Rama: Vendimi i Klinton brenda NATO-s për çlirimin e Kosovës, ishte vendimi më historik i marrë nga aleanca

Si rrallë herë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ka bërë bashkë thuajse të gjithë klasën politike shqiptare, pozitë- opozitë, deputetë të të dyja krahëve politikë, ish- presidentë duke filluar nga Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi, drejtuesit më të lartë të institucioneve shtetërore, si dhe thuajse të gjithë trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, në nderim dhe vlerësim të ish- presidentit, Bill Klinton.
Pas ekzekutimit të himneve të të dyja vendeve, atij të SHBA-së dhe Shqipërisë nga banda e ushtrisë, fjalën e ka marrë kryeministri Edi Rama, i cili ka nënvizuar se vendimi brenda NATO-s i Klinton për çlirimin e Kosovës, “ishte vendimi më historik i marrë nga aleanca ndonjëherë”.
“Ne shqiptarët kemi pasur privilegjin ta përjetojmë drejtpërdrejtë forcën rrëqethëse të fjalës së Klinton në 24 mars 1999, kur ai iu drejtuar mbarë botës: “Sot Forcat tona të Armatosura, së bashku me aleatët tanë të NATO-s morën pjesë në goditjet ajrore kundër forcave serbe, të cilat janë përgjegjëse për brutalitetin e ushtruar në Kosovë”. Ai fjalim ishte për historinë e Kosovës dhe rajonin tonë një gur përcaktues në rrugën e të ardhmes”,- tha Rama.
“Nuk ka qenë kurrë më e vështirë për mua se të përgatitem që të flas dhe të flas, duke ditur se pas meje do të marrë fjalën një njeri, i cili qysh se përapara të hyja në jetën politike, ia kam lexuar fjalimet që në thelb kishin të bënin për një botë më të mirë. Një Uliks në kërkim të një Itake paqeje. Rruga është qëllimi i të gjitha përpjekjeve. Kam mësuar jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për artin e tij të komunikimit, duke i admiruar atë që nuk mësohet dot dhe që ka të bëjë me empatinë magjepse të një presidenti të madh.”- theksoi Rama.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, rruga e pajtimit është e vetmja përballë shkatërrimit dhe se siç apelon edhe presidenti Klinton “duhet tolerancë përballë hakmarrjes”.
“Na mëson zotnillëkun në frontin e ideve. Ai thoshte atë që bënte, dhe bënte atë që thoshte. Ai ka dhënë një kontribut historik për reformimin e evropës pas rënies së Perdes së Hekurt. Luajti një rol themelor për një Evropë që të ecte përpara. Metoda Klinton e vendos përgjegjësinë qytetare, jo partizanllëku politik. Edhe për të majtën shqiptare rruga e tretë ishte si “uji në shkretëtirë“. Dhe sot e majta shqiptare është nga të paktat vende që vijon me “Rrugën e Tretë“.- theksoi Rama në fjalën e tij.
/rtsh.al/