Meta: Kryeministri i ardhshëm në respekt të votës së qytetarëve shqiptarë
TIRANE- Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha në një intervistë televizive se çështja e kryeministrit të ardhshëm nuk ekziston në raportet me Partinë Socialiste.
"Mendoj se kjo aleancë ka disa objektiva të qarta. Bazohet në disa parime të bëra publike edhe në marrëveshjen e Shkodrës. Ndërsa çështje edhe më specifike, si ajo e kryeministrit, nuk janë çështjet më të rëndësishme dhe janë lehtësisht të zgjidhshme", tha Meta.
Ai vuri në dukje se "fakti që ekziston një debat, ku është angazhuar edhe një pjesë e lidershipit të Partisë Demokratike dhe një pjesë e analistëve më pranë maxhorancës aktuale se cili do të jetë Kryeministri nga e majta, tregon bindjen e plotë se Kryeministër nuk do të jetë më Berisha pas 23 qershorit. Ndërsa se kush do të jetë nga e majta, kjo do të jetë në respekt me votën e qytetarëve shqiptarë dhe është një çështje që Kushtetuta e zgjidh në mënyrë të qartë".
"Ne nuk kemi asnjë dispozitë përjashtuese për askënd sepse nuk kemi përse të paragjykojmë cilindo. Gjithçka do të vendoset në respekt me votën e qytetarëve shqiptarë. Për ne më e rëndësishme është që të hyjmë në një perspektivë të re për të gjithë vendin dhe e majta të tregojë të gjithë kapacitetet e saja për mirëqeverisje dhe për t'u përballur me probleme shumë të mprehta ekonomike dhe sociale. Ky është angazhimi ynë kryesor", tha Meta.
Në përgjigje të pyetjes për taksën progresive, që mbron dhe propagandon PS-ka, Meta tha se "vetë PS është e prirur për të vlerësuar me objektivitet dhe realizëm edhe këtë çështje. Por këtu nuk shtrohet problemi për taksën progresive, pro apo kundër saj, sepse çështja është më komplekse. Pa asnjë diskutim që është një parim shumë i drejtë se kush fiton më shumë duhet të paguajë apo të taksohet edhe më shumë, por këtu duhet të kemi në konsideratë që politika e taksave nuk duhet të jetë qëllimi kryesor i politikave ekonomike, është një instrument për objektivat kryesorë të një politike ekonomike".
"Objektivi kryesor duhet të jetë rritja ekonomike e vendit dhe politika e taksave duhet të jetë në funksion të rritjes ekonomike të vendit, rritja e prodhimit në funksion të uljes së importeve dhe në funksion të rritjes së eksporteve për të pasur një ekonomi më konkurruese dhe më dinamike dhe që rritet në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme. Shqetësimi që ne kemi shprehur dhe që mendoj se është mjaft i rëndësishëm për t'u pasur në konsideratë është që Shqipëria duhet të ndjekë edhe një politikë të taksave në raport me sipërmarrjet dhe me investitorët, e cila nuk e bën atë më pak atraktive se sa vendet e tjera të rajonit", tha Meta.
INTERVISTA E PLOTE
Z. Meta, në një raport të vëzhguesve vendorë thuhej se fushata kishte nisur e polarizuar. Si mendoni ju? Është e tillë?
Në përgjithësi jeta politike ka qenë e polarizuar dhe si rezultat i këtij konfliktualiteti kemi pasur edhe një ngërç i cili ka lënë gjurmët e tij në ngadalësimin e proceseve integruese por edhe të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Nuk kishte se si të mos reflektohej ky polarizim apo ky konfliktualitet që ishte gjatë këtyre viteve edhe gjatë fushatës.
Në vitin 2009 ju morët afërsisht 74 mijë vota, në vitin 2011 rreth 120 mijë vota. Rikthimi juaj në kampin e majtë e bën garën më të vështirë apo ngjall ndonjë pikëpyetje të mbështetësit tuaj?
Jam i bindur se mbështetësit e LSI-së rriten çdo ditë dhe aq më tepër kur në këto zgjedhjet, për herë të parë, LSI do të jetë pjesë e procesit të administrimit të zgjedhjeve duke pasur komisionarët e saj, duke pasur numëruesit e saj. Është e sigurt që gjithë kjo mbështetje në rritje do të reflektohet me besnikëri edhe në rezultatet përfundimtare.
Deklarimet e eksponentëve të LSI-së lidhur me emrin e Kryeministrit të ardhshëm kanë qenë disa. Publiku ka filluar të mendojë se PS dhe LSI edhe pse janë aleatë kanë edhe një “por”. Ka ndonjë por sipas jush?
Mendoj se kjo aleancë ka disa objektiva të qarta. Bazohet në disa parime të bëra publike edhe në marrëveshjen e Shkodrës. Ndërsa çështje edhe më specifike, si kjo që edhe ju përmendët, nuk janë çështjet më të rëndësishme dhe janë lehtësisht të zgjidhshme.
A ekziston problemi i Kryeministrit?
Fakti që ekziston një debat ku është angazhuar edhe një pjesë e lidershipit të Partisë Demokratike dhe një pjesë e analistëve më pranë mazhorancës aktuale se cili do të jetë Kryeministri nga e majta tregon bindjen e plotë se Kryeministër nuk do të jetë më Berisha pas 23 qershorit. Ndërsa se kush do të jetë nga e majta, kjo do të jetë në respekt me votën e qytetarëve shqiptarë dhe është një çështje që Kushtetuta e zgjidh në mënyrë të qartë.
Nëse PS është e para nga votat e shqiptarëve, do të jetë Kryeministër Edi Rama apo jo?
Ne nuk kemi asnjë dispozitë përjashtuese për askënd sepse nuk kemi përse të paragjykojmë cilindo. Gjithçka do të vendoset në respekt me votën e qytetarëve shqiptarë. Për ne më e rëndësishme është që të hyjmë në një perspektivë të re për të gjithë vendin dhe e majta të tregojë të gjithë kapacitetet e saja për mirëqeverisje dhe për tu përballur me probleme shumë të mprehta ekonomike dhe sociale. Ky është angazhimi ynë kryesor.
Fushata juaj, e PS-së dhe LSI-së, është e veçuar. Ka ndonjë problem këtu apo është një zgjidhje taktike?
