Rama Zgjidhja e krizes zgjedhjet e reja

Në një deklaratë për shtyp të mbajtur para pak castesh, Rama ka paralajmëruar se kriza në fjalë rrezikon të thellohet nëse nuk ndërmerren hapat e sugjeruar nga BE.
“Pra, edhe për Evropën, Shqipëria nuk është më në ngërc por në krizë të thellë, spiralja e të cilës bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Ndërkohë që Evropa pret plotësimin e kritereve të Kopenhagenit, porosia e zotit Miroslav Lajcak tregon se Evropa kërkon zgjidhje reale dhe demokratike të krizës”, ka deklaruar Rama.
Ai ka shprehur vullnetin e opozitës për të kontribuar në suksesin e Evropës për zgjidhjen e krizës në Shqipëri, e cila sipas tij i ka rrënjët tek vjedhja e zgjedhjeve.
“Do bëjmë gjithcka që Shqipëria të dalë nga kriza, që shqiptarët të mos vazhdojnë të paguajnë faturën e kësaj krize, që i ka rrënjët tek zgjedhjet e vjedhura dhe tek kusaria e këtij pushteti”, ka pohuar Rama.
Ai e ka mohuar opsionin e bojkotit të zgjedhjeve të 8 majit dhe ka rikonfirmuar qëndrimin e opozitës se situata aktuale zgjidhet vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme.
“Duke nënvizuar se ne nuk e kemi konsideruar si të vlefshëm bojkotin e zgjedhjeve vendore, nënvizoj se për ne zgjidhja e plotë e kësaj krize është kthimi i partive para gjykimit të popullit, me zgjedhje të lira e të ndershme. Përballë regjimit vrastar të kusarisë, ne do bëjmë gjithcka për zgjedhje të lira e të ndershme, duke demonstruar paqësisht dhe duke qenë të pranishëm në Parlament”, ka theksuar Rama.
Më tej, ai ka rikonfirmuar protestën e 18 shkurtit. “Të premten në orën katër ne do rikthehemi në bulevard edhe në emër të atyre që u vranë më 21 janar edhe për ata që janë vrarë më parë dhe që drejtësia nuk është lejuar të hetojë”, ka shtuar Rama.