E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, asnjë ndryshim në pasurinë e tij

Lideri i opozitës ka të ardhura vetëm nga paga dhe shpërblimet në punë

Lideri i opozitës, njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, ka arritur të përfitojë rreth 1 milion e 770 mijë lekë si të ardhura nga viti 2009 për të gjithë punën e bërë në këto institucione të rëndësishme. Në deklarimin vjetor të pasurisë, kreu i opozitës llogarit të ketë përfituar 1.678.364 lekë nga pagat dhe shpërblimet e fundvitit. Por në deklaratën e tij, Rama nuk harron të raportojë edhe përfitimin e një shume prej 90.409 lekësh, si rezultat i moskryerjes së pushimeve gjatë vitit të kaluar. Nga ana tjetër, në deklarimin e tij të pasurisë, Edi Rama, ka shtuar edhe marrjen e 9000 lekëve, si rezultat i pjesëmarrjeve të tij në mbledhjet e KRRT-së, të cilat zhvillohen në Bashkinë e Tiranës. Gjithashtu, me të dhënat që ka deklaruar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive duket se viti 2009 e ka “varfëruar” Edi Ramën. Ai raporton se gjatë këtij viti ai ka pakësuar 1859 euro dhe 30900 lekë nga llogaritë e tij në bankën “Credins”. Kryetari i bashkisë raporton se ka ende të pashlyer një kredi prej 1.034.553.77 lekësh, për të cilën nuk jep të dhëna përse e ka marrë dhe në cilës bankë i detyrohet. Ajo që të bën përshtypje në deklarimin e pasurisë së liderit të opozitës, është mungesa e investimeve për sa i përket pasurisë vetjake përgjatë vitit të kaluar dhe mosshtimi i asnjë të ardhure në depozitat e tij bankare gjatë këtij viti. Në deklarimin e tij të depozituar në datë 29 mars të këtij viti në ILDKP vërehet se ai jeton vetëm në bazë të ardhurave që i sjellin postet e tij publike.

Viti i kaluar

Në krahasim me deklarimin e pasurisë së vitit të kaluar, lideri i opozitës, nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vazhdon të jetë sërish një ndër politikanët më të varfër në Shqipëri. Nga deklarimi i pasurisë së vitit 2008, kreu i Bashkisë së Tiranës rezulton të ketë një llogari me 40 mijë lekë të reja në bankën “Credins”, të përfituar nga kursimet nga paga, si dhe një llogari tjetër me 2937 euro, po në këtë bankë, të përfituar nga çmime dhe honorare. Kreu i socialistëve ka pasur të ardhura gjatë vitit të kaluar 1.8 milionë lekë të reja, falë pagës në krye të bashkisë, shpërblimit të fundvitit, si dhe pagesa për pjesëmarrjen në mbledhjet e KRT-së. Në të njëjtën kohë, Rama gjatë vitit 2008 ka paguar 207 mijë lekë (principal+interes) për shlyerje kredie. Nga deklarimi i pasurisë rezulton se Ramës i ka ngelur edhe 1.2 milionë lekë për ta shlyer. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, rezulton të jetë politikani më i varfër nga ata që kanë deklaruar pasuritë e tyre. ndërkohë që ka deklaruar si të ardhura vetëm rrogën dhe honoraret.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›