Kongresi, rrëzohet paketa “Blushi”
Aristir Lumezi
Kongresi i jashtëzakonshëm i PS-së rrëzoi dje me votim të hapur paketën me ndryshimet statutore dhe kërkesën për transparencë me mediat. Pas një votimi të hapur, me kartonë, shumica e delegatëve të kongresit pranuan rendin e ditës të miratuar në Asamblenë Kombëtare dhe nuk lejuan futjen në rend të ditës të propozimeve të reja në kongres. Por Kongresi nuk rrëzoi vetëm paketën Blushi dhe miratoi kandidaturat, por vendosi dhe një klimë armiqësore mes delegatëve të tij. Në hollin e Pallatit të Kongreseve, delegatët mblidheshin në grupe dhe shikonin njëri-tjetrin si përkrahës të Blushit e Malajt apo përkrahës të Ramës. I mbledhur dje në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve, kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, i cili drejtoi punimet e këtij kongresi, kërkoi të miratonte rendin e ditës të miratuar në Asamble. Por anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, kërkoi që në rendin e ditës të përfshiheshin dhe dy pika të tjera. Sipas Blushit, Kongresi duhet të miratonte futjen në rend të ditës të paketës me ndryshimet statutore dhe transparencën e kongresit për mediat. Blushi është kundërshtuar nga dy delegatë të kongresit. Menjëherë pas tij, Ndriçim Hysa ka kërkuar nga kongresi të mos miratojë transparencën për mediat në kongres, pasi, sipas tij, një gjë e tillë do ta rikthente PS-në në kohën e KPD-së së 2002 dhe kjo do furnizonte Berishën me material elektoral në fushatat e ardhshme. Pas Hysës, anëtari i Kryesisë, Namik Dokle, edhe pse është shprehur pro ndryshimeve statutore, që në PS, sipas tij kanë ndodhur vazhdimisht, nuk ishte momenti i duhur politik për t’i bërë në këtë kongres. Dokle ka kërkuar mbështetjen dhe miratimin e rendit të ditës së Asamblesë Kombëtare dhe qëndrimit politik të PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit. Propozimi i Blushit është hedhur në votim të hapur, në fund të të cilit me shumicë votash është miratuar rendi i ditës së Asamblesë Kombëtare.
Censura
Momenti i diskutimit dhe votimit të rendit të ditës ka qenë dhe periudha më e errët mediatike e kongresit, kur dyert kanë qenë të ruajtura mirë me “polici private”, e vënë enkas për ruajtjen e kofidencialitetit të 1500 delegatëve dhe të të ftuarve të Kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së. Pas rrëzimit të propozimeve të Blushit, kanë nisur diskutimet rreth qëndrimit të PS-së për zgjedhjet. Grupi i deputetëve dhe delegatëve që mbështesnin paketën e ndryshimeve statutore kanë dalë jashtë sallës dhe i janë përgjigjur interesimit të mediave të shumta në hollin e Pallatit të Kongreseve, e cila nuk ishte lejuar të ndiqte brenda sallës zhvillimet e kongresit.
Debati në Kongres për statutin
Ben Blushi paraqet propozimin për përfshirjen në rendin e ditës të paketës me ndryshimet statutore dhe bërjen transparente të punimeve të kongresit
Ndriçim Hysa: Transparenca ndaj mediave nuk duhet të bëhet. Nëse mediat do të transmetojnë debatin tonë të brendshëm, do të kthehemi vite prapa, në kohën e KPD-së së famshme dhe Sali Berisha do ta sulmojë në fushatat e ardhshme elektorale me fjalët dhe batutat tona.
Namik Dokle: Vlerësoj nevojën e ndryshimeve statutore, sepse PS-ja do vazhdojë të zhvillohet dhe pasurojë statutin e saj. Në çdo kongres që kemi bërë që nga 1991, kemi bërë ndryshime statutore. Edhe unë kërkoj të bëj disa propozime, si p.sh. rivendosjen e postit të sekretarit të përgjithshëm, apo riorganizimin e strukturave të PS së rrethit. Mendoj se këto ndryshime duhen bërë në një kohë të mëvonshme, pasi tani gjithë vëmendja jonë duhet të fokusohet te qëndrimi ndaj zgjedhjeve.
Shalësi: Ndryshimet më vonë
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës dhe deputeti i këtij qarku u shpreh dje se ndryshimet statutore do të lihen për një kohë të mëvonshme. Sipas tij do të jetë një grup pune që do të punojë me të gjitha propozimet. “Është një reformë statutore dhe është vendosur që brenda këtyre muajve të koordinohen të gjitha këto propozime, qoftë nga individë apo grupe dhe t’i paraqitet kongresit të ardhshëm, tashmë të zakonshëm të PS, në mënyrë që të mos kemi ndryshime të cungëta të statutit, por të kemi një paketë të plotë ndryshimesh, të cilat mund të bëhen dhe me propozime dhe mendimin e bazës socialiste”, u shpreh Shalësi.