E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama pati frikë nga Berisha”

 

Anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, e konsideron gabim dhënien e një mandati shtesë Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste. Gazeta boton sot me shkurtime fjalën e Blushit të mbajtur në mbledhjen e djeshme të kongresit të jashtëzakonshëm të kësaj partie.

Ben Blushi
Megjithëse Partia Socialiste ka arsye dhe detyrim të njohë dhe të respektojë meritat e gjithë secilit pa përjashtim, sot Partia Socialiste nuk ka mundësi t’u japë shqiptarëve atë për të cilën ata e votuan: ndryshimin. Ne nuk i fituam zgjedhjet dhe nuk kemi mundësi ta ndryshojmë Shqipërinë. Kjo është e trishtueshme për secilin prej nesh. Nuk ka sot socialist të lumtur në mes tonë. Shpresa dhe mundi ynë për një Shqipëri më të mirë, nuk u kthye dot në një mundësi për të qeverisur Shqipërinë. Ne jemi në opozitë. Kjo natyrisht nuk duhet të na ulë kokën, nuk duhet të na bëjë të ndjehemi të poshtëruar, por duhet të na shtyjë të jemi realistë dhe të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për opozitën dhe të vërtetat e saj. Kjo është arsyeja që jemi këtu sot. Të vendosim si do ta çojmë përpara besimin dhe investimin e kaq shumë shqiptarëve që na votuan. Ata janë jashtë kësaj salle dhe po na shohin nëse ne vërtet jemi në lartësinë e asaj që ata presin nga ne. Shqiptarët nuk na kanë tradhtuar, por po presin që ne të mos i tradhtojmë ata. Dhe pyetja që çdo shqiptar ka drejtuar drejt nesh sot është vetëm një: Pse nuk fituat? Ne jemi të detyruar të përgjigjemi. Ky kongres është vendi ku duhet të përgjigjemi, kjo është dita. Nëse nuk e bëjmë siç duhet, do na kthejnë krahët, sepse shumica prej tyre e dinë të vërtetën. Ata kanë votuar, ne kemi numëruar. Ata kanë humbur, ne nuk kemi fituar. Ata kanë shpresuar, por Sali Berisha qeveris.

***
Në këto ditë të nxehta unë kam folur, ndoshta duke mërzitur shumë njerëz, por shpresoj edhe duke sqaruar shumë të tjerë. Sido që të jetë kam folur në emër të ndërgjegjes sime. Që nga viti 1991 kam kërkuar të jem në anën e të vërtetës dhe sot besoj më shumë se kurrë se Partia Socialiste ka nevojë ta shohë të vërtetën në sy. Duhet t’ju them të gjithëve se nëse do të isha nisur nga interesat personale, ndoshta nuk do kisha folur. Megjithatë nuk besoj se sot është dita për t’i kërkuar llogari njëri-tjetrit se pse kemi folur, por pse nuk kemi fituar. Socialistët nuk janë në pushtet, jo sepse dikush ka folur apo nuk ka folur, por sepse nuk i kanë fituar zgjedhjet. Kjo na shqetëson dhe kjo është çështja. Personalisht nuk do të jem kurrë përpara dilemës të flas apo të mos flas, sepse jetoj për të menduar, për të folur dhe për të shkruar. Unë do flas gjithmonë, pavarësisht se çfarë humb, sepse duke bërë këtë gjë të paktën mund ta ndihmoj Partinë Socialiste të ketë ndërgjegje. Për cilindo që mendon se kam folur atëherë kur nuk duhej unë i them: po, kam folur atëherë kur kuptova se heshtja do ishte më e dëmshme se sa zhurma. Njerëzit dhe shoqëria nuk zgjohen nga heshtja, por nga zhurma. Ka shumë miq dhe kolegë në këtë sallë, të cilët besojnë se ajo që ka ndodhur në 28 qershor ishte një vjedhje masive e votave. Ka shumë kolegë të cilët realisht besojnë se ne fituam, por qeveria i vodhi votat tona. Unë nuk e paragjykoj mendimin e tyre dhe aq më pak faktet që mund të kenë. Këto zgjedhje nuk ishin një ditë e bukur, fat të cilin sot e kanë shumë popuj në Evropë. Këto zgjedhje nuk u zhvilluan në një laborator, por në një territor të vështirë, shpesh të pamundur për të ndarë me votë interesin e një