E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Erdhi Berluskoni, tani energji bërthamore

Ardhja në pushtet e Berluskonit në Itali, ka rizgjuar ëndrrën e Shqipërisë për të ndërtuar një central bërthamor. 

Kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar dje qëndrimin e Tiranës zyrtare se vendi ynë nuk mund të përjashtohet nga mundësia e pasjes së një centrali. Në një intervistë për gazetën e njohur italiane "Corriere della sera", kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se është duke u punuar me agjencinë atomike në Vjenë për hartimin e një kuadri ligjor, i cili do t'i hapë rrugë më pas ndërtimit të centralit. "Vendimi im është që të mos përjashtohet Shqipëria nga një potencial i madh energjie bërthamore, më ekonomike, më i pastër. Mungon një kuadër normativ i nevojshëm, por për këtë jemi duke punuar me agjencinë atomike në Vjenë. Projekti është duke ecur. Sapo të jemi gati, kryesore do të ishte që të binim dakord me vendet përreth, Italinë si fillim", u shpreh Kryeministri Berisha. I pyetur nëse do të jetë Durrësi qyteti ku do të ndërtohet centrali bërthamor Berisha tha se "Vendi ynë është i hapur për energjinë atomike. E hapur për këdo. Nuk kam folur këtë akoma me qeverinë italiane. Është një grup italian, i cili ka ardhur të diskutojë mundësinë e centralit në Shqipëri. Por nuk kemi vendosur akoma qytetin. Dimë vetëm që do të jetë". Më tej Berisha tha se: "Ky vend i ofron të gjitha garancitë për të prodhuar energji nukleare të sigurt. Do të keni të gjitha sistemet të teknologjisë së fundit. Askush nuk duhet të ketë diçka për këtë, në Ballkan". Afati i ndërtimit të centralit duket se do të jetë një tjetër çështje që do të negociohet. I pyetur nga gazetari italian lidhur me këtë çështje Berisha tha se: "Varet. Nëse do të ketë një marrëveshje midis qeverive, për 5 vjet është një kohë e duhur për t'i përfunduar". Kryeministri Berisha konfirmoi dje të njëjtin qëndrim edhe në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Srgjan Kerim. I pyetur ndërtimi i centralit bërthamor do të jetë një investim italian, apo dhe qeveria shqiptare do të marrë pjesë në të, Berisha tha se: "Nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin tim. Kanë qenë gjithnjë dy opsione. Opsioni që të bisedoj me qeveritë e vendeve fqinje dhe ta ndërmarrim së bashku këtë projekt. Në këtë rast qeveria është e gatshme të marrë pjesë me buxhetin e saj". Sipas kreut të qeverisë, "rikthimi i mikut tim Berluskoni në pushtet në Itali ka rikthyer edhe qëndrimin pro nuklear. Dhe unë mirëpres çdo bashkëpunim me qeverinë italiane në këtë fushë. Në rast se qeveritë nuk janë të interesuara, qeveria shqiptare nuk mendoj se do ta ndërmarrë me buxhetin e saj iniciativën për ndërtimin e termocentralit nuklear, por do t'i hapë dritën jeshile sektorit privat por të ndërtuar një të tillë në standardet më të mira. Ky është qëndrimi im". Ndërtimi i centralit bërthamor u hodh për herë të parë në nëntor nga kreu i qeverisë, si një kundërpërgjigje për parandalimin e krizës energjetike në të ardhmen. Duke folur në një prej mbledhjeve të qeverisë, Kryeministri Berisha tha se ndërtimi i centralit në vendin tonë do të bënte Shqipërinë një vend eksportues për të gjithë rajonin. Madje duke e referuar edhe me shembuj, kryeministri u shpreh se me ndërtimin e centralit Italia e Jugut mund të eksportojë energji nga Shqipëria më lehtë se nga Zvicra apo Franca ku e merr aktualisht. "Për jugun e Italisë shumë më kollaj transferohet energjia nga Shqipëria se sa nga Zvicra apo nga Franca. Shqipëria do të krijojë lidhje të fuqishme me Ballkanin, pra ka një pozicion të lindur për të qenë një nga prodhuesit më kryesorë të energjisë në rajon, një nga eksportuesit kryesorë të saj", theksoi në atë kohë Berisha.       a.sh

