Strategjia e opozitës: Zgjedhje të parakohshme
TIRANË - Opozita avancon në kërkesat e saj duke kërkuar zgjedhje të parakohshme. Ky qëndrim vjen menjëherë pas refuzimit të maxhorancës për hapjen e kutive të votimit. Mbrëmë u mblodhën në një takim krerët e partive të majta dhe të djathta opozitare dhe përcaktuan strategjinë në vazhdim. Në përfundim, drejtuesit e partive politike ranë dakord që të vazhdojnë protestat deri në realizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Burimet zyrtare pohuan mbrëmë se tubimet do të nisin që nga dita e sotme. Sipas tyre, mbështetësit e partive të majta do të protestojnë sot para godinës së Televizionit Publik Shqiptar, për të kërkuar largimin e drejtorit të Përgjithshëm, Petrit Beci. Avancimi i kushteve nga opozita vjen vetëm 10 ditë pas përfundimit të protestës 3-ditore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u kërkua hapja e kutive të votimit.
Takimi
Acarimi i klimës politike dhe moria e akuzave që lëshoi kryeministri Berisha ndaj eksponentëve të lartë të opozitës duke i konsideruar si një klan punisto-mafioz, ka sjellë reagimin e ashpër të partive të majta dhe të djathta. Kryetari i PS-së mblodhi mbrëmë sërish në një tryezë aleatët e majtë dhe të djathtë për strategjinë që do të ndiqet pas skadimit të afatit 10-ditor dhënë qeverisë për hapjen e kutive. Në këtë takim, që zgjati më shumë se një orë, është vendosur që protestat e opozitës të vazhdojnë, tashmë jo deri në hapjen e kutive të 28 qershorit, por derisa vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Protestat do të fillojnë që sot para RTVSH, për të shkarkuar drejtorin e lajmeve, ka thënë kreu i G99-s Erion Veliaj.
Deklaratat
Skënder Gjinushi, kreu i PSD-së, pasi doli nga mbledhja, është shprehur: “Berisha u ballafaqua me protestën më të madhe. Berisha, dy gjëra ka frikë: protestën dhe bojkotin parlamentar. Kërkojmë transparencën e zgjedhjeve”, - tha Gjinushi, duke shtuar se “opozita është e vendosur për të protestuar në të drejtën e saj”. Ai tha se protestat do të jenë protesta paqësore për të arritur qëllimet e të majtëve. Sipas kreut të PSD-së, protestat nuk do merren me kolltukun e Sali Berishës.
Kryetari i Partisë Ligj për Drejtësi, Spartak Ngjela, deklaroi pak minuta pas takimit se çdo veprim alogjik, antiligjor dhe i pakontrolluar i këtij kryeministri do t’i përgjigjet vetëm populli me forcën e tij. “Sepse ndaj tij konstatohet një neveri totale”, - ka deklaruar Spartak Ngjela. Ai theksoi se “kjo që po ndodh nuk është revolucion, por qëndresë kundër tiranisë”. Ndërsa kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, deklaroi se kërkesat e të majtëve janë po ato: hapja e kutive dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.
“Jemi këtu të bashkuar për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Hapja e kutive është domosdoshmëri jo vetëm për forcat politike dhe për ata që votuan, por për fatin e të ardhmes së shqiptarëve”, - tha aleati i PS-së. Sipas tij, “bashkimi do t’i hapë rrugën zgjimit drejt zgjedhjeve të parakohshme që do t’i hapë Shqipërisë dyert e BE-së”.
Kreu i lëvizjes “G99” theksoi se është e kotë të bisedosh me këtë qeveri dhe me këtë kryeministër për zgjidhjen e krizës. Ai tha se po shqyrtohet mundësia për ngritjen e një komisioni për verifikimin e shëndetit mendor të zotit Berisha. Veliaj lajmëroi vijimin e protestave duke filluar që nga dita e premte. Ai lajmëroi nismën e partive opozitare për bojkotimin e Televizionit Publik Shqiptar deri në largimin e drejtorit të Përgjithshëm.
Edhe demokristiani Nard Ndoka akuzoi kryeministrin Berisha duke e konsideruar një shpifës ordiner. “Është e turpshme për një kryeministër që të merret me shpifje të ulëta”, - tha Ndoka. Sipas tij, kjo sjellje e tij tregon se Berisha është në një gjendje të vështirë, pasi është përballur me protestën më të madhe të 20 vjetëve. “Ajo që i kemi kërkuar zotit Berisha është thjesht transparenca e procesit zgjedhor”, - tha kryetari i PDK-së, duke lajmëruar se protestat nuk do të jenë revolucion, por kanë formë paqësore. Ai i bëri edhe një herë apel Prokurorisë së Përgjithshme që të shqyrtojë kallëzimin e bërë nga PDK-ja për vjedhjen e votave në rrethin e Shkodrës.
Takimi mes krerëve të partive opozitare zgjati rreth një orë. Në tryezën e bisedimeve ishte edhe kryetari i PDS-së, Paskal Milo dhe ish-nënkryetari i LSI-së, Ndre Legisi.
REAGIMET
1- Gjinushi: “Të vendosur të protestojmë”
Skënder Gjinushi kreu i PSD-së, është shprehur: “Berisha u ballafaqua me protestën më të madhe. Berisha, dy gjëra ka frikë: protestën dhe bojkotin parlamentar. Kërkojmë transparencë zgjedhjesh. Të vendosur të protestojmë për të drejtën tonë”.
2- Ngjela: “Qëndresë kundër tiranisë”
Kryetari i Partisë Ligj për Drejtësi, Spartak Ngjela, u shpreh: “Çdo veprim alogjik, aligjor dhe i pakontrolluar i këtij kryeministri do t’i përgjigjet vetëm populli me forcën e tij.
Sepse ndaj tij konstatohet një neveri totale”.
3- Dule: “Protesta, për zgjedhje të parakohshme”
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, deklaroi: “Jemi këtu të bashkuar për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Bashkimi do t’i hapë rrugën zgjimit drejt zgjedhjeve të parakohshme. Forma e protestës do të jetë me demokraci dhe vetëm me demokraci”.
4- Veