E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama apel demonstruesve për t’iu shmangur dhunës

Përmes një konference për shtyp pasditen e sotme, Rama kërkoi që të gjithë pjesëmarrësit që do të jenë nesër në demonstratën homazh, të distancohen menjëherë nga çdo provokim dhe njëkohësisht, të mos provokohen nga asgjë jashtë rrugës së kortezhit të homazheve.

“Apeli është për të mos harruar për asnjë çast se nesër është dita e atyre tre burrave të varfër e të ndershëm, që nuk janë më mes nesh. Është koha për të nderuar kujtimin e tyre në traditën më të mirë shqiptare në sytë e mbarë botës, që do ta ndjekë të gjithë ceremoninë përmes televizioneve kudo në Evropë e gjetkë”, tha kreu socialist.

Ai akuzoi atë që e quajti “shkresa e Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë, e cila nuk mund të garantojë nesër sigurinë gjatë demonstratës”. Sipas tij, “kjo flet për keqpërdorimin që po i bëhet uniformës së policisë së shtetit nga drejtues që janë vënë në shërbim të pushtetit”.

Ai gjithashtu falënderoi organizmat ndërkombëtarë për angazhimin e tyre në këtë situatë, duke siguruar se “vullneti ynë i palëkundur dhe bindja jonë e padiskutueshme është që jo vetëm demonstrata-homazh e ditës së nesërme, por e gjithë rruga e rezistencës sonë paqësore nuk do ketë asnjëherë lidhje me asnjë lloj forme të dhunës”.

                                                                                             2011-01-27 22:00
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›