Mendoj se nuk ka asnjë gjë të panatyrshme po të kemi parasysh që sistemi është vetë i tillë, ku çdo forcë politike bën fushatën e saj. Edhe PSD bën fushatën e saj, edhe PDS po ashtu, edhe PBDNJ. Pavarësisht se forcat politike janë në një koalicion të përbashkët dhe kanë një objektiv të përbashkët, përsëri secila parti kërkon të arrijë maksimumin e votave të saj. Por kjo në fund fare është në funksion të suksesit të përbashkët të gjithë koalicionit. Pra, më duket mëse normale dhe më se e natyrshme për më tepër në rast se kemi një mospërputhje në atë që ndodh në kampin e djathtë apo te mazhoranca aktuale. Kjo ndodh për arsye se pothuajse të gjithë kryetarët e partive aleate të PD-së janë në listat e saj.
Ka zëra se mbështetësit tuaj dhe të PS-së në bazë z. Meta nuk e shohin njëri-tjetrin si aleatë. Ka direktiva nga ju dhe z. Rama për këtë?
Direktivat nga ana e LSI-së janë për të bërë një fushatë mjaft konstruktive dhe pozitiviste në tërësi dhe aq më tepër në raport edhe me partitë që janë në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Unë mendoj se kandidatët tanë janë në përgjithësi një shembull i një fushate tepër pozitive, larg ngacmimeve të panevojshme dhe me karakter lokal.
PS e ka publikuar programin edhe në formë të printuar. Ka LSI një program të tillë?
Ne e kemi bërë publik programin dhe programi ynë është shpërndarë dhe vazhdon të shpërndahet.
Mbetet në këtë program divergjenca për çështjen e taksës progresive?
Mendoj se vetë PS është e prirur për të vlerësuar me objektivitet dhe realizëm edhe këtë çështje. Por këtu nuk shtrohet problemi për taksën progresive, pro apo kundër saj, sepse çështja është më komplekse. Pa asnjë diskutim që është një parim shumë i drejtë se kush fiton më shumë duhet të paguajë apo të taksohet edhe më shumë por këtu duhet të kemi në konsideratë që politika e taksave nuk duhet të jetë qëllimi kryesor i politikave ekonomike, është një instrument për objektivat kryesorë të një politike ekonomike. Objektivi kryesor duhet të jetë rritja ekonomike e vendit dhe politika e taksave duhet të jetë në funksion të rritjes ekonomike të vendit, rritja e prodhimit në funksion të uljes së importeve dhe në funksion të rritjes së eksporteve për të pasur një ekonomi më konkurruese dhe më dinamike dhe që rritet në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme. Shqetësimi që ne kemi shprehur dhe që mendoj se është mjaft i rëndësishëm për tu pasur në konsideratë është që Shqipëria duhet të ndjekë edhe një politikë të taksave në raport me sipërmarrjet dhe me investitorët, e cila nuk e bën atë më pak atraktive se sa vendet e tjera të rajonit. Jemi në një konkurrencë edhe me Maqedoninë, edhe me Serbinë, edhe me Kosovën, edhe me Malin e Zi, edhe me Kroacinë, për sa i takon klimës ndaj biznesit dhe ndaj investimeve të huaja. Pa rritur investimet e huaja do ta kemi të vështirë ta zhvillojmë ekonominë tonë. Në këtë drejtim mendoj se ne kemi prioritete shumë të qarta dhe e shohim politikën e taksave të funksion të këtyre objektivave shumë të rëndësishme.
Atëherë duhet të kuptojmë që ende jeni në proces diskutimi me PS-në apo jo?
Natyrisht që çdo forcë politike ka dalë me programin e saj. Ky program në elementët kryesorë unë mendoj se është i përbashkët, pra në raport me rivendosjen e atyre ekuilibrave politikë të cilat vendi i ka aq të domosdoshme për tu kthyer në një normalitet demokratik me respektimin e institucioneve të pavarura, dhe në tërësi edhe me objektivat kryesore për sa i takon çështjes së punësimit, që është një prioritet edhe i PS-së dhe prioritet kryesor edhe i LSI-së. Çështjet e tjera mendoj se janë çështje që do të diskutohen edhe më pas.
E mbështesni apo keni rezerva për idenë se si PS mendon që ta transformojë sistemin e shëndetësisë në Shqipëri?
Mendoj se të gjitha këto çështje mbeten për tu vlerësuar, aq më tepër kur do të duhet të hartohet një program qeverisës sepse është tjetër një program elektoral dhe tjetër një program qeverisës, dhe që duhet të mbajë në konsideratë jo vetëm të gjithë idetë e reja të ndryshme deri tani por edhe të gjithë burimet dhe mundësitë financiare për realizimin e këtyre ideve.
Z. Meta, vërtet nuk ju shqetëson fakti që KQZ mbetet me një format të gjymtuar?
Na ka shqetësuar shumë dhe e kemi shprehur këtë shqetësim por nuk mund të mbetemi peng i një shqetësimi, përgjegjës për të cilin është vetëm z. Berisha dhe mazhoranca e tij të cilët dhunuan integritetin dhe pavarësinë e KQZ-së. Në drejtim të mbrojtjes së votës nuk e kemi aspak këtë shqetësim sepse opozita, në përputhje edhe me Kodin Zgjedhor, merr pjesë dhe do të marrë pjesë në të gjithë nivelet e tjera të administrimit të këtij procesi. Ky proces në fakt nuk ndodh në KQZ por ndodh në qendrat e votimit, në qendrat e numërimit dhe në KZAZ-të që janë nëpër qarqe, ku edhe do të shpallen rezultatet e zgjedhjeve të 23 qershorit.
Kritikët thonë që një KQZ e tillë e gjymtuar mund të jetë një alibi nesër nëse do të kundërshtosh rezultatin e zgjedhjeve. Është një alibi kjo?
Nuk ekziston asnjë dëshirë për të krijuar apo për të pasur një alibi sepse fitorja e opozitës është e padiskutueshme. Nuk ka përse opozita të përpiqet të harxhojë energji për të justifikuar për atë që nuk mund të ndodhë, humbja e saj. Por natyrisht që nuk është përgjegjësi e opozitës që të restaurojë një KQZ të cilën e gjymtoi z. Berisha dhe nuk ekziston një reflektim i tij për atë që bëri.
Z. Kastriot Islami, në një prej analizave të tij, aludon se një KQZ e gjymtuar i intereson kryetarit të Partisë Socialiste, sepse në një farë mënyre sipas kësaj analize, një përfaqësues i partisë suaj në KQZ mund të jetë një lojtar jo fort i kontrollueshëm. Si e konsideroni këtë analizë të z. Islami?
