E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama me biznesin:Heqje referencash e lehtësira

Kreu i PS, Edi Rama

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama duke celur takimin e parë me biznesin në kuadër të programit të ri ka kërkuar opinionet e tyre për përmirësimin e një programi që synon taksim progresiv për të gjithë, rritje te punesimit, heqje monopolesh, ringritje te ekonomise bashke me biznesin dhe lehtesira te metejshme te klimes se biznesit.

Sipas Ramës, në themel të programit të PS-së qëndron partneriteti me biznesin dhe vënien në dispozicion të institucioneve kompetente në shërbim të sipërmarrjes.

Punësim real përkundër rritjes së papunësisë në rrugën e rrënimit të mëtejshëm që ka hapur e po con përpara kjo qeveri. Të flasësh sot për punësim real do të thotë të flasësh për partneritetin e qeverisë me sipërmarrjen. Angazhohem se ne do ti heqim përfundimisht referencat, pasi sistemi aktual është mjet abuzimi politik- tha Rama, duke iu drejtuar përfaqësuesve të biznesit të mbledhur në takim.

Ne jemi të vendosur te ndryshojmë taksimin dhe të lehtësojmë barrën fiskale të qytetarit të zakonshëm, kush fiton më shumë paguan më shumë. Ne duam të ofrojmë një paketë cliruese për biznesin. Ne e dimë shume mirë se situata ekonomike është e vështirë dhe shumë ndër ju, e jetojnë këtë direkt. Ne jemi të vetëdijshëm për kërcënimin që kriza ekonomike i bën biznesit shqiptar dhe kjo është e reflektuar në uljen e konsumit të të gjitha mallrave, mungesën e shitjeve në ndërtim, borxhet që ju kanë ngarkuar mospagesat dhe sidomos ato të qeverisë, rritjen e borxheve ndaj bankave dhe rritjen e borxheve të këqija- tha Rama.

Sipas tij, PS ka përcaktuar se politikat fiskale duhet te jenë në shërbim të drejtësisë sociale. Duam ta ndryshojmë rrënjësisht sistemin fiskal, duke kaluar në taksim progresiv për të gjithë- tha ai.

Rama ka theksuar angazhimin e PS për të lehtësuar sektorët kryesor të ekonomisë si sektorin e naftës, të energjisë dhe bujqësisë nga barra fiskale dhe administrative.
Ju jeni dëshmitar të mbingarkesës që ju ka shkaktuar në biznesi tuaj paparashikueshmëria e politikës fiskale. Gjatë viteve e fundit janë ndryshuar 65 herë. Ndryshime ligjore që ne do propozojmë do hartohen përmes diskutimeve serioze dhe realiste bashkë me komunitetin e sipërmarrësve si palë e interesuar. Asnjë ligj fiskal nuk do ketë efekt të menjëhershëm pa i lënë kohë biznesit të përgatitet,- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›