Rama: Zgjedhjet na u vodhën, dua mandat katërvjeçar
Edi Rama kërkon një mandat katërvjeçar në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste. Në rreth 60 minuta kandidati kryesor për drejtimin e selisë rozë i kushtoi një rëndësi të madhe manipulimit të procesit zgjedhor, të orkestruar sipas tij nga kryeministri Berisha. Por në të njëjtën kohë ai sulmoi ashpër edhe kundërshtarët brenda PS-së, për të cilët tha se donin të imponoheshin pa u votuar. Gazeta boton sot me shkurtime fjalimin e Ramës në kongresin e PS-së.
Edi Rama
Këtë ditë do ta kishim dashur ndryshe. Do të na kishte pëlqyer që sot të mblidheshim për të festuar fitoren, kënduar dhe filluar rrugën e re të ndryshimit rrënjësor të politikës së re në qeverisje. Shqipërisë i duhej ndryshimi i fletës së historisë. Shqiptarët e shqiptaret u derdhën si asnjëherë në sheshet tona të betejës elektorale. Dhe na votuan, masivisht, duke na rikthyer forcë të parë politike në vend. Por nuk mjaftoi. Historia u përsërit, tamam ashti siç i trembeshin shumë ndër ju, shumë ndër njerëzit e këtij vendi, anembanë Shqipërisë. Të cilët vijimësisht na thoshin të gjithëve, “Votat tona janë për ju, po Berisha do t’i vjedhë!...” E vërtetë e hidhur. Sali Berisha i grabiti votat e nevojshme për të ricikluar, zvarrë-zvarrë dhe në fund fare vetëm e vetëm falë bashkëpunimit me Ilir Metën pushtetin e tij të korruptuar e korruptues. Ne, Partia Socialiste e Shqipërisë e fituam garën me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike. Megjithë krimin elektoral kryeministri i fundit komunist i këtij vendi nuk e nxori dot të parën partinë e tij. Ne dolëm partia e parë në një betejë tërësisht të pabarabartë jo të lirë dhe jo të ndershme.
Por prapëseprapë u mundëm. U mundëm jo nga forca politike e kundërshtarit, po nga shteti i transformuar në një makinë kriminale elektorale. E cila i shërbeu koalicionit të forcave të pushtetit me të gjithë fuqinë e abuzimit, në thyerje flagrante të Kushtetutës e të ligjeve të vendit, para, gjatë dhe pas procesit elektoral. Vazhdon t’i shërbejë dhe sot, duke dhunuar të drejta e liri njerëzish në sipërmarrjet private a vendet e tyre të punës në shtet. Kjo makinë e ushqyer me urrejtjen e politikës së vjetër e me frikën e këtij pushteti të vjedhur për të ardhmen e vet, bën çdo ditë goditje e spastrime që prekin, dëmtojnë, rrënojnë jetë normale qytetarësh opozitarë përmes presionesh, gjobash apo largimesh nga puna. Megjithatë, ata nuk i morën dot votat e shumicës së popullit. Shumica e zgjedhësve shqiptar të 28 qershorit, populli opozitar i Shqipërisë, votoi për largimin e Sali Berishës nga pushteti. Dhe megjithë deformimin e rëndë të procesit e të rezultatit në favor të tij, Sali Berisha nuk do të bëhej dot më kurrë kryeministër sikur Ilir Meta të mos bënte horrllëkun që ne e paralajmëruam kohë më parë. Lejomëni pra, të ndaj me ju shkoqur qysh në fillim bindjen time se në 28 qershor Shqipëria kërkoi ndryshimin. Ky ndryshim, ndryshimi që ne u ofruam shqiptarëve përmes projektit tonë të ri politik, nuk u refuzua me votën e lirë të qytetarëve, por u ndalua përkohësisht, përmes shpërdorimit kriminal të fuqisë së shtetit për mbajtjen me çdo mjet të pushtetit. Sikur të dyshoja qoftë edhe një fije në këtë të vërtetë, dhe të mos e kisha këtë bindje të plotë, nuk do të isha sot këtu, për t’ju kërkuar të pranoni kandidaturën time për të udhëhequr Partinë Socialiste të Shqipërisë. Për të rifilluar me një vendosmëri të re luftën ndaj së vjetrës në pushtet e në politikë dhe çuar përpara një mision historik. Për të punuar e sakrifikuar edhe më shumë në krye të kësaj partie në këto kohë të zymta për demokracinë e për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Për të shkuar drejt fitores së domosdoshme, e cila i duhet në radhë të parë Shqipërisë. Sot më shumë se kurrë.