Mendoj se është një diversion jo shumë i kualifikuar, duke pasur një konsideratë begraundin shkencor të z. Islami. Aq më tepër që edhe ai e di po kaq mirë sa edhe unë që diferenca është kaq e madhe sa nuk ekziston asnjë merak dhe shqetësim i opozitës se si do të justifikohet nesër një rezultat tjetër.
Le të flasim pak për kthesën që bëri LSI, një ndryshim radikal në skenën politike shqiptare. Ka një sensibilitet në opinionin publike që përkthehet kështu se, si është e mundur që në pak javë të bëni një kthesë kaq të fortë duke kritikuar qeverinë në të cilën ishit katër vjet?
Atëherë, mund t’ju them se koalicioni i vitit 2009 midis LSI-së dhe Partisë Demokratike ishte një koalicion i panatyrshëm, i pa parashikuar por i imponuar nga situata konkrete në të cilën u ndodhëm pas rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2009. Dhe mendoj që ka qenë një vendim i drejtë, ka qenë edhe një risi, të cilën duhet t’ia lëmë edhe kohës që vjen për ta vlerësuar dhe për ta gjykuar me objektivitet. Ndërsa, përsa i takon vendimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të realizuar një koalicion me Partinë Socialiste përsëri më duket që ka qenë një vendim i drejtë, duke shkuar drejt një koalicioni të natyrshëm duke qenë se këto dy forca janë forca që i takojnë qendrës së majtë, pavarësisht nga kontradiktat në të kaluarën dhe po kështu kjo erdhi pas mbylljes së marrëveshjes me Partinë Demokratike sepse kjo marrëveshje kishte një afat kohor. LSI-ja duhej të pozicionohej përpara zgjedhjeve dhe mendoj se ka qenë një tregues i asaj që LSI-ja iu qëndron dhe iu përmbahet marrëveshjeve. Lidhur me kritikat tonë për qeverinë, mendoj se vetë slogani ynë i bërë publik kohë më parë, “Të ecim më shpejt” ishte një tregues i qartë i vlerësimit tonë për të gjithë situatën ku shprehet në mënyrë tepër të thjeshtë ajo se ky ritëm progresi është tepër i ngadaltë për të justifikuar ambiciet e vendit dhe kërkesat dhe pretendimet e qytetarëve tanë.
Z. Meta, fushata elektorale ju ka dhënë mundësinë që të testoni nga afër se çfarë mendojnë qytetarët, për qëndrimin tuaj katër vjet në qeveri, për daljen dhe për këtë angazhim të ri politik. A e keni të vështirë faktin që të ballafaqoheni drejtpërdrejt me njerëzit?
Për mua është gjithmonë kënaqësi të ballafaqohem drejtpërsëdrejti edhe kur mirëkuptimi nuk ndodh në takimin e parë, sepse do të ndodhë me takimin e dytë apo me të tretin. Natyrisht mendoj se gjithçka i nënshtrohet një analize dhe një logjike më gjakftohtë sesa emocionet e momentit kur dikush merr në jetë një vendim që nuk ka qenë i pritur deri në atë moment. Kështu që, tani të gjithë janë më të qartë dhe më të mirëkuptuar për të gjithë këtë proces dhe mendoj se e vlerësojnë rolin e LSI-së si një forcë që garanton stabilitet, por një stabilitet i cili forcohet duke sjellë ndryshime. Pra, jo thjesht duke ruajtur një status-quo.
Megjithatë ju e dini se ka njerëz që ngrenë supet dhe thonë, se ju ishit katër vite në qeveri, qeverisët dhe përsëri angazhoheni për të riqeverisur, me disa kabinete qeveritare keni qenë dhe me disa potencialisht do të jeni.
Unë mendoj se ka shumë njerëz të cilët janë shumë kritikë dhe natyrisht qe ne nuk pretendojmë as të fitojmë 99 për qind të votave dhe as 51 për qind të votave si Lëvizje Socialiste për Integrim. Por, unë besoj se pavarësisht nga interesat e ndryshme të cilat nxisin dhe kritika të ndryshme apo që vijnë nga këndvështrime të caktuara, mendoj se përgjithësisht qytetarët shqiptarë e vlerësojnë LSI-në si një forcë pa komplekse. Si një forcë të përgjegjshme. Si një forcë që ka treguar gjithmonë që është në krahun e integrimit evropian të vendit. Si një forcë e cila është gjithmonë e hapur, merr përgjegjësi, nuk ka frikë nga përgjegjësitë. Di të marrë edhe kosto, di edhe të reflektojë. Dhe është një forcë vazhdimisht në ripërtëritje, në ndryshim, në vetëpërmirësim. Kështu që, besoj se mbështetja që kemi dhe që ndiejmë çdo ditë është mjaft e mjaftueshme për të vazhduar në këtë rrugë.
Z. Meta, për efekt të fushatës elektorale, ashtu sikurse çdo opozitë, edhe juve në këtë moment ju takon të thoni se vendi është zhytur në krizë ekonomike, vendi nuk ecën, nuk përparon etj. Si mund ta lini veten jashtë përgjegjësisë kur LSI e ka drejtuar Ministrinë e Ekonomisë, madje edhe ju vetë keni qenë ministër i METE?
Së pari, nëse flasim përsa i takon politikave ekonomike, ato janë politika të qeverisë dhe në mënyrë të veçantë të kryeministrit. Së dyti, nuk është thjesht një çështje ministrie sepse politika ekonomike është një politikë fiskale, është pse jo një politikë për punësimin, është një politikë financiare dhe në këtë plan ne kemi vënë re dhe natyrisht që kemi shprehur gjithmonë ato pretendimet tona për një politikë ekonomike të karakterit populist dhe jo realist dhe objektiv. Ashtu sikurse në mënyrë të vazhdueshme ne kemi insistuar për realizimin e shumë elementëve të programit tonë, natyrisht aq sa kemi mundur sepse edhe përfaqësimi ynë në qeveri ka qenë modest për shkak se edhe përfaqësimi në Parlament ka qenë i tillë, pavarësisht se roli ka qenë i domosdoshëm për formimin e shumicës qeverisëse.
Ekonomia është një nga postet kyçe të çdo qeverie dhe edhe pse ju thoni se është përgjegjësi e kryeministrit dhe e qeverisë, nuk ka pasur ‘fërkime’ evidente midis jush dhe Partisë Demokratike dhe kryeministrit për çështje ekomomike, apo jo?
