstin e marrëveshjes së 14 nëntorit, 2011.
Nga ky këndvështrim mazhoranca i sheh të gjitha mundësitë për përmbylljen e reformës zgjedhore para nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Ndërkaq në mbledhjen e djeshme janë miratuar me konsensusin edhe të partive të vogla 30 nene për numërimin elektronik.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›