***
Nuk kam folur. Kam dëgjuar. Dhe kam parë në këta muaj të pështjelluar hendekun e madh mes së vërtetës shqiptare e gënjeshtrës zyrtare të 28 qershorit. Kjo gënjeshtër është e shtrirë gjerë e gjatë në ekrane e gazeta, ku për javë të tëra nuk flitet thuajse asfare për krimin mafioz ndaj procesit zgjedhor, po vetëm për një nen të statutit të Partisë Socialiste; Ku nuk merret kush me të drejtën e shkelur të popullit Sovran për të zgjedhur lirisht parlamentin e qeverinë e tij, po kush nuk merret me të drejtën time për të rikandiduar për kreun e PS-së; ku një pakicë e vogël brenda nesh kërkon të dëgjohet pa dashur të dëgjojë, kërkon të imponohet pa pranuar të votohet, kërkon drejtimin dhe ndryshimin e kursit të partisë pa kursyer sulme dhe akuza e madje fyerje publike në emër të lirisë, por njëkohësisht pa i njohur shumicës në parti asnjë lloj lirie, që të vendosë në emër të parimit më elementar të demokracisë. Unë nuk jam këtu që t’i përgjigjem baltës me baltë e mllefit me mllef. Nuk e kam bërë me kundërshtarët që s’kanë lënë gjë pa bërë e thënë ndaj meje e ndaj të gjallëve e të vdekurve të familjes sime. Nuk mund ta bëj kurrsesi, as sot dhe asnjëherë, me njerëz të kësaj partie. Të cilëve u kujtoj sot përzemërsisht një fjalë të mençur: Abuzimi më i madh me lirinë është ta shpërdorosh duke u ankuar se të mungon liria. Nuk jam këtu as për të mbrojtur veten, sepse asnjë interes i imi që nuk është dhe i të gjithëve ju nuk më ka nxjerrë sot këtu përpara dhe nuk mjafton për të më mbajtur në këtë betejë, ku s’kam kursyer asgjë nga vetja në katër vjet të vështira e ku s’mund të kursej asnjëherë zemrën, mendjen e kohën time.
***
Unë jam sot këtu për të mbrojtur të vërtetën shqiptare të 28 qershorit. Të vërtetën siç e kam parë në Shqipërinë e marrë peng prej një pushteti të bërë njësh me shtetin dhe siç e kam dëgjuar anembanë një Shqipërie, ku rezultati i 28 qershorit u përmbys me fuqinë abuzive të një makine kriminale elektorale shtet-pushtet. E cila i nxori zgjedhjet jashtë standardeve demokratike dhe e riktheu vendin mbrapsht në udhëkryqin e madh të demokracisë së kërcënuar në funksionet me jetike të saj. Dua të luftoj për të mbrojtur vetë projektin e ri të kësaj partie dhe për ta çuar atë përpara, duke u përpjekur edhe më shumë për forcimin e zgjerimin e Bashkimit të Ri përtej kufijve të partive, ku do t’i japim jetë një forme të re bashkëpunimi me të gjitha partitë e qytetarët në opozitë me Sali Berishën, Ilir Metën e Fatos Nanon. Padyshim përtej të majtës e të djathtës, madje sot më shumë se kurrë. Sot më shumë se kurrë ajo që na ndan me kundërshtarët tanë nuk është kufiri ideologjik që ndan të majtën nga e djathta, po kufiri që ndan forcat demokratike e sociale nga një pushtet i korruptuar e korruptues, që ideologji të vetme ka plaçkitjen e vendit përmes kapjes së shtetit. Unë jam sot këtu për të folur, sepse Partia Socialiste e Shqipërisë nuk mund t’i falë zgjedhjet e 28 qershorit. Po i falëm këto zgjedhje, ne kemi dorëzuar në duart e Sali Berishës e të një pushteti të zhytur në korrupsion e horrllëk vetë liritë e të drejtat