Nuk dëshiroj të hyj në çështje më konkrete por pa dyshim që ka pasur qëndrime të ndryshme, të cilat natyrisht nuk janë ekspozuar publikisht për arsye edhe të një etike kur je në një koalicion bashkëqeverisje por pa dyshim që ka pasur dallime të qarta në vlerësimet e situatës ekonomike si nga ana ime dhe përfaqësuesve të LSI-së, ashtu edhe nga e kryeministrit i cili gjithmonë e ka vlerësuar me superlativa kur situata faktikisht është mjaft kritike, po të kemi parasysh edhe raportin e fundit të BERZH-it, i cili vlerëson se në 3-mujorin e parë të këtij viti Shqipëria pati një rritje ekonomike vetëm prej 0.5 për qind, që do të thotë shumë pranë rënies në recension. Njëkohësisht probleme të tilla si mospagimi i borxheve të punëve publike të realizuara nga kompanitë e ndryshme apo mosrimbursimi i TVSH-së që është një detyrim tjetër i tatimeve dhe i shtetit ndaj kompanive dhe ndaj bizneseve. Ka qenë gjithnjë një problem që është diskutuar dhe që natyrisht që nuk është zgjidhur edhe sot e kësaj dite dhe që ka një impakt të drejtpërdrejt në të gjithë ekonominë e vendit dhe jo thjesht në këto biznese sepse ndikon kudo, tek shërbimet, tek tregtia, tek biznesi i vogël etj.
Le të flasim pak për shëndetësinë, ku për qytetarët është krijuar një opinion tepër negativ për këtë sektor dhe sipas tyre përgjegjësia bie me LSI-në për këtë gjendje, sepse ministër ka qenë gjithnjë një përfaqësues i LSI-së. Çfarë mund të na thoni në lidhje me këtë çështje?
Ne nuk i shmangemi asnjëherë përgjegjësive për asnjë sektor, por mund të them se problemi kryesor i shëndetësisë, e cila ka problemet e saj, e cila ka pasur edhe arritjet e saj, është mungesa e financimit të këtij sistemi, e cila është jashtëzakonisht e ulët, shumë më e ulët se në një vend fqinj siç është Maqedonia dhe që natyrisht ka qenë gjithmonë një çështje debati kur janë hartuar buxhetet edhe midis ministrave përkatës dhe Ministrisë së Financave dhe Qeverisë e kështu me radhë. Pra nuk mendoj se mund të evitohen këto përgjegjësi thjesht me këtë çështje. Por absolutisht që parametrat e financimit janë shumë të rëndësishëm për të garantuar të gjithë parametrat e tjerë të një shërbimi të standardeve sa më të larta.
Do të guxonte LSI që në rast të fitores së koalicionit të majtë të rimerrte përsëri Ministrinë e Shëndetësisë?
Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ka kompleks ta drejtoj sërish shëndetësinë, ajo ka kualitete të spikatur në këtë fushë. E theksoj edhe njëherë që kjo është një çështje që ka të bëjë me prioritetin që vetë qeveria i jep një sektori të caktuar dhe me prioritetin që vetë edhe kryeministri i jep një sektori të caktuar.
A e prisnit kryeministrin Berisha të reagonte në mënyrën se si ai reagoi kur ju deklaruat daljen nga koalicioni me të, kur ka folur për ngjalat, për karrigen e tij?
Tek çështje e ngjalave ka treguar një mungesë njohurish për çështjen e ngjalave sepse ngjalat nuk kanë hala. E ka ngatërruar me peshkun. Përsa i takon reagimit të tij, ky ishte një reagim i vonshëm sepse reagimi i parë i tij kur ne kemi bërë një bisedë në 1 Prillin e famshëm dhe unë i kam bërë pak a shumë të qartë pozicionin që do i duhej të zgjidhte LSI-ja. Qëndrimi i tij nuk mund të them se ka qenë jo mirëkuptues por pastaj, pas disa ditës jam i bindur në ndikimet e elementëve pak ekstremistë, z. Berisha inicioi ndërhyrjen në KQZ si një hakmarrje ndaj LSI-së por edhe si një tregues force që, ‘Unë e kontrolloj KQZ-në, unë bëj çfarë të dua. Nuk pyes për ligjin, nuk pyes për Kodin sepse kështu do të përmbys edhe atë rezultat që u krijua menjëherë bindja që e majta do të arrinte” dhe për të ardhur edhe këtu tek historia e karrigeve. Unë ndiem shumë komod si kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dhe sa i takon merakut të z. Berisha “që ai nuk do ta marrë karrigen time”, unë e kam dhënë kompromisin edhe për këtë çështje ashtu siç e dhashë edhe për çështjen e tre ligjeve që z. Berisha karrigen e kryeministrit ta marrë në shtëpi, ashtu siç e mori Lech Valesa. Ai e ka pasur idhull Lech Valesën, që në fillim të viteve ’90, dhe Lech Valesa kështu e bëri. Kur humbi si president me Vashnjevskin, karrigen e presidentit e mori në shtëpi. Kështu edhe ky mund të bëjë një zgjidhje ta marrë karrigen e kryeministrit, pasi është njerëzore, të rrish 8 vjet në një karrige, të firmosësh gjëra nga më të rëndësishme në jetën tënde. Mund ta marrë tek PD-ja ose në shtëpi. Kështu që mendoj se zgjidhet edhe problemi i karriges së Berishës dhe problemi i Shqipërisë që të ecë përpara.
A synoni ju karrigen e kreut të Partisë Socialiste?
Absolutisht nuk ekziston ky synim sepse unë kam themeluar një forcë politike si Lëvizja Socialiste për Integrim dhe shikoj kontributin tim në të ardhmen në funksion të kësaj force.
A funksionon sipas jush, miqësia midis udhëheqësve-politikanë sipas humorit të politikës apo ka edhe gjëra të tjera që lëvizin ? Dhe si funksionon ky lloj humori i marrëdhënieve ?
Unë gjithmonë i kam ruajtur marrëdhëniet personale, shoqërore me të gjithë, pavarësisht nga raportet politike, sepse raportet politike ndryshojnë dhe ne duhet të vijmë në këtë stad të zhvillimit dhe të emancipimit politik dhe shoqëror ku njerëzit duhet të ruajnë respektin për njëri-tjetrin pavarësisht nga pozicionet e ndryshme politike, sepse politika nuk ka përse ti ndajë njerëzit dhe t’i armiqësojë me njëri-tjetrin. Kështu që unë asnjëherë nuk kam pasur komplekse të tilla. Vendimet politike janë tjetër gjë, raportet personale, apo njohjet janë diçka tjetër.
