Arrestohen 4 serbë, u kapën me material zgjedhor

Foto ilustruese
Policia e Kosovës ka arrestuar katër shtetas serbë ne pikëkalimin Dheu i Bardhë, afër Konçulit. Sipas mediave serbe, qe citojne burime nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, të arrestuar janë kryetari i Komunës së Vitisë Sreçko Spasiq dhe punonjësit e administratës komunale Ivica Najkiq dhe Aleksandër Stojilkoviq.
“I arrestuari i katërt është Svetozar Nashkoviq, polic i Departamentit të Policisë së Ferizajt, ka thënë për agjencinë e lajmeve Tanjug, zëvendësdrejtori i policisë së Serbisë, Branislav Mitrovic.
Ministria serbe për Kosovën ka bërë me dije se arrestimi i serbëve është bërë, pasi tek ata është gjetur material zgjedhor dhe për shkak se janë punonjës të institucioneve serbe.
Kjo ministri ka kërkuar nga EULEX-i që të reagojë me urgjencë dhe që të arrestuarit të lirohen. Nuk ka pasur reagime nga ana e institucioneve kosovare.
Ditë më parë, Policia e Kosovës po ashtu ka arrestuar disa punonjës serbë të Postës dhe Telekomit të Serbisë, tek të cilët kanë konfiskuar material me përmbajte të dyshimtë tregtare.