E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Vizioni i Berishës, si në xhungël

“I tërë komuniteti nuk meriton të jetojë në një xhungël për shkak të një vizioni primitiv që ka Kryeministri ynë për jetën 

në qytet, për jetën urbane, për zhvillimin tërësor të Shqipërisë”, këtë deklaratë bëri dje kryebashkiaku, Edi Rama, pas inspektimit të aksionit që Inspektorati Ndërtimor ka nisur për prishjen e ndërtimeve pa leje në bllokun e banimit nr.61 në kryeqytet, pranë Oxhakut. Ky bllok është pjesë e njësisë bashkiake numër 4. Aksioni, i cili ka ditë që ka filluar, synon prishjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë, duke i hapur udhë kështu rehabilitimit të infrastrukturës. “Kjo është pjesë e një projekti të madh në pesë blloqe të mëdha banimi në kryeqytet. Eshtë një bllok prej 30 hektarësh që do të transformohet rrënjësisht që nga infrastruktura nëntokësore deri tek ambientet çlodhëse mes pallateve dhe ky është vendi dhe rasti për t’i thënë Kryeministrit të Shqipërisë, në emër të të gjitha familjeve të kryeqytetit, se duhet të mos shtyjë më tutje amendamentet e ligjit të Legalizimeve, që janë një barbarizëm dhe që janë një tregti e ulët politike me interesat e së nesërmes”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›