Si ka ndikuar kthesa që mori LSI-ja në marrëdhënien e ngurtë që keni pasur me z. Lulzim Basha, kryetarin e Bashkisë së Tiranës?
Kemi pasur një raport shumë pozitiv dhe bashkëpunues. Por, natyrisht që pas 1 prillit secili vazhdon në pozicionin e tij. Megjithatë, unë mund them se në politikë bindjet janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. Ndërsa në raportet shoqërore, njerëzore, etika, respekti duhet të mbeten të pacenuara nga politika. Kjo varet edhe nga niveli, edhe nga shkalla e emancipimit të gjithsecilit.
Ju thoni duhet të mbeten për delikatesë apo që ka diçka që nuk janë të tilla?
Këto nuk janë shumë të rëndësishme për publikun, për qytetarët. Për qytetarët mendoj se është e rëndësishme gjithmonë që të shikojnë dy politikanë që janë kundërshtarë me njëri-tjetrin, ta respektojnë njëri-tjetrin sepse ky është një mesazh që u jepet edhe mbështetësve poshtë në terren sepse edhe në një familje dikush mbështet një parti të caktuar, dikush një tjetër dhe kjo është tregues i emancipimit dhe demokratizimit të shoqërisë sonë. Por, kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk duhet të kenë respekt në jetën e përditshme, të mos komunikohet, të mos bashkëpunojnë etj.
Z. Meta përse kërkoi opozita dhe përse insistuat që tre ligjet të hyjnë në fuqi jo në kohë zgjedhjesh por në 1 tetor me Parlamentin e ri, me qeverinë e re?
Kryesisht këtu nuk kuptohet se rregullorja do të hyjë me Parlamentin e ri se ky Parlament e përfundoi mandatin e tij. Por, shqetësimi kryesor kishte të bënte me ndryshimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, i cili konsiston në shtimin e disa vendeve të reja, si anëtarë të Gjykatës së Lartë në mënyrë që të kompozohet Kolegji Administrativ për të zbatuar ligjin për Gjykatën Administrative. Mendoj se ka qenë një shqetësim i drejtë i Partisë Socialiste, por gjithnjë edhe më shumë u bë edhe shqetësimi ynë duke vënë re disa emërime jo shumë të pavarura nga interesat politike dhe partiake të bëra kohët e fundit në Kuvendin e Shqipërisë për disa poste të rëndësishme në gjykatat më të larta të vendit. Shqetësimi ka qenë se në rast se këto do të hynin në fuqi menjëherë, duke qenë se Partia Demokratike ka ndikim të madh tek Presidenti i Republikës dhe duke qenë se kishte dhe një shumicë për momentin në Parlament, mund të plotësonte të gjitha vendet menjëherë me elementë të ngarkuar politikisht, gjë që në fakt do të krijonte probleme në vetë funksionimin dhe zbatimin edhe të këtij ligji për gjykatën administrative. Prandaj ne si LSI propozuam si kompromis që ligjet të votohet dhe të hyjnë në fuqi në Parlamentin e ri në respekt të demokracisë dhe demokracia pranon çdo mundësi edhe kur ajo është pothuajse zero. Në rast se Partia Demokratike do të fitonte zgjedhjet, e ka gati ligjin për ta zbatuar. Por, duke qenë se i fiton opozita atëherë kjo është përsëri pozitive për vendin, por në fund të fundit opozita përsëri do të bashkëpunojë me presidentin aktual edhe për zbatimin e këtij ligji. Ajo që ishte e domosdoshme ishte miratimi tani sepse në rast se kjo çështje e miratimit të tre ligjeve do të mbetej për 1 shtator apo në tetor ne do ta kishim ta pamundur që të arrinim brenda dhjetorit marrjen e statusit të vendit kandidat. Ky ka qenë edhe preokupimi ynë kryesor për arritjen e një kompromisi tani brenda këtij sesioni. Ndërsa kjo nuk do të thotë se me miratimin e tre ligjeve u garantua statusi, u garantua një kusht i paevitueshëm minimal. Duhet standardi i zgjedhjeve më 23 qershor. Dhe besojmë se vetë rrotacioni i sigurt që do të ndodhë, do të zbusë edhe disa probleme apo shqetësime si rasti i KQZ-së, apo çështje të tjera që kanë të bëjnë me cilësinë e zgjedhjeve.
A nuk mendoni se edhe ky është një rikorrigjim politik të pushtetit gjyqësor ? Dhe në këtë rast i bie që të mos jemi në rregull me ndarjen e pushteteve?
Jo, jemi plotësisht në rregull. Pse jemi në rregull? Natyrisht nuk po flasim për politikën daneze. Por, përsëri jemi në rregull sepse në rast do të kemi në konsideratë faktin që fitorja e opozitës, dhe mazhorancës së re në Parlament do të sjellë një bashkëpunim të paevietueshëm dhe të dobishëm midis kësaj mazhorance dhe presidentit aktual jam i bindur që kjo do të vetë sjellë një përzgjedhje jo thjesht më konsensuale të kandidatëve, të anëtarëve për në Gjykatën e Lartë por edhe më cilësore sepse jam i sigurt që kjo do të rrisë pushtetin e transparencës dhe disa kritere shumë më të drejta dhe më të plota do të vendosen dhe do të bëhen publike. Kjo natyrisht që garanton një integritet dhe një pavarësi sa më të madhe të anëtarëve të ardhshëm të Gjykatës së Lartë që do të zgjidhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Përderisa Kushtetuta këtë të drejtë ia jep Presidentit dhe Parlamentit nuk ka një rrugë jashtë sistemit politik të vendit. Por, natyrisht që kur një vlerësim dhe një përzgjedhje bëhet si të thuash brenda një krahu të caktuar politik i cili për momentin kontrollon institucionet kryesore të vendit dhe kur kjo bëhet midis dy krahëve politikë ka një dallim thelbësor, që besoj do të ndikojë edhe në cilësinë e elementëve që do të përzgjidhen.
Kjo domethënë është ajo që ndan faktin që nuk jemi në Danimarkë por në Shqipëri?
Vërtet jemi në Shqipëri, por absolutisht që në këtë rast mendoj se ka një dallim thelbësor nga rasti tjetër, ku këto zgjidhje, këto propozime bëhen në një rrafsh shumë më të mbyllur.
