E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama Videoja prove e matrapazlleqeve

Kryetari i PS, Edi Rama ka hedhur kritika të ashpra ndaj lidershipit të qeverisë, pas videos së transmetuar dje nga “Fiks Fare”, ku shfaqej zëvendëskryeministri Ilir Meta që bënte afera me tenderat.

Në një deklaratë për shtyp, Rama ka akuzuar kryeministrin Berisha dhe Metën se përmes matrapazllëqeve po grabisin pasuritë e Shqipërisë.

“Mbrëmë u pa nga të gjithë, me zë e figurë, një nga episodet që ndodhin nën catinë e qeverisë që vjedh Shqipërinë. Ndërsa sot u panë zëvendëskryeministri kusar dhe kryeministri matrapaz i votave shqiptare, që treguan se me fuqinë e shtetit të kapur duan të vjedhin votat dhe të plackisin gjithcka”, ka deklaruar Rama.

Sipas liderit të opozitës, me këtë qëndrim dy krerët e shtetit po shkaktojnë dëme të pariparueshme dhe të papranueshme në kurriz të shqiptarëve.

“Pikërisht se ia morën dhe duan t’ia marrin sërish votat, këta kusarë e matrapazë i bëjnë popullit shqiptar një karshillëk që s’ia kanë bërë as pushtuesit”, ka pohuar Rama.

Kreu i PS ka theksuar se videoja e publikuar dje fakton më së miri grabitjen që Berisha dhe Meta po u bëjnë pasurive të shtetit, ndërsa shfaqja e sotme e tyre konfirmon sipas tij prirjet për të vazhduar në këtë drejtim.

“Mbrëmë u pa e u dëgjua botërisht një episod prej pak minutash lidhur me korrupsionin e Saliut, Ilirit e Rulave të tjerë të këtij pushteti, që po bëjnë kërdinë me HEC-et, minierat dhe cdo pasuri të Shqipërisë. Por sot ndodhi dicka më e rëndë, sepse ai që duhet të largohej dhe ai që duhet ta largonte i dhanë popullit provën tronditëse përse janë bashkë dhe pse duan të vazhdojnë të rrijnë bashkë, për të vjedhur Shqipërinë”, ka nënvizuar Rama.

“Është e padrejtë të thuhet se në atë episod matrapazllëku ishte vetëm Ilir Meta. Kjo mund të thuhej dje, ndërsa sot mund të thuhet se atje ishte përfshirë edhe Saliu. Flet vetë edhe fakti që kanë vendosur të sjellin edhe plehra nga jashtë, plehra toksike, sepse mendojnë se përderisa shqiptarët mbajnë ata të dy në kurriz, mund të mbajnë edhe plehrat”, ka vijuar ai.

Më tej kreu i PS ka përgëzuar emisionin “Fiks Fare” që arriti të publikonte një nga shumë episodet e grabitjes së Shqipërisë nga qeveria.

“Përgëzoj institucionin e pavarur dhe të lirë “Fiks Fare”, që prodhoi me zë e figurë atë që gjenden në dhjetra episode me gjurmë të matrapazllëkut”, ka shtuar Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›