shteti partiak me atë të demokracisë. Ne duhej të mundnim një njeri i cili në të kaluarën ka vjedhur votat e shqiptarëve dhe për këtë ishim të përgatitur. Ne nuk u nisëm në një lojë, por në një betejë. Ne hyjmë në një betejë duke e njohur kundërshtarin tonë dhe nëse kemi menduar se djalli do bëhej engjëll nga frika jonë jemi gabuar, sepse kjo nuk ndodhi. Sali Berisha nuk ka ndryshuar as për shkak të zgjedhjeve. Megjithatë ja ku jemi për të peshuar forcën e gjykimit tonë dhe sigurisht për të gjetur mes nesh ata që nuk mundën ta mundin djallin në kutitë e tyre të votimit, sepse ai ua vodhi. Unë besoj se edhe nëse votat na janë vjedhur ne kemi përgjegjësi, sepse mbi të gjitha u premtuam shqiptarëve se do t’i mbronim votat e tyre. Ky ishte premtimi ynë solemn, të cilin me sa duket nuk e mbajtëm dot dhe kjo na ka shkaktuar në këto kohë, shumë paqartësi për forcën dhe mundësitë që kemi për të ruajtur dhe mbrojtur demokracinë në Shqipëri. Shqiptarët nga 28 qershori e tutje na shohin me hezitim. Jam i bindur që shumë prej tyre mendojnë se ne jemi të dobët dhe nuk do kemi edhe në të ardhmen mundësi të mbrojmë votat e tyre. Shumë shqiptarë kanë të drejtë të mendohen gjatë në të ardhmen kur të votojnë për ne. Ata do jenë gjithmonë e më tepër përballë pyetjes: a ia vlen ta votoj Partinë Socialistë nëse nuk garanton votën time? Kjo është çështja. Prandaj duhet të jemi bindës dhe të besueshëm për atë që themi brenda dhe jashtë kësaj salle. Dhe meqë këto ditë ka pasur nga kolegët shumë pikëpyetje në lidhje me zgjedhjet, unë dua t’ju shtroj disa pyetje miqtë e mi, në radhë të parë për të sqaruar të vërtetën për të cilën kam më shumë nevojë se për gjithçka. Dikush ka thënë se komisionerët tanë u shitën. Unë ju pyes. Kush prej nesh u shit? Dikush ka thënë se komisionerët tanë dhe numëruesit ishin të paaftë. Unë ju pyes kush prej nesh ishte i paaftë? Dikush ka thënë se komisionerët tanë numëruan gabim votat tona? Unë ju pyes kush numëroi gabim. Dikush ka thënë se kutitë u ndryshuan? Unë ju pyes cilat kuti dhe kush prej nesh kishte detyrimin t’i mbronte ato? Në këtë sallë jemi mbledhur të gjejmë ata që nuk i lejuan Partisë Socialiste të vijë në pushtet dhe unë e kam të vështirë të besoj në beteja të tjera, nëse ne nuk zbardhim 28 qershorin. Nëse dikush u shit, nëse dikush ishte i paaftë, nëse dikush lejoi me qëllim të deformohej vota e shqiptarëve në fshatin apo qytetin e tij, ne duhet ta gjejmë me çdo kusht dhe me çdo çmim. Me këta njerëz nuk mund të bashkëjetojmë në një parti. Ata janë armiq të demokracisë për sa kohë që e shesin atë. Të paktën duhet t’i çregjistrojmë nga partia dhe pastaj t’i kërkojmë drejtësisë të bëjë punën e vet, duke faktuar krimin e kujtdo. Shqipëria dhe Partia Socialiste nuk ka pse vuan damkën e paaftësisë për shkak të kujtdo qoftë. Krimi duhet të ketë emrin e vet. I them këto duke pasur natyrisht edhe unë faktet e mia. Në zonën ku kam bërë fushatë nuk mund të fajësoj dot asnjë komisioner, asnjë numërues dhe asnjë kandidat që u shit, u ble, që mbylli sytë apo u mashtrua. Jo, këtë nuk mund ta bëj. Do t’i jem mirënjohës atyre njerëzve gjithë jetën time. Por sikur të kisha një fakt dhe një arsye, do ta thosha këtu sot me emër dhe mbiemër. Këtë duhet të bëjmë të gjithë nëse dyshojmë dhe kemi prova. T’i nxjerrim faktet në gjyqin tonë elektoral. Ndryshe krimi do të vazhdojë për sa kohë që do ta lejojmë të jetojë midis nesh. Nëse nuk nxjerrim sot emra dhe përgjegjës, atëherë do të hyjmë në betejat e tjera duke ruajtur veten nga shokët dhe kolegët tanë që mund të përsërisin të njëjtën gjë. Në këtë