Si e gjykoni faktin që në dyert e selisë së partisë suaj vijnë shumë njerëz për t’ju takuar ndoshta për të zgjidhur problemet e tyre, por a nuk mendoni se problemet zgjidhen në zyrat e shtetit dhe jo tek ato të partive?
Ju këtë e keni nga konstatimi juaj, që shikoni njerëz tek selia e LSI-së. Unë mund t’ju them se është një seli plot jetë, nga mëngjesi deri në darkë vonë dhe në mënyrë të veçantë 90 për qind e atyre që hyjnë dhe dalin tek selia e LSI-së janë mosha nga 17 deri në 23-24 vjeç. Pra, janë gjimnazistë të Tiranës, studentë, të rinj dhe të reja të cilët vijnë takohen me njëri-tjetrin, bëjnë aktivitete të ndryshme. Natyrisht që edhe çdo qytetar që ka dëshirë të takohet apo kontaktojë drejtues të caktuar të LSI-së pasi unë pjesën më të madhe të kohës jam gjithmonë në lëvizje, në terren, në rrethe, në aktivitete.
E kisha fjalën më shumë edhe për njerëz në moshë...
Po sigurisht edhe njerëzit në moshë janë të mirëpritur. Nuk përjashtojmë askënd që të jetë pjesë e LSI-së, që të kontribuojë, që të trokasë tek LSI-ja, të ndihet i respektuar. Fakti që njerëzit vijnë do të thotë që edhe dëgjohen.
Nëse fiton koalicioni i majtë në këto zgjedhje, sa ministra do të ketë LSI-ja në kabinetin e ri qeveritar, më shumë, më pak apo aq sa kishte në qeverinë e katër viteve të kaluara?
Kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Duhet të vlerësoj që ne në radhë të parë do të respektojmë dhe vlerësojmë votën që do të japin qytetarët shqiptarë për koalicionin tonë, por edhe për forcën tonë politike. Sfidat më të mëdha edhe për LSI-në nuk kanë të bëjnë thjesht me detyra apo funksione të përfaqësimit që do të ketë në këto nivele, sepse ato do të kenë respekt të tyre përfaqësimin e votës së qytetarëve shqiptarë për të gjitha partitë e koalicionit por me zgjidhjen e problemeve më të mprehta, më të rëndësishme dhe më strategjike sepse nga mënyra se si do të adresohen këto ccështje do të varet shumë suksesi i qeverisë së ardhshme dhe realizimi i objektivave të saj. Kjo është më e rëndësishmja për të gjithë qytetarët shqiptarë por edhe për votuesit e saj.
Ka në shtyp të publikuar një mesazh të Ramës dërguar njerëzve, në të cilin ai zbulon një sondazh të brendshëm të PS. Nuk besoj se nuk ju ka bërë përshtypje, madje dhe ju ka shqetësuar. Sipas sondazhit rezulton se PS merr 18 vende, 13 i merr PD dhe 1 FRD. Ndërsa LSI asnjë vend. Ju ishit në dijeni të këtij mesazhi dhe si e pritët?
Nuk i kam kushtuar asnjë rëndësi, as lajmit, as mesazhit, as identifikimit, për arsyen e thjeshtë, sepse ne kemi sondazhet tona, më të mira që bëhen në Shqipëri, nga një prej ekspertëve më të mirë në botë. Dhe e dimë shumë mirë se ku jemi ne dhe se ku janë të tjetër. Dhe qetësia jonë gjithë këtë fushatë tregon pikërisht atë siguri që vjen nga puna e madhe që është bërë dhe që do të sjellë një sukses të jashtëzakonshëm të LSI-së.
Mund të na thoni ndonjë gjë nga sondazhet tuaja?
Sondazhet tona tregojnë se LSI-ja, në të gjitha drejtimet, do të jetë një parti me tregues 2 shifror në zgjedhjet e 23 qershorit. Këtë do ta shikoni dhe do të më ftoni prapë pas zgjedhjeve.
Çështja e këtij sondazhi nuk duhet anashkaluar. Ka ndonjë domethënie. A e dinit ju këtë mesazhin e Ramës. Kishit biseduar, a ka një domethënie tjetër. Sepse kur e sheh me syrin e parë, ky mesazh ju dëmton ju si LSI...?
Nuk ekziston asnjë dëmtim ndaj LSI nga çdolloj mesazhi, dhe nga çdo lloj sondazhi që mund të porositet. Sepse unë thashë se ne kemi sondazhe nga më të mirat. Janë të shumtë ata që e dinë këtë gjë. Por nuk ka asnjë interes të publikohet sepse njerëzit realisht nuk ndikohen nga këto sondazhe. Madje as nga deklaratat që ne bëjmë. Ata janë tepër momentale dhe kalimtare. Mendoj se ndikimi i madh vjen nga mesazhi që një parti apo një lider përcjell dhe lë në mënyrë të qëndrueshme tek votuesi. Dhe në këtë drejtim mendoj se marrja me një detaj të tillë është një humbje kohe dhe unë kam komunikuar me zotin Rama gjatë këtyre ditëve për çështje të ndryshme, por nuk e kam menduar të komunikoj për një gjë të tillë. Çështje të tilla për mua janë të parëndësishme.
Ju keni ndërmend të dërgoni mesazhe siç kanë dërguar zoti Rama, apo kryeministri Berisha për publikun e gjerë, apo keni ndonjë metodë tjetër?
Ma kanë sugjeruar por unë mendoj se një mesazh mund t’i shqetësojë, jo vetëm qytetarët që janë të lëkundur apo ata që nuk janë pranë LSI, por edhe ata që janë anëtarë apo simpantizantë të LSI-së, nuk më duket diçka e dobishme. Më duket sikur u cenoj atyre privatësinë e tyre. Celulari është një raport mes një familjari, shoqërisë dhe jo politik.
Të flasim pak për Kosovën zoti Meta. Shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë dhe të Maqedonisë janë afruar shumë vitet e fundit. Kritikët thonë se është bërë pak, duke e krahasuar me potencialin që kemi për afrimin dhe integrimin e popullsisë shqiptare në rajon. Çfarë mendoni, çfarë po ndodh në rrugën e afrimit të mëtejshëm të shqiptarëve në këto tre shtete?