e njerëzve që votuan në shumicë largimin e Sali Berishës. Që nuk do të ndalet më përpara asgjëje dhe do ta kthejë përfundimisht qeverisjen në një ushtrim ekskluziv për të ricikluar e pasuruar pa limit vetveten. Po i falëm këto zgjedhje, ne kemi falur edhe zgjedhjet që vijnë e ato më pas tyre dhe të tjerat akoma, sepse makineria elektorale shtet-pushtet e cila këtë herë, falë votës së madhe popullore që ne patëm, megjithëse prodhoi një deformim të rëndë nuk arriti të nxjerrë rezultatet e parafabrikuara të sondazheve të turpit zgjedhor, herën tjetër do t’ia dalë shumë më mirë në qëllimin e saj të mbrapshtë. Qoftë edhe vetëm sepse shumë ndër ata që në 28 qershor na e besuan votën, do të humbasin besimin se ne dimë të reagojmë kur ajo preket. Po i falëm këto zgjedhje, ne e kemi bërë Partinë Socialiste kurban për dasmën e shpifur të Sali Berishës me Ilir Metën, të cilët bashkë me Fatos Nanon, duan ta kthejnë politikën e këtij vendi në një rreth të mbyllur interesash që s’kanë të bëjnë asgjëkundi me interesat e qytetarëve dhe prandaj kërkojnë me çdo kusht kthimin e Partisë Socialiste në një vathë të kontrolluar prej tyre. Po i falëm këto zgjedhje kemi zhbërë vetë arsyen pse jemi bashkë, ndërkohë që ne duhet të jemi bashkë jo për të menduar të gjithë njësoj, po për të ecur të gjithë në të njëjtin drejtim, të kundërt me interesat e Sali Berishës, Ilir Metës e Fatos Nanos dhe të njëjtë me interesat e Shqipërisë, të popullit opozitar e të Partisë Socialiste. Sot më shumë se kurrë.
***
Unë e kam propozuar vendosjen në statutin tonë të nenit që parasheh ndërprerjen e mandatit dhe dorëheqjen e kryetarit të partisë, kur partia humbet zgjedhjet e përgjithshme. Pa asnjë dyshim në kushte normale ky nen i propozuar prej meje nuk nënkupton rikandidimin e kryetarit, po zgjedhje të reja në parti me kandidatë të rinj për kryetarë të saj. Kjo është ajo që kam besuar dhe besoj pavarësisht se këtë nen nuk e ka asnjë parti demokratike e majtë apo e djathtë në Evropë. Dhe arsyeja pse unë sot jam vënë në dispozicionin tuaj për ta udhëhequr Partinë Socialiste në katër vitet e ardhshme, nuk është aspak në kundërshti me atë çka besoj lidhur me nenin e shumëpërfolur të statutit. Nuk besoj njëkohësisht në dy gjëra të kundërta e aq më pak nuk kam dy standarde, aspak, por e vërteta shqiptare e 28 qershorit më thotë se s’ka asnjë lidhje humbja e zgjedhjeve të përgjithshme në kushte normaliteti demokratik me mosardhjen në pushtet pikërisht për shkak së mungesës së standardeve demokratike. Nuk ka humbur në një votim të lirë e të ndershëm të popullit shqiptar projekti politik që unë udhëhoqa, po është mundur në një përplasje krejt të pabarabartë me pushtetin e shtetin bashkë forca jonë politike. Kjo e vërtetë e bën rikandidimin tim në këto kushte jo një opsion të diskutueshëm, po një detyrim të padiskutueshëm. Mandati im është ndërprerë dhe dorëheqja ime ka ndodhur automatikisht. S’kam dashur për asnjë moment që të dëgjoj zëra dashamirësish të pranishëm në këtë kongres, mes të cilëve figura të nderuara publike të kësaj partie, që njësoj si unë mendojnë se