OKB: Ndërtimi i centralit
bërthamor, vendim i drejtë

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka përkrahur idenë e Shqipërisë për ndërtimin e një centrali bërthamor në vendin tonë. Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate, Srgjan Kerim tha dje në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Berisha, se zhvillimi ekonomik është e drejtë e çdo vendi në zhvillim. Sipas tij, Shqipëria mund të shfrytëzojë çdo lloj energjie dhe ky është një vendim i drejtë. "Së pari dua të sqaroj diçka kur flasim për ndryshimet klimaterike. Në këtë rast kemi të bëjmë me ruajtjen e ambientit, por kjo nuk do të thotë që se ruajtja e ambientit të pengojë zhvillimin ekonomik të një vendi. E drejta për zhvillim ekonomik është një e drejtë e vendeve në zhvillim, siç është edhe Shqipëria. Kështu që çdo lloj burimi energjie që Shqipëria vendos të zhvillojë, që mund të jetë energji diellore, energjia e erës, energjia nukleare, etj., është një vendim më se i drejtë", theksoi në fjalën e tij Kerim. Në fund zyrtari i lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka lëshuar edhe një apel për vendet që e kanë kundërshtuar mundësinë për të ndërtuar një central bërthamor. "Ne duhet ta mbështesim së bashku dhe jo ta luftojmë atë", tha Kerim në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Berisha.

Harasani: Centrali, një paradoks

Deputeti i PS, Andis Harasani, kundërshtoi ngritjen e një centrali bërthamor. Sipas tij, ngritja e një centrali të tillë në kushtet e Shqipërisë është një paradoks. "Të vjen keq të shikosh se si në një vend, ku papërgjegjshmëria qeveritare konkretizohet me fatkeqësinë e Gërdecit, në një vend ku dhe Instituti i Fizikës Bërthamore mbyllet, pasi nuk ka buxhet, e askush nuk kontrollon as qumështin që pinë foshnjat, të flitet për central bërthamor. Kjo nuk është gjë tjetër, veç paradoks", u shpreh Harasani. Këtë ide të Kryeministrit Berisha në emër të Partisë Socialiste e ka kundërshtuar dhe nënkryetari i grupit parlamentar Erion Braçe. Sipas tij, "për këtë vendim se paku duhet të merrej mendimi i popullit shqiptar ndërsa vendi sipas tij rrezikon të kthehet në një shesh për përpunimin e lendeve bërthamore". "Një central nuklear punon me lëndë radioaktive, të cilat Shqipëria sot nuk i disponon; që do të thotë se funksioni i këtij centrali do të kërkojë medoemos që vendi ynë të bëhet edhe një shesh për transportin apo për mbajtjen e lëndëve nukleare, veçanërisht uraniumit. Gjithashtu, vetë funksionimi i centralit nuklear sjell mbetje të tilla radioaktive që janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve" tha Braçe.

Energji pa ndërprerje 
për Durrësin e Kavajën

Zona bregdetare mes Durrësit dhe Kavajës ka siguruar furnizimin me energji elektrike për 20 vitet e ardhshme. Kjo është deklarata që numri një i KESH, Gjergji Bojaxhi ka bërë në Golem në orën 02:00 të mëngjesit të djeshëm. Të gjithë njerëzit e korporatës që punojnë në filialin e Durrësit dhe të Kavajës janë angazhuar në mesnatë në një aksion masiv që kishte si synim montimin e një transformatori me peshë mbi 25 tonë në nënstacionin e Golemit. Specialistët kanë punuar deri në orët e para të agimit, kur transformatori me vlerë dy milionë euro është vënë në funksionim. Falë vendosjes së këtij transformatori gjigant, kapaciteti mbajtës i rrjetit elektrik të Durrësit dhe Kavajës është 6-fishuar. Instalimi i impiantit të ri elektrik do të sigurojë me energji zonën nga Rrashbulli e deri në Kavajë, duke e çliruar në këtë mënyrë nga mbingarkesa rrjetin ekzistues të Durrësit. Investimi i ri solli zëvendësimin e transformatorit të vjetër, i cili u dogj rreth dy muaj më parë, pasi nuk e përballonte dot ngarkesën elektrike. Deri më tani për të furnizuar me energji elektrike zonën e Golemit, ishte vënë në punë provizorisht një transformator me një fuqi 19 Megavat. Ky investim, i cili është kryer vetëm me fondet e KESH-it do të pasohet nga të tjera ndërhyrje, që do të kenë si synim përballimin me energji të stinës së nxehtë.

ENEL : Jemi gati për ndërtimin e centralit

Kompania italiane "Enel SPA" është gati të ndërtojë një central atomik në Shqipëri.

Kështu është shprehur për mediat italiane një përfaqësues i kësaj kompanie. Sipas tij, ata janë të gatshëm të ndërtojnë një vepër të tillë energjetike në Shqipëri, madje sipas tij, ata do të vlerësonin shumë nëse arrihet një marrëveshje mes dy qeverive. Por që të nisë ndërtimi i një vepre të tillë energjetike, më parë duhet të hartohet një ligj i veçantë që lejon ndërtimin e një centrali atomik në Shqipëri. Burime pranë qeverisë kanë deklaruar se ekspertët janë duke punuar në mënyrë që hartimi i këtij ligji të përfundojë brenda këtij viti.
Centrali
Italianët janë shprehur pro ndërtimit të një centrali atomik në Shqipëri, por në vendin e tyre ndërtimi i veprave të tilla energjetike nuk lejohet. Më 6 nëntor të vitit 1987, në Itali u zhvillua një referendum për ndërtimin apo jo të centraleve atomik. Rezultatet e këtij referendumi treguan se italianët ishin kundër ndërtimit të një centrali të tillë në vendin e tyre. Edhe e majta italiane është pozicionuar kundër ndërtimit të centraleve atomike, por nuk ndan të njëjtin mendim me të forca tjetër politike në Itali. Vetëm pak kohë para zhvillimit të zgjedhjeve në Itali, Giulio Tremonti, 60 vjeç, ministër i Ekonomisë në qeverinë Berluskoni, ka deklaruar se nëse zgjedhjet do t'i fitonte Berluskoni, atëherë Italia do të ndërtonte një central atomik në Shqipëri ose në Mal të Zi. Por tashmë duket se italianët kanë piketuar Shqipërinë si vendin më të përshtatshëm ku energjia nukleare italiane mund të ketë terren zhvillimi.

Italia ndryshon mendje për atomikët

Italia ka ndryshuar formulën e saj mbi centralet atomike pas ardhjes së qeverisë Berluskoni në pushtet, duke zhdukur fjalën kurrë për ndërtimin e një impianti të tillë në territorin e saj. Ministri italian për Zhvillimin Ekonomik, Claudio Scajola, ka deklaruar se brenda pesë viteve, deri në vitin 2013, në Itali do të hapen kantieret e centraleve atomike. Deklarata u bë gjatë asamblesë së "Confindustria"-s, ku u pranua menjëherë ftesa e presidentes së re, Emma Marcegaglia, për të rihapur investimet në këtë sektor. "Deri në fund të legjislaturës do të jetë vendosur guri i parë i një grupi centralesh të gjeneratës së re", tha ministri, duke marrë duartrokitjet e sipërmarrësve. Operatorët, ENEL dhe ENI përgjigjen menjëherë se "ne jemi gati". Për të parë kilovatët e parë do të duhen të paktën katër vjet e gjysmë, megjithatë Italia rihyn në sektorin që e përmbush në Evropë 35 për qind të dritës së konsumuar në masa të ndryshme, me partnerët kryesorë Francën dhe Gjermaninë.

Ja si funksionojnë prodhuesit atomikë

Deri në muajin gusht të vitit të kaluar kishte 439 centrale nukleare në gjendje pune, të cilët janë të shpërndarë në 31 shtete të ndryshme të botës. Këto centrale aktualisht prodhojnë 17 për qind të energjisë elektrike në botë. Vendin e parë për sa i përket numrit të centraleve e zënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë ndërtuar gati 104 të tillë. Tashmë shumë vende i kanë kthyer sytë nga energjia nukleare dhe për këtë pritet që gjatë viteve në vijim të ndërtohen edhe 32 vepra të tilla të prodhimit të energjisë nukleare. Një central atomik funksionon në një mënyrë të tillë, që nxehtësia e zhvilluar nga reaksioni me fision në brendësi të reaktorit transferohet nëpërmjet një dytermiku të rrjedhshëm me një fluks uji që nxjerr avull të nxehtë. Avulli vë në punë një turbinë, e cila kontakton me një gjenerator që prodhon rrymën, e cila më pas sjell energjinë elektrike. Fuqia e këtyre impianteve është e ndryshme, ajo varion nga 40 MW deri në impiante të mëdha me fuqi prej 1000 MW. Impiantet tipike moderne kanë një fuqi prej 600 MW deri në 1200 MW. Vetëm centralet termoelektrike dhe centralet nukleare arrijnë këtë fuqi me një impiant të vetëm. Kohëzgjatja e një centrali është 25-30 vjet. Por tashmë po projektohen impiante të rinj, të cilët janë parashikuar që të kenë jetëgjatësi më të madhe, pra deri më 60 vjet.

Centralet që janë ndërtuar

    439 centrale atomike janë në gjendje pune
    104 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
    59 në Francë
    55 në Japoni
    31 në Rusi
    20 në Kore
    19 në Angli
    18 në Kanada
    17 në Gjermani
    17 në Indi
    15 në Ukrainë
    11 në Kinë
    10 në Suedi
    8 në Spanjë
    7 në Belgjikë
    6 në Çeki
    45 në Sllovaki
    5 në Zvicër
    4 në Finlandë
    4 në Hungari
    2 në Argjentinë
    2 në Brazil
    2 në Bullgari
    2 në Meksikë
    2 në Pakistan
    2 në Rumani
    2 në Afrikë
    1 në Armeni
    1 në Lituani
    1 në Norvegji
    1 në Slloveni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›