Unë nuk mendoj se është bërë pak në këto drejtim. Ka një komunikim shumë interaktiv dhe të dobishëm, pasi asnjë diskutim ka një evolucion infrastrukturor, dhe është shumë e rëndësishme që të përfundojë rruga e Arbrit për të lidhur më shumë Shqipërinë me Maqedoninë dhe padyshim asnjëherë Tirana, Shkupi dhe Prishtinën nuk janë ndjerë asnjëherë më pranë njëri tjetrit në histori. Dhe ky është një proces që do të vazhdojë.
Pavarësisht shumë marrëveshjeve që janë nënshkruar sërish ndodhin incidente të tilla si ai i tarifave doganore, episode të tilla si ai i patateve apo i çimentos. Çfarë janë këto, a nuk mund të kapërcehen këto?
Këto janë vendime mendoj të nxituara, veprime të tilla që janë kontestuar. Por nuk është një raport Kosovë Shqipëri. Mund të jenë raporte interesash jo mirë të konsultuara. Është mirë që në të tilla raste të ketë një rakordim midis dy qeverive, midis institucioneve respektove, në mënyrë që në të na ndihmojnë. Mbetet gjithmonë vend për bisedime më të efektshme më aktive, për bashkëpunim më të gjithanshëm.
Është duke ndodhur aktualisht një proces hetimi ndaj ish drejtuesve të UCK. Çfarë mendoni, çfarë po ndodh në këtë aspekt?
Mbase po teprohet shumë, sepse u bë kaq kohë sepse nga viti 1999 dhe deri tani, pra u bënë 14 vjet, proces pas procesesh. Rasti Haradinaj, ishte një rast ekzemplar, sesi bëhet një investim i jashtëzakonshëm për denigruar një emblemë të UCK së Kosovës dhe përsëri ai fitoi pafajësinë, pavarësisht se ky proces zgjati për vite të tëra. Mendoj se kjo është një histori që duhet të mbyllet. Mendoj se është një kapitull që nuk i shërben askujt, përveçse interesave të caktuara politike, pasi ka njerëz dhe struktura të tilla që paguajnë për të mbajtur hapur procese të tilla.
Zoti Meta marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradin e kanë vlerësuar shumë përveç lëvizjes Vetëvendosja. Ju personalisht jeni nga ata që keni mbajtur hapur urat e komunikimit me Beogradin që në vitin 2000 kur ishte tabu përmendja e serbëve dhe e Beogradit. A besoni vërtetë se shqiptarët dhe serbët do të normalizojnë marrëdhëniet?
Nëse nuk do të kishte ndodhur vrasja tragjike e ish kryeministrit Zoran Xhinxhiç jam plotësisht i bindur se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë do ishin po aq të mira siç janë ato mes Shqipërisë dhe Malit të ZI. Po kështu edhe marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës do të ishin në një fazë shumë më të stabilizuar dhe të dyja vendet do të ishin shumë më pranë BE dhe situata në rajon do të ishte krejt ndryshe. Por vrasja tragjike që ndodhi 10 vjet më parë mendoj se ngadalësoi shumë ritmin ndryshimeve në këtë pjesë të Ballkanit. Futi politikën serbe në një rreth vicioz dhe sigurisht marrëveshja është për t’u përshëndetur, por është më shumë produkt i një imponimi ndërkombëtar se sa i rrethanave të brendshme të favorshme në Serbi, të një lidershipi që ka një bindje apo një angazhim të vendosur për të ecur në rrugën e njohjes së Kosovës së pavarur dhe ët forcimit të bashkëpunimit si një domosdoshmëri për vetë integrimin e Serbisë në BE por i dhe për të ndihmuar serbët e Kosovës për të jetuar në një vend, jo për të qenë gjithmonë problem midis Serbisë dhe Kosovës. Kështu që për momentin mund të them se nuk kam atë frymëzim aq të madh saç e kisha 13 vjet më parë kur u takova atëherë si kryeministër me kryeministrin Xhinxhiq dhe thamë se e ardhmja është bashkëpunimi, pasi ky është në interesin e Serbisë, Kosovës, rajonit dhe BE-së. Nuk jam i sigurt për ritmin e këtij progres, por mbështes plotësisht këtë marrëveshje dhe këtë bashkëpunim dhe kushdo që është kundër këtij kompromisi kërkon të rikthehet e kaluara e konflikteve dhe e përgjakjeve midis shqiptarëve dhe serbëve. Një kapitull që duhet të qëndrojë i mbyllur përgjithmonë.
Është fakt i njohur se zoti Berisha ka një mbështetje të gjerë në Kosovë. Në rast se fiton koalicioni i majtë si do të ndikojë kjo në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë?
Mendoj se është më shumë një përpjekje e vetë Berishës për të paraqitur një përkrahje të jashtëzakonshme që ekziston në Kosovë për të. Mendoj se përkrahja është shumë e balancuar dhe se Kosova në të gjitha kohërat tek kryeministri i Shqipërisë, te Presidenti, nuk shikon thjeshtë individin por shikon vetë Shqipërinë dhe rolin e saj. Kështu që përpjekjet për të personalizuar raportet janë të parëndësishme dhe kalimtare dhe se nuk duhet të harrojmë se ishte qeveria socialiste që mbajti peshën kryesore gjatë krizës së Kosovës, gjatë luftës së Kosovës, gjatë përballimit të jashtëzakonshëm të menaxhimit të një krize humanitare të përmasave të jashtëzakonshme. Absolutisht që këto raporte jo vetëm që nuk janë harruar, por mendoj se janë do të ripërtërihen në një mënyrë shumë realiste dhe me funksion të objektivave të përbashkëta të Shqipërisë dhe Kosovës, jo thjeshtë sa i takon çështjeve të integrimit, por edhe një bashkëpunimi ekomomik më komplementar, se në fund të fundit mos të harrojmë se qeveria aktuale dhe kryeministri aktual, ka penguar pa shkaqe të forta një projekt shumë të rëndësishëm, atë të integrimit energjetik midis dy vendeve, ndërkohë që qëndrimi i ministrave të METE ka qenë tepër mbështetës për avancimin e këtij projekti që financohet nga qeveria gjermane. Nuk mund të akuzoj që kjo gjë është bërë me qëllim, por absolutisht që avancimi i këtyre projekteve konkrete është ajo që do të fuqizojë ekonomitë tona, do t’i bëjë ato komplementare dhe do të arrijmë të maksimizojmë këtë mirëmenaxhim të resurseve të përbashkëta të Shqipërisë dhe të Kosovës. Mendoj se këtu ka shumë për të bërë dhe ka shumë për të përfituar të gjithë së bashku.