zgjedhjet janë grabitur nga makineria shtet–pushtet dhe jo fituar nga Sali Berisha, por ndryshe nga unë kanë paraparë dhe rrugë krejt të thjeshta rikonfirmimi të lidershipit. Që nga heqja e nenit përkatës me votim kongresi, sepse nuk e ka asnjë parti në Evropë, tek votëbesimi pa garë në anëtarësi, pikërisht sepse zgjedhjet e 28 qershorit nuk ishin zgjedhje po vjedhje. Ndërsa për mua ka qenë krejt e qartë qysh në fillim: Përderisa ka në këtë parti njerëz që nuk e shohin krimin elektoral, që mendojnë se zgjedhjet e organizuara nga Sali Berisha u përputhën me standardet e nevojshme demokratike të lirisë e të ndershmërisë në dhënien e votës e në numërimin e saj, që kanë bindjen se rotacionin demokratik në Shqipëri e ka ndaluar vota e shqiptarëve kundër politikës së re për ndryshimin dhe jo makineria shtet-pushtet e krimit elektoral, atëherë me patjetër duhet të ketë zgjedhje të reja brenda Partisë Socialiste dhe votim në anëtarësi me parimin një anëtar një votë. I takon anëtarësisë së partisë të thotë në këto kushte fjalën e fundit për lidershipin e për projektin politik të Partisë Socialiste. Sepse, natyrisht, tjetër projekt e tjetër lloj opozite ka në kushtet kur i njeh zgjedhjet e Sali Berishës si të lira e të ndershme dhe Parlamentin e Qeverinë e dalë prej tyre si produkte të vullnetit sovran të popullit dhe, pa asnjë pikë dyshimi, tjetër projekt e krejt tjetër lloj opozite do të ketë në rast se shumica e kësaj familjeje ka bindjen se rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit ishte i deformuar nga një krim elektoral. Si i tillë është edhe i papranueshëm për popullin opozitar që ne përfaqësojmë.
***
Atyre që kërkojnë fakte e thonë s’kemi fakte për këtë krim u them se jo vetëm unë, po të gjithë ata opozitarë që e kanë jetuar procesin zgjedhor para, gjatë e pas 28 qershorit dhe që nuk janë sot më të interesuar për fatin e punëve të brendshme të Partisë Socialiste se sa për fatin e demokracisë në Shqipëri, nuk mund ta pranojnë kurën e kurës se këto janë standardet e lirisë e të ndershmërisë së zgjedhjeve që përcaktojnë se kush do t’i bëjë ligjet e kush do ta qeverisë këtë vend në mes të Evropës në shekullin e XXI. Në asnjë mënyrë jo. Në asnjë mënyrë populli opozitar i këtij vendi nuk mund t’i njohë si standarde të lirisë së tij për të zgjedhur dhe të ndershmërisë për të numëruar votat e veta, standardet e kësaj maskarade zgjedhore. Partia Socialiste sot më shumë se kurrë jo. E di, jo për të gjithë, edhe në këtë sallë, këto quhen fakte të krimit zgjedhor, madje janë parregullsi të zakonshme shqiptare. Por kjo jo vetëm nuk është e vërtetë, po edhe sikur të qe e vërtetë, do të mbetej prapëseprapë e papranueshme. Sepse ne nuk e dhamë konsensusin për reformat që na futën në NATO në vitin 2009, që pastaj dy muaj më vonë të kishim dhe të pranonim zgjedhje jo si në NATO, po si një vend që është një shëmbëlltyrë e keqe e atyre republikave ish-sovjetike ku ka gjithnjë e më pak fakte, sepse krimi zgjedhor është kthyer në normalitet zgjedhor dhe qëndrimi i opozitës gjithmonë në opozitë është bërë një normalitet “demokratik”.