rast do të jemi të humbur dhe të pashpresë në pafundësi. Ju ftoj të gjithëve ta bëjmë këtë pastrim me kurajë dhe me vërtetësi. Çdo kandidat, sidomos duhet të tregojë komisionerët dhe numëruesit që kanë tradhtuar Partinë Socialiste. Nëse zgjedhjet janë vjedhur, ato janë vjedhur në kuti, sepse është naive të thuash se votat janë ndryshuar përpara se të hynin aty. Dhe në çdo kuti ne kemi pasur rojtarët tanë, të cilët e dinë të vërtetën. Dhe nxjerrja e së vërtetës është një detyrim për vendin dhe jo vetëm për në socialistët. Por nëse e ndërtojmë alibinë tonë mbi shpifjen për qindra socialistë të pafajshëm, atëherë kemi bërë një krim tjetër, në të cilin unë nuk mund të marr pjesë dhe të cilin e refuzoj. Të akuzosh të tjerët për të fshehur një problem, do të thotë të shtosh edhe një problem të ri. Dhe unë mendoj se ne po i shtojmë Partisë Socialiste një problem të ri. Duke dashur të mbrojmë një njeri që nuk pranon të vërtetën po hedhim baltë mbi Partinë Socialiste. Në Asamblenë e fundit të partisë ne shmangëm bojkotin e paralajmëruar të parlamentit dhe kjo do të thotë se rezistenca e ideve brenda partisë ka gjithmonë sukses. Bojkoti do të ishte shkatërrues për ne dhe unë i qëndroj deri në fund këtij vendimi, që nuk besoj se mund të ndryshojë më, pavarësisht nga kapriçoja e dikujt që mendon se parlamenti nuk ka pse ekziston për sa kohë që nuk je vetë atje.

***
Unë besoj se dështimi elektoral nuk lidhet vetëm me deformimin e votës. Unë mendoj se ne nuk fituam edhe për shkak të paqartësisë së programit tonë dhe për cilësinë e tij nuk u zotua asnjë komisioner dhe asnjë numërues. Programin fitues e mori përsipër Kryetari i Partisë Socialiste, i cili takoi popullin për dy vjet rresht, duke premtuar të hidhte në letër të gjitha mendimet dhe nevojat e tij. Unë ju pyes sot ku është ky program? A ka ndonjë delegat, qoftë ai anëtar partie, kryetar, sekretar, kandidat apo çfarëdo, i cili mund të më tregojë programin e partisë? A ka ekzistuar ky program dhe nëse po kush e ka? Dhe nëse dikush e ka në formën e një letre apo të një broshure me të cilën mund të bënte fushatë në lagjen apo në fshatin e tij, çfarë thoshte ai program për rrogat, për varfërinë, për pensionet, për energjinë, për ujin, për bujqësinë, për administratën, për ekonominë, për taksat, për rrugët, për ujësjellësit, për të rinjtë, për të moshuarit, për gratë, për të pastrehët, për të papunët, për shtetin e së drejtës, për integrimin, për veriun dhe për jugun, për malësinë dhe bregdetin, për vizat, për reformat dhe në fund të fundit për Shqipërinë. Për të gjithë ata që duan të mbrohen unë ju jap vetëm këtë ngushëllim: ne kishim fjalë, por nuk kishim program dhe a e dini pse? Sepse Edi Rama tha: programi quhet Edi Rama. Por me sa duket Shqipëria nuk donte një njeri, por një parti. Shqipëria nuk donte vetëm një parti, por një koalicion. Shqipëria nuk donte një fjalë, por një premtim. Më vjen keq ta them, por këto ne nuk i kishim. Ne folëm, por nuk premtuam. Ne folëm, por nuk u zotuam. Në folëm, por nuk bindëm. Ne akuzuam, por nuk gjykuam. Ne thamë si prishet, por nuk thamë si rregullohet. Ne treguam sëmundjen, por nuk gjetëm ilaçin.  