Seanca me Çomon, PD i kërkon opinion për kolegët e tjerë
Anëtarët e Komisionit për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilluan dje seancën dëgjimore me kandidatin për gjykatën e lartë, Sokol çomo. Kandidati çomo ka refuzuar dje të japs një përgjigje në lidhje me mendimin e tij për emërimet në poste të larta të personave që kanë shërbyer gjatë diktaturës. “Refuzoj të përgjigjem, pasi kjo nuk ka të bëjë me mua”, është shprehur çomo, lidhur me këtë pyetje.
“Nuk kam asnjë mbështetje politike” ka thënë gjyqtari çomo para deputetëve ndërsa ka sqaruar se dhe emërimi i tij si zv.ministër i Drejtësisë gjatë vitit 1998-2000 nuk është bërë për arsye politike, por ka qenë një kërkesë e Pandeli Majkos, kryeministër në atë kohë për të pasur njerëz profesional në drejtësi.
Duke bërë një vlerësim për gjyqësorin, kandidati i dytë për Gjykatën e Lartëka thënë se vendimet e gabuara në gjyqësor në shumicën e rasteve vijnë nga niveli i ulët i profesionalizmit. Për kandidatin për anëtar të gjykatës së lartë, pyetjet nga mazhoranca në komisionin e ligjeve kanë qenë të shumta, por kryesorja dhe më e shpeshta, ishte ndikimi politik në arritjet e tij profesionale. “Ka ndonjë gjë që mund të na e rrëfeni. Për shembull, nëse ka pasur informalisht ndonjë person publik që ju ka sugjeruar pse nuk kandidon? Ka pasur informalisht ndonjë konsultë, qoftë dhe në grupin përzgjedhës të presidentit lidhur me kandidaturën tuaj? Ndonjë bisedë me ndonjë njeri publik afër tyre që të ka sugjeruar, ju ka dhënë mbështetjen apo ju kanë refuzuar mbështetjen”, ishte pyetja e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Si përgjigje, Rusmali ka marrë nga kandidati çomo se: “nuk kam takuar deputet, sepse as nuk kam kërkuar t’i takoj dhe as më kanë kërkuar që të më takojnë. As një ditë të vetme nuk kam kryer shërbime politike, kam kryer shërbime shtetërore. Kam qenë pjesë e administratës shtetërore dhe kam shërbyer në mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor”.
Pasi u njohën me prezantimin e kandidatit çomo, anëtarët e komisionit i drejtuan atij pyetje lidhur me integritetin moral dhe professional dhe nëse ka pasur lidhje me veprimtari politike. Gjithashtu, deputetët e pyetën kandidatin e emëruar nga presidenti se cili ishte opinioni i tij mbi kriteret thelbësore për përzgjedhjen e anëtarëve të gjykatave,organizimin dhe funksionimin e gjykatave si dhe hapësirat apo masat që duhet të merren për përmirësimin e legjislacionit lidhur me veprimtarinë e gjykatave. Në përgjigje të interesit të anëtarëve të komisionit, kandidati për anëtar i Gjykatës së Lartë shprehu mendimin e tij edhe lidhur me luftën ndaj korrupsionit si dhe shmangien e konfliktit të interesit në sistemin gjyqësor. Sot në komsionin e ligjeve do të zhvillohet seanca dëgjimore për Vexhi Muçmatajn.
#