Rama: Vendi në rrënim. Programi PS, rimëkëmbje

Kreu i PS, Edi Rama
TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka deklaruar sot se paralajmërimi i hershëm i opozitës për rrënimin ekonomik dhe nivelin e lartë të borxhit është njoftuar së fundi nga Moodys. Në fjalen e tij në Tryezën për Infrastrukturën në kuadër të programit të PS për një Rilindje Shqiptare, Rama i është referuar studimit të fundit të bërë nga Moodys, që sipas tij është tronditës. Shqipëria përbën një nivel rreziku për falimentim, borxhi i lartë publik është kërcënim dhe rrezikon falimentimin, pavarësisht se është krijuar për investime në punë publike- tha Rama, duke kujtuar se pikërisht për këtë opozita i kishte rënë kambanave të alarmit, për veshët e shurdhët të qeverisë.
Sipas tij është e pamundur që vendi të mbajë peshën e këtij borxhi e të vazhdojë rrugën e shpenzimeve kuturu. Në programin tonë ne kemi vendosur në fokus rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit dhe besojmë se gjendet në udhëkryq kritik mes rilindjes dhe rrënimit- tha Rama.
Ai ka numëruar tri drejtimet kryesore të programit, që synojnë rimëkëmbjen ekonomike. Sipas tij, vendit i mungon një plan kombëtar i zhvillimit të infrastrukturës rrugore e transportit dhe harta e investimeve në infrastrukturë është krejt e çoroditur.
Sipas tij, investimet për rrugët janë aspekti ku është abuzuar më shumë elektoralisht, shpërdoruar më shumë financiarisht dhe dëmtuar më shumë ekonomikisht, në raport me potencialet.