***
Si një qytetar i popullit opozitar anëtar i kësaj familjeje të madhe politike dhe kryetar ose jo i saj në vijim unë nuk i fal dot zgjedhjet e 28 qershorit, duke lejuar që kutitë e pahapura të kalben në terrin e arbitraritetit shtetëror pa i bërë bashkë me të gjithë ata që mendojnë njësoj si unë, të gjitha përpjekjet që ky aspekt flagrant i krimit elektoral të mos mbetet pa u zhbërë. Takova përpara disa ditësh një qytetar të rrethinave të këtij qyteti, i cili më tha se për herë të parë kishte votuar Partinë Socialiste, duke besuar te ndryshimi që ne do të sillnim. Mu lut ti them sot këtij kongresi fjalët e tij dhe në respekt të votës që na ka dhënë, më duhet t’ia plotësoj dëshirën: “Nëse jua vodhën votën time, është faji i hajdutit. Por nëse nuk vini ulërimën për votën time, turpi nuk është më i tij”. 28 qershori 2009 ishte një histori e përsëritur. Emri i autorit është po ai, i 26 majit 1996. Por ndryshe nga viti 1996, Sali Berisha nuk është antikomunisti i dalldisur me pardesy të bardhë që në etjen e tij të shfrenuar për pushtet u turr policinë e SHIK-un, drejt qendrave të votimit, nxjerr me dru komisionerët e opozitës, mbush kutitë dhe fiton deri edhe në 120 % në zona të ndryshme. Jo më. Në rrugë kryekëput të paligjshme, personave shoqërisht të rrezikshëm u janë hapur dyert e burgut gjatë fushatës elektorale me lejen e autoriteteve të larta shtetërore, për të kontribuar me autoritetin e tyre mafioz, sidomos në zonat rurale, ku kanë ushtruar trysni konstante ndaj votuesve të opozitës. Javën e ardhshme do t’i dorëzoj zyrtarisht e publikisht Presidentit të Republikës dokumentacionin tronditës të këtij bashkëpunimi mes qeverisë së vendit dhe skalionit elektoral të kriminelëve aleatë të kësaj qeverie. Shpresoj që Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nuk do t’i fshihet përgjegjësisë së drejtpërdrejtë që ka në kushtet kur vetë Ministri i Drejtësisë është drejtpërdrejt i përfshirë në këtë operacion kriminal të paimagjinueshëm për një shtet normal demokratik, jo më për një vend anëtar të NATO-s. Është koha për të hapur kapitullin e bashkimit me LSI-në. Por me LSI-në e opozitarëve, jo me LSI-në e tahmaqarëve. Me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Pëllumb Xhufit, Sabit Brokajt, Ndre Legisit, Fatos Klosit e Mustafa Muçit, e të mijëra të tjerëve si ata në opozitë me Sali Berishën. Padyshim, jo me Lëvizjen Speciale për Interes të Ilir Metës. E cila s’ka qenë e s’mund të jetë dot asgjë më shumë se sa ajo që ne dinim qysh ditën e ndarjes me të dhe që tani e gjithë Shqipëria e pa me sytë e saj: një bahçe private e politikës së vjetër prapa oborrit të Sali Berishës. Është koha për të hapur diskutimin për formën e re të bashkimit e bashkëpunimit opozitar me aleatët tanë të vegjël. Është koha për të hapur një dialog edhe me forcat e tjera opozitare me Sali Berishën, qoftë ato politike, qoftë ato sociale. Për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit konkret në aksionin politik për zbardhjen e ndëshkimin e krimit elektoral. Është koha padyshim për të hapur edhe një debat të gjerë në parti, paralelisht me betejën e përditshme opozitare. Sepse jo vetëm s’ka arsye të ndalemi në reformimin e transformimin e mëtejshëm të Partisë Socialiste, por përkundrazi duhet të shkojmë përpara, duke reflektuar me të gjithë anëtarësinë çfarë duhet të bëjmë në të gjitha nivelet e organizatës tonë, për të rritur forcën e impaktin tonë në shoqëri.
