E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta, bojkoti mbetet i hapur

 

Aristir Lumezi

Çështja e bojkotit të Kuvendit u la e hapur dje nga kongresi. Delegatët e kongresit të jashtëzakonshëm miratuan dje rezolutën e Asamblesë Kombëtare, duke i shtuar asaj dhe propozimet e dy grupe delegatësh që kërkojnë radikalizim të qëndrimit të PS. Një grup delegatësh nga vendlindja e kryeministrit Berisha, Tropoja, por dhe nga Tirana i propozuan kongresit që rezolutës së Asamblesë Kombëtare t’i bashkëngjitnin propozimin e tyre për një qëndrim më radikal në Kuvendin e ardhshëm. Por kur kongresi ishte gati për të miratuar rezolutën e Asamblesë Kombëtare, drejtuesi i seancës i ka bashkangjitur asaj dhe propozimet e bëra nga delegatët e ardhur nga Tropoja dhe Tirana, duke i lënë në dorë grupit parlamentar dhe Kryesisë socialiste të vendosin hap pas hapi mbi qëndrimin e PS-së ndaj Parlamentit. Në këtë mënyrë, ndryshe nga ç’ishte vendosur nga Asambleja Kombëtare, kur ishte eliminuar fjala bojkot nga përmbajtja e saj, radikalizmi i qëndrimit ndaj Parlamentit, siç kërkohet nga ky grup delegatësh, mbetet një qëndrim i hapur. Ende nuk kemi një variant të zbardhur të tekstit të rezolutës së PS-së për qëndrimin ndaj Parlamentit, nëse do të hyjë ose jo në të, ndërsa ajo që është thënë tashmë qartë, është mosnjohja e rezultatit të zgjedhjeve. Burime pranë selisë rozë pohuan dje se PS-ja do t’i përmbahet qëndrimit të bojkotit të paktën deri në zhvillimin e garës për kryetar. Deri në 26 shtator, socialistët pritet të mos konfigurojnë kryesinë e grupit parlamentar socialist, kryetarin, nënkryetarët dhe sekretarin, por dhe kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare. Shumë emra qarkullojnë këto ditë debatesh dhe fushate zgjedhore në PS që do të marrin postin e kryetarit të grupit apo nënkryetarit të Kuvendit. Deri në përfundim të votimit për kryetarin, pozicioni i PS-së ndaj Parlamentit nuk do të jetë i qartë.
Votimi
Kongresi vendosi dje zhvillimin e votimit për kryetar të PS-së përmes parimit “një anëtar, një votë” më 26 shtator. Në garën e djeshme u radhitën tri kandidatura, të cilat paraqitën dhe platformat konkurruese. Edi Rama, Maqo Lakrori dhe Arben Malaj do të jenë në konkurrimin për kreun e PS-së. Ndërsa Malaj dhe Lakrori paraqitën platformat e tyre, Rama më shumë se platformë kishte një fjalim vetëmbrojtjeje ndaj akuzave të bëra në adresë të tij, duke i konsideruar kundërshtarët armiq të PS-së. Tashmë i mbetet Komisionit Zgjedhor në PS që të administrojë procesin e votimit dhe të numërimit të votave të kandidatëve. Tashmë janë rishikuar listat e anëtarësisë që do të marrë pjesë në votim për kreun e partisë, por dhe komisionerët e qendrave të votimit dhe të numërimit. Komisioni Zgjedhor në PS drejtohet nga Genc Gjonçaj, ndërsa përbëhet nga shtatë anëtarë. Në vitin 2007, Rama u rizgjodh në krye të PS-së përmes parimit “një anëtar, një votë”, ku përballë kishte kandidatin Shkëlqim Meta. Në 2005 ai mori mandatin e kryetarit të partisë nga delegatët e kongresit, pasi parimi i ri ende nuk kishte hyrë në fuqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›