Ne do ishim më të furnizuar me ide, me projekte dhe argumente. Sigurisht edhe kryetari i partisë sonë do ta kishte më të lehtë të dilte në debat me kundërshtarin duke e mundur në duel. Edhe ata që duan ta mbrojnë me çdo kusht Edi Ramën, besoj se nuk ia falin dot, që në emër të Partisë Socialiste, në emër të ndryshimit nuk doli në debat publik me Sali Berishën. Mendoj se kjo është e pafalshme dhe pyetja ime është pse nuk e kërkoi këtë debat. Nëse më pyesni unë mendoj se ai kishte frikë. Votuesit e kuptuan se Sali Berisha nuk mund të mundej duke dalë çdo ditë tek dera e partisë, por vetëm ballë për ballë. Edi Rama nuk e bëri këtë dhe frikën e tij e quajti politikë e re. Bota prodhon përditë politikanë të rinj, të cilët kërkojnë dhe arrijnë t’i mundin politikanët e vjetër duke i ftuar dhe duke i mundur në duel. Në rastin tonë kjo nuk ndodhi. Por edhe nëse kishte frikë apo pasiguri, këtë gjë duhet ta konsideronte një detyrim. Një detyrim për t’i dhënë kurajo Partisë Socialiste dhe shoqërisë, e cila e bën diferencën mes kundërshtarëve kur ata ndeshen dhe jo kur ata rrinë në qoshe të ringut. Kush prej nesh mendon se është normale që kandidatët të dilnin nëpër debate dhe sigurisht mirë bënë dhe kryetari i partisë të mos bënte të njëjtën gjë? Kjo kurajo e domosdoshme për një lider i mungoi Kryetarit të Partisë sonë. Për të gjithë ata që besonin se Edi Rama e mund Sali Berishën, ky ishte çasti për ta provuar këtë gjë. Në të kundërt ai jo vetëm që nuk doli në debat publik në emrin tonë, por as nuk kandidoi, dobësi që shumë nga ne besojnë se ka ndikuar në sigurinë e fushatës sonë. Shqiptarët menduan se mungesa e kandidimit ishte një parathënie e humbjes. Kandidimi ishte një detyrim të cilit kryetari i Partisë Socialiste iu shmang dhe kjo nuk i kushtoi vetëm atij, por gjithë Partisë Socialiste. Kryetari i Partisë Socialiste dha përshtypjen se parlamenti dhe deputetët janë një gjë e panevojshme, gjë që në disa raste e ka thënë. Por pse duhet të votonin shqiptarët për deputetët e Partisë Socialiste, kur kryetari i tyre refuzonte me bezdi të ishte njëri ndër ta? Edi Rama i tha partisë që drejtonte: Ju jeni të majtë, por unë nuk jam. Ju jeni politikanë, por unë jam qytetar. Ju jeni politikë e vjetër, por unë jam politikë e re. Ju doni të kandidoni, por unë nuk kandidoj. Ju dilni në debat, por unë nuk dal. Ju numëroni, unë fitoj. Ndërsa sot po i thotë: ju numëruat keq dhe unë prapë fitoj.

****
Ka shumë njerëz që thonë sot, po ju të tjerët a mbani përgjegjësi për këtë humbje. Unë them se po. Padyshim që të gjithë mbajmë përgjegjësi dhe koha duhet t’i dëshmojë. Por shumë nga këto vendime për të cilat po flasim ishin vendime personale të Edi Ramës. Gabohet kush priste nga ne, që ta detyronim kryetarin e partisë të kandidonte me zor. Gabohet çdo njeri që priste që ne ta detyronim kryetarin e partisë të dilte në debat me forcë. Këto detyrime nuk mund të t’i mësojë njeri, sepse kjo është arsyeja për të cilën të kanë zgjedhur. Kjo është njëlloj si t’i mësosh një rrotë si të rrotullohet, apo një anije si të lundrojë. Dhe unë besoj se kjo është dita ta marrim seriozisht në konsideratë cilësinë e kryetarit, të cilit i besuam. Një nga aftësitë e munguara të tij është aftësia për të negociuar. Në katër vjet ai dëshmoi se nuk di të negociojë me shokët apo ish-shokët e vet, gjë që na ka kushtuar dhe na ka shkaktuar shumë dështime të panevojshme dhe plotësisht të shmangshme. Dua t’ju kujtoj se për shkak të refuzimit për të negociuar brenda partisë ne humbëm presidentin në vitin 2007. Për shkak të kokëfortësisë për të biseduar me disa socialistë u krijua edhe një parti tjetër nga radhët e Partisë Socialiste, e cila na mori vota sa për një mandat deputeti. Për shkak të refuzimit për të negociuar me aleatët tanë, ne humbëm pushtetin në vitin 2009. Për shkak të refuzimit për të negociuar me ata që mendojnë ndryshe brenda partisë, sot ne po rrezikojmë vetë partinë. Të negociosh, është një detyrim për të qenë kryetar dhe një kusht për të qenë lider.