***
S’kam qenë kurrë kundër rishikimit të statutit, sepse gjithnjë kam besuar tek nevoja e cikleve të reformimit të brendshëm të partisë, për të garantuar mbarëvajtjen në rrugëtimin me kohën e shoqërinë që ndryshon, për t’iu adaptuar vijimësisht kushteve të një realiteti shqiptar aspak uniform në zhvillimin e tij, për të vënë në lëvizje e harmonizuar sa më shumë energji njerëzore në funksion të objektivave të punës sonë. Ne duhet të rishikojmë jo vetëm statutin, por edhe të rregullojmë tërësinë e veprimtarisë së bashkimit tonë vullnetar, duke plotësuar të gjithë boshllëqet që kemi në standardizimin e kulturës së organizatës tonë. Do të më lejoni sidoqoftë të veçoj këtu një njeri, mikun e bashkëpunëtorin tim të afërt në ditë të mira, por sidomos në ditë të vështira, Gramoz Ruçin, të cilit i jam veçanërisht mirënjohës, jo vetëm sepse në fushatën e 28 qershorit bëri si gjithnjë, me angazhimin më të veçantë nga të gjithë, e këtë herë edhe me rezultatin më të mirë nga të gjithë detyrën e tij, por edhe sepse me udhëheqjen e shkëlqyer, me organizimin deri në detajet më të vogla e me fitoren spektakolare në qytetet e në fshatrat e Qarkut të Fierit, ka dhënë dëshminë më kuptimplotë të kotësisë e të cektësisë së pretendimeve të pathemelta apo të karshillëqeve të ngutura për të shpjeguar humbjen në këta muaj të nxehtë. Sipas pretendimit më kumbues, nuk kishim program. Ky pretendim në fakt jo vetëm fyen punën e atyre qindra njerëzve të cilët e kanë shkruar programin tonë qeverisës, por fyen edhe inteligjencën e atyre që na kanë votuar masivisht, madje jo vetëm shumë më shumë se në 2005, por edhe më shumë akoma se në 2007 në kryeqytet e në shumicën e qyteteve të Shqipërisë, ku kemi fituar bindshëm në 28 qershor. A e dini se ndërkohë që në vitin 2007 kemi fituar në 33 bashki bashkë me LSI-në, kurse në 28 qershor kemi fituar vetëm si Parti Socialiste në 47 bashki ose në 61 % të hapësirës urbane të vendit? “Nuk kishim program për fshatin”. Kjo nuk bën sens, sepse në të gjithë zonën rurale e bujqësore të Qarkut të Fierit, kemi fituar thellë dhe kemi kaluar nga nivelet e papranueshme të vitit 2005, por edhe të vitit 2007, në nivele plotësisht të kënaqshme. Nuk po marrë kohën tuaj për të kaluar me radhë pretendimet e atyre mes nesh që merren me humbjen, por po kaloj nga ai më kumbuesi për programin tek ai më tingëlluesi për këngën e fushatës. “Humbëm sepse në këngë thuhej, unë do ta fitoj këtë garë dhe jo ne do ta fitojmë këtë garë.” Në fakt, kënga thotë “unë do ta fitoj këtë garë bashkë me ju” dhe sot më shumë se kurrë jam i vendosur që bashkë me ju, me të gjithë popullin opozitar të Shqipërisë, ta çoj përpara misionin tonë të pashmangshëm historik për ta ndryshuar këtë vend, duke ndryshuar në radhë të parë politikën. Sot më shumë se kurrë duhet të kuptojmë se nuk ka kthim mbrapa nga rruga jonë e re dhe mbi të gjitha nuk ka kohë shqiptare për t’u humbur me përsiatje që e s’postojnë debatin publik nga kriza e rëndë e demokracisë, e shtetit të së drejtës, e ekonomisë së këtij vendi tek probleme të brendshme të PS që duhet ma patjetër t’i trajtojmë bashkërisht, por pa e kthyer në problem të panevojshëm për shqiptarët.