E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni për demonstratën hetime tek Garda e Republikës

Kryetari i këtij komisioni, Eduard Halimi, tha se "procesi më i rëndësishëm është procesi faktmbledhës dhe më pas do të merret në shqyrtim i gjithë dokumentacioni shkresor që do të na përcjellin institucionet, për të vijuar me seancat dëgjimore, analizën e veprimeve dhe sjelljen e këtyre institucioneve para, gjatë dhe pas tentativës për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues më 21 janar".

Për këtë qëllim komisioni vendosi që të zhvillojë një vizitë faktmbledhëse më 29 janar në Gardën e Republikës, ndërkohë që më 30 janar do të zhvillojë një vizitë faktmbledhëse në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Në mbledhjen e sotme, komisioni, ku nuk marrin pjesë deputetë të opozitës, mori në shqyrtim dhe propozimin e anëtarit Fatos Hoxha për t'i dërguar një kërkesë Ministrit të Drejtësisë për të paraqitur brenda datës 2 shkurt 2011, një informacion të detajuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë në periudhën para, gjatë dhe pas veprimit kriminal të organizuar të 21 janarit.

Gjithashtu, komisioni hetimor vendosi t'i dërgojë një kërkesë Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit për të paraqitur një informacion të detajuar brenda datës 2 shkurt 2011. Komisioni i posaçëm i ngritur me vendim të parlamentit më 23 janar do të hetojë veprimtarinë e institucioneve shtetërore në zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues më 21 janar.

                                                                                             2011-01-29 08:29
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›