E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, sekuestro ndaj pasurisë së dy vëllezërve beratas

Antimafia Krahas akuzës për trafik prostitucioni në Greqi akuzohen edhe për pastrim parash në Shqipëri

Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri ka sekuestruar disa ditë më parë një llogari prej 2.6 milionë eurosh ndaj dy vëllezërve Shehu nga Berati, kunatit të tyre Can Murataj dhe shokut të tyre Fatos Zeka. Krahas akuzave për prostitucion në Greqi, ata dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të pastrimit të parave në Shqipëri, ku paratë e vjela nga trafiku i kanë investuar në vendin tonë për të blerë pasuri dhe për të krijuar llogari të majme bankare. çështja e pastrimit të parave po hetohet nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa vlerësimi i masave shtrënguese të pasurisë është dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kjo e fundit ka dërguar çështjen në gjykatë dhe prej saj ka marrë konfirmimin se shuma prej 2.6 milionë eurosh është sekuestruar, ndërsa tashmë pritet edhe vlerësimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Mësohet se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë është ankimuar në apel dhe kërkohet shfuqizimi i vendimit, si dhe heqja e masave të sekuestros pasi ligji ende nuk është vlerësuar në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, pretendimet e mbrojtjes janë paraprake dhe do të duhet një vlerësim nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda nëse do të heqë apo jo këtë masë shtrënguese ndaj pasurisë.

Mësohet se në Greqi, dy vëllezërit Shehu po hetohen që nga viti 2006, për akuzat e “krijimit të organizatës kriminale”, “trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim ushtrimin e prostitucionit” dhe “pastrimit të parave”, të gjitha në bashkëpunim. Dy vëllezërit Shehu, nga aktiviteti i tyre kriminal përfitonin rreth 12 mijë euro në ditë, të cilat i ndanin me një grup mafioz nga Lindja. “Nga hetimi pasuror është konstatuar se të hetuarit Aleksandër dhe Sokol Shehu, familjarët e tyre dhe personat e lidhur me ta, konkretisht Can Murataj (kunati) dhe Fatos Zeka (lidhje shoqërore), disponojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme”, thuhet në vendimin e gjykatës dhe bazuar në ligjin “Antimafia” rezulton se të hetuarit dhe familjarët, personat e lidhur me ta, janë subjekte të këtij ligji, ndaj dhe pasuritë e tyre duhet t’i nënshtrohen procedurës së sekuestrimit. Një veprim i tillë kryhet për shkak se familjarët dhe vetë të dyshuarit janë të lirë, çka përbën një rrezik real dhe potencial që pasuritë e tyre të tjetërsohen, apo të humbasin, thuhet në vendim. Sipas gjykatës, janë sekuestruar tashmë 7 llogari bankare me një vlerë mbi 2.6 milionë euro dhe rreth 4 mijë lekë. Këto llogari bankare, sipas vendimit të gjykatës, janë në emër të Aleksandër Shehut, vëllait të tij Sokol Shehu, kunatit të dy vëllezërve, Can Muratajt dhe shokut të tyre Fatos Zeka.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›