Si e shihni zhvillimin e fundit mbi deklaratat e ambasadorit të SHBA-ve Arvizu dhe z. Moore? Këto dy deklarata nuk kanë qenë të njëjta kritike për qeverinë.
Së pari duhet të kemi parasysh që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kudo qoftë në botë dhe kuptohet edhe në Shqipëri, është përfaqësues i drejtpërdrejtë përveç i Departamentit të Shtetit dhe i shtetit amerikan, në radhë të parë i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra ambasadori ka një rol tepër të rëndësishëm dhe tepër përfaqësues për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për debatet të cilat ne i kemi vënë re, unë dua të bëj një vlerësimin tim për ambasadorin Arvizu, i cili mendoj se në tërësi gjatë këtij aktiviteti tre vjeçar, ka qenë vlerësoj i balancuar, dhe vazhdimisht ka shprehur mendime apo qëndrime të ndryshme, që një herë mund të jenë paraqitur nga njëra palë si në përkrahje të saj dhe si kritikë ndaj palës tjetër, dhe herës tjetër e kundërta. Por në tërësinë e tyre ato kanë qenë të balancuara dhe kanë shprehur shqetësimet e caktuara që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë pasur për probleme të qeverisjes, apo probleme të demokracisë, apo për probleme të korrupsionit, funksionimit të institucioneve, apo probleme të rolit të opozitës që mund të ishte më bashkëpunues, mund të ishte më konstruktiv. Unë e shikoj në tërësinë e vet rolin e tij aktiv dhe të balancuar dhe që mbart shqetësimet më kryesore të SHBA-ve, të cilat nuk synojnë të dëmtojnë qeverinë aktuale apo të favorizojnë opozitën. Ata synojnë të evitojnë apo të parandalojnë probleme që mund të krijojnë një kosto për Shqipërinë por jo vetëm, edhe për SHBA-të si mbështetësi kryesor i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe një nga mbështetësit kryesorë të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Nuk duhet të harrojmë që integrimi evropian i Shqipërisë është një prioritet kryesor i vetë SHBA-ve.
Qëndrimi i z. Moore u duk sikur ishte një larje duarsh, si një “ju bëni ç’të doni, ne po rrimë”. Jo si mendoni?
Absolutisht që SHBA-të nuk mund të rrinë dhe nuk do të rrinë si spektatorë, pavarësisht se nuk mund të zëvendësojnë rolin dhe vullnetin që duhet të tregojnë qytetarët shqiptarë dhe respektin qytetarët tanë duhet ta tregojnë në radhë të parë për veten e tyre, duke marrë pjesë më këto zgjedhje dhe duke u shprehur për të ardhmen e tyre. Fakti që misioni i vëzhguesve të ODIHR-it do të përbëhet prej më shumë se 400 vëzhgues është tregues më se i qartë i një alarmi ndërkombëtar për të marrë masa të forta për një monitorim masiv e të rreptë të këtyre zgjedhjeve për të parandaluar çdo cenim të standardeve të tyre. Kjo sepse për SHBA-të perspektiva e Shqipërisë dhe kredibiliteti i saj janë shumë të rëndësishme. Në momentin që vihet në pikëpyetje kredibiliteti i Shqipërisë dhe që dështon si një vend demokratik absolutisht që SHBA-të marrin një kosto sepse kanë qenë mbështetëset kryesore të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Angazhimi i tyre është më se i kuptueshëm dhe i natyrshëm. Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm për SHBA-të në Ballkan dhe ata duan që Shqipëria të jetë edhe një shembull pozitiv demokratik për të gjithë shqiptarët por edhe për vendet e tjera të rajonit. Një dështim i zgjedhjeve dhe i demokracisë në Shqipëri do të ishte edhe një humbje e tyre. unë e shikoj angazhimin e tyre tepër normal.
Sipas opozitës qeveria shfrytëzon fondet publike për kompaninë lotuese “Podesta” për të lobuar për PD-në. Keni ndonjë koment në lidhje me këtë?
Ky është një shqetësim shumë i drejtë sepse janë bërë fakte publike të komunikimit të këtij grupi me median ndërkombëtare apo edhe me institucione ndërkombëtare dhe kemi një dizinformim për llogari të PD-së sikurse është rasti i ndryshimit të ndodhur në KQZ-së apo paralajmërimet për gjoja turbullira në Tiranë, për fishekzjarrë e kështu me radhe. Këtu kemi një shkelje të ligjit tonë dhe të ligjit amerikan sepse ka kontratë qeveria shqiptare me këtë grup por kjo kontratë është për interes kombëtar, për promovimin e Shqipërisë. Nuk është për të financuar me pagat e taksapaguesve shqiptarë për interesa politike dhe partiake. Dhe kjo është mjaft e gabuar dhe natyrisht që kjo tregon dhe një shqetësim të qeverisë e cila mendon se me lëvizje të tilla, me grupime të tilla do të arrijë të sfumojë sa të jetë e mundur qëndrimet parimore të SHBA për shqetësimet që ata kanë me problemet me të cilat ndeshet Shqipëria.
Z. Meta në këtë moment, duket se qeveria shqiptare ka pasur një oportunitet të mirë në raport me qeverinë amerikane për faktin që ka pranuar që në Shqipëri të strehohen një grup të militantëve muxhahedin, mendoni se ka rol në qëndrimin amerikan ky zhvillim?
Nuk mendoj se SHBA-të, për shkak të një bashkëpunimi të tillë që unë e konsideroj normal, përderisa ka qenë një kërkesë dhe e vetë SHBA-ve, do të mbyllnin sytë dhe do të toleronin standardin e zgjedhjeve në Shqipëri apo probleme të rëndësishme të demokracisë në Shqipëri. Nuk e përjashtoj prapavijën e një gatishmërie nga ana e qeverisë aktuale pikërisht në funksion të një iluzioni se kjo gatishmëri do ndihmojë të zbehet kritikat e SHBA-ve për problemet që ka Shqipëria, që ka demokracia jonë, që ka qeverisja e vendit tonë. Do të ishte naivitet mendoj kjo gjë. E theksoj dhe njëherë, interesat e SHBA-ve janë mjaft të rëndësishme në Shqipëri sepse janë mjaft të rëndësishme në rajon, dhe ato duan që stabiliteti në Shqipëri të forcohet dhe e dinë shumë mirë që forcohet vetëm duke përparuar demokracia dhe zgjedhjet e lira.
(m.a/BalkanWeb)