Por le të vijmë sot, kur ai po na kërkon një mandat shtesë për të drejtuar partinë. Fatkeqësisht ky kongres, që duhet të ishte mbledhur për ta bashkuar Partine Socialiste, po mblidhet vetëm për t’i dhënë një shtesë mandati Edi Ramës. Unë hyj tek ata që mendoj se nuk duhet ta bëjmë këtë gabim. Unë nuk votoj kundër Edi Ramës, sepse ka humbur zgjedhjet, por sepse nuk jep shpresë se mund t’i fitojë ato. Problemi ynë është me të ardhmen dhe jo me të shkuarën. Problemi ynë nuk është me Edi Ramën siç ka qenë, por me Edi Ramën siç kërkon të bëhet. Unë nuk votoj kundër Edi Ramës së para 28 qershorit, por votoj kundër Edi Ramës së pas 28 qershorit. Unë votoj kundër Edi Ramës, sepse ai po i grabit kryetarin Partisë Socialiste duke u fshehur pas neneve të statutit. Ai po i grabit një standard shoqërisë shqiptare të cilën ne e kemi mësuar, se, ai që nuk fiton dot, largohet. Ne e zgjodhëm Edi Ramën për të mundur Sali Bërishën dhe sot nuk duhet ta ngushëllojmë duke i dhënë mundësi të mundë shokët e vet dhe partinë e vet. Ne e zgjodhëm Edi Ramën jo për të fituar Partinë Socialiste, por për të fituar Shqipërinë. Partia Socialiste e ndihmoi pa kushte Edi Ramën të mundte Sali Berishën dhe sot Edi Rama nuk mund ta pengojë Partinë Socialiste të mundë Sali Berishën. Dhe unë kam ardhur këtu t’i them publikisht: mos na pengo ta mundim Sali Berishën, sepse ky është një detyrim kombëtar, të cilit Partia Socialiste nuk mund t’i bëjë bisht në të ardhmen e vet. Sot që flas më dhemb kur shoh shokët e mi të armëve në Korçë tek zihen në publik për mua apo për Edi Ramën. Kam ndarë ditë të vështira dhe të bukura me këta njerëz për t’i futur në një konflikt të panevojshëm. Por nëse kjo ka ndodhur për shkakun tim, unë kam burrërinë t’u kërkoj ndjesë, por po të njëjtën gjë duhet të bëjë ai që u kërkon me hir dhe me pahir të përçahen për ta mbështetur. Unë nuk kërkoj mbështetje me dhunë, as me frikë, por vetëm me arsye. Unë nuk kërkoj mbështetje për vete, por për Partinë Socialiste. Unë besoj se më shumë se kryetari, ka rëndësi Partia Socialiste dhe e majta. E ardhmja duhet të fillojë nga kjo pikë. Kjo është arsyeja që bashkë me gati 300 delegatë të këtij kongresi kemi vendosur ta nisim ndryshimin nga partia. Partia Socialiste mund të jetë më demokratike, më funksionale, duke i dhënë më shumë pushtet forumeve të saj dhe në këtë kemi kërkuar me ndryshimet e propozuara. Më vjen keq që vullneti i kaq shumë burrave dhe grave po injorohet. Ata janë pjesë e Partisë Socialiste dhe besojnë në një parti, e cila ka lindur dhe ekziston për të ndryshuar siç ka ndodhur që nga dita e parë e saj. Unë besoj se sot është dita kur ne duhet të hapim një rrugë të re. Një rrugë që kalon nga mirëkuptimi, nga paqja brenda nesh, nga vizioni dhe optimizmi se Shqipëria bëhet. Shqipëria po pret që ne të ndryshojmë që të fitojmë dhe ne nuk duhet të vonohemi. Ju ftoj të gjithëve të dalim të bashkuar nga kjo sallë dhe nëse ka vullnet dhe besim ne mund ta arrijmë dhe duhet ta arrijmë këtë me çdo kusht. Por sigurisht jo me kushtin për të fshehur të vërtetën, sepse e vërteta nuk ka çmim. Ajo ka vetëm çmimin e lirisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›