E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Zgjedhjet në PS, partitë e tjera duhet të marrin shembullin tonë”



Kandidati për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, votoi dje në Njësinë Nr. 2. Pas votimit Rama u shpreh se ky është një proces që duhet ta adaptojnë dhe partitë e tjera politike, pasi është një proces ku vendimmarrja e anëtarit të thjeshtë rritet. “Është një moment i bukur në jetën e një partie, e në këtë rast në jetën e PS-së, që në fakt në Shqipëri është e vetmja forcë politike që u jep mundësi të gjithë anëtarëve e anëtareve që të vendosin me votën e tyre për zgjedhjen e kryetarit të partisë përmes një procesi demokratik që është një proces, mendoj unë, të cilin pa asnjë farë dyshimi në të ardhmen do të duhet ta adaptojnë dhe forcat e tjera politike. Është e pashmangshme që partitë politike në Shqipëri të demokratizohen dhe roli dhe fuqia e anëtarit të partisë të rritet duke filluar nga vendimmarrja e drejtpërdrejtë për kryetarin e partisë”, - tha Rama. Ai nënvizoi se procesi zgjedhor ishte një goditje ndaj kundërshtarëve që tentojnë të gjunjëzojnë Partinë Socialiste. “Ky është një proces i natyrshëm e njëkohësisht real, për këtë arsye ka qenë dhe një proces që ka pasur vështirësitë e veta. Ashtu sikundër ka qenë një proces, të cilin Sali Berisha, Ilir Meta, Fatos Nano, kompania e tyre, altoparlantët e tyre kanë bërë çmos që ta përbaltin, kanë bërë çmos që ta cenojnë. Kanë bërë çmos që ta zhvlerësojnë sepse është një proces i bukur, një proces real, një proces që tregon në fakt se PS-ja është vërtet forca më e madhe e më demokratike në Shqipëri e se është, pa asnjë dyshim, një pengesë e pakapërcyeshme për projektin e tyre, për ta kthyer Shqipërinë në një skemë të mbyllur dhe për ta kthyer pushtetin e popullit në një pushtet interesash që s’kanë të bëjnë me interesat e popullit”, - tha Rama.

Lakrori: “Procesi të zhvillohet normalisht”

Kandidati për kryetar i Partisë Socialiste, Maqo Lakrori, ka hedhur votën e tij në Njësinë Nr. 9 në kryeqytet. Lakrori u shpreh për mediat se ai pret që procesi të zhvillohet normalisht në të gjithë vendin: “Uroj që procesi të vazhdojë normalisht dhe në kohën e duhur do të bëjmë vlerësimin e këtij procesi”.

28 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›