E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Vrasjet e 21 janarit, të bëhet drejtësia

21/02/2011  Rama ngushëllime në familjen Nikaj

Drejtësia duhet të bëhet patjetër! Ky ka qenë mesazhi i përcjellë dje nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë vizitës ngushëlluese në familjen Nikaj. Gjatë ditës së djeshme, kryetari Rama i shoqëruar nga nëna e tij, zonja Aneta, bashkëshortja Linda dhe anëtari i Opozitës së Bashkuar, Preç Zogaj, vizitoi familjen Nikaj, në fshatin Grykë-Manati të Lezhës, për të shprehur ngushëllimet për humbjen e djalit të tyre, Aleks Nikaj. Aleks Nikaj, 36 vjeç, humbi jetën pasi u plagos në kokë në demonstratën e 21 janarit, por ai nuk mundi ti rezistojë plagës dhe u nda nga jeta në një spital në Turqi. Trupi i tij u soll në Shqipëri në datë 6 shkurt, për tu varrosur në vendlindje një ditë më pas. Gjatë bisedës në familjen Nikaj, kreu socialist shigjetoi ashpër drejtuesit e mazhorancës. “PD është fjalë shumë e gjerë dhe përfshin shumë njerëz të mirë e njerëz të ndershëm, qytetarë që kanë të gjitha arsyet të kenë ato mendime e ato simpati që kanë për parime e për vlera të djathta, por kjo ska të bëjë me PD”, vlerësoi Rama. Madje po në këtë linjë, ai shtoi se “kjo ka të bëjë me një regjim të një grupi njerëzish që e kanë uzurpuar dhe që e kanë kthyer në kalë të betejës së tyre për përfitime PD. Po një gjë jam absolutisht dakord: që drejtësia duhet të bëhet patjetër. Mbani mend që për çfarëdo lloj gjëje që unë mund të jem në vend të djalit dhe të vëllait. Mos kini asnjë ngurrim, jam në dispozicion me gjithçka që unë kam mundësi me gjithë shpirt”. Nga ana e tij, xhaxhai i Aleksit, duke u ndalur te zbardhja e vrasjes, u shpreh se “Aleksi nuk është vetëm i yni tani, është i gjithë Shqipërisë dhe ne do bëjmë përpjekje dhe individualisht që të zbulojmë cila është e vërteta e vrasjes së tij. Deri diku kemi arritur në një përfundim që është bërë në mënyrë selektive për ta hequr qafe, nga segmente të PD, që kanë rekrutuar edhe njerëz apostafat për të krijuar këtë situatë në Shqipëri, për të vrarë njerëz të pafajshëm. Ky është një shtet kriminal, si mund të bisedosh me një shtet që të vret?”.

20-vjetori i shembjes së bustit të Enverit

Balla: Berisha po ndjek shembujt e diktatorëve në largim

Partia Socialiste reagoi dje lidhur me festën që organizoi kampi blu në 20-vjetorin e shembjes së bustit të diktatorit Enver Hoxha. Sipas deputetit socialist Taulant Balla, kjo festë duhet të ishte spontane dhe jo një miting i Sali Berishës, ku arsimtarë, studentë e punonjës të administratës nga anembanë vendit ngjishen në autobusë e nxirren në shesh për të treguar sesa e do populli regjimin e tij. “Sali Berisha po ndjek shembujt e shëmtuar të diktatorëve në largim. Historia e vjetër dhe e re e diktatorëve është sot modeli dhe historia e fundit e Sali Berishës. Fotografia, ku Saliu qëndron në majë të varkës familjare të diktatorit Enver Hoxha, është prova më e qartë se Sali Berisha ishte dhe mbetet njeriu i diktaturës”, vlerësoi Balla, duke shtuar se “ai po vret për të ndalur protestat, ai po fyen gjakun e të vrarëve për drejtësi para zyrës së tij, ai po rreh barbarisht për të trembur valën e pakënaqësisë popullore, ai po organizon antimitingje groteske duke e kthyer 20 shkurtin nga një ditë simbol të opozitarizmit kundër diktaturës, në një ditë të urrejtjes kundër opozitës”. Gjithashtu, Balla bëri me dije se “në ditët në vijim kampi opozitar do të protestojë kundër Saliut e Ilirit e kusarëve me bllok në dorë, të cilët nuk mund të trembin më askënd me dhunën e fjalëve dhe dhunën e armëve”.

Protestat kundër qeverisë

FRESSH-i para Ministrisë së Brendshme: “Vrasës ik!”

Eurosocialistët do të protestojnë sot përpara Ministrisë së Brendshme, ku do të kërkojnë largimin e ministrit Lulëzim Basha. Kështu, pritet që sot në mesditë të rinjtë e Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë të instalohen përpara godinës së kësaj ministrie, duke organizuar një tubim, në të cilin nuk do të mungojnë akuzat për vrasjen e katër demonstruesve në demonstratën e 21 janarit. Me pankartat “Vrasës, ik!” eurosocialistët do tu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që ti bashkohen kësaj proteste, e cila drejton gishtin përgjegjës pikërisht tek titullari i këtij institucioni. Ndërkohë mësohet se manifestimet përpara kësaj godine do të jenë të shpeshta, pasi kërkohet pikërisht largimi i ministrit Basha. Në këtë mënyrë, kampi opozitar ka nisur të shtrijë aksionin në disa drejtime, ku përmes këtyre protestave të përçojë fort sinjalin kundër mazhorancës qeverisëse. Pritet që në ditët në vijim tubimet të organizohen në rrethe të ndryshme të vendit. Njëkohësisht ishte vetë kreu socialist Edi Rama, ai i cili në protestën e 18 shkurtit deklaroi prerë se demonstratat e kampit të majtë dhe të mbështetësve të tij nuk do të ndalen deri në largimin e qeverisë dhe kreut të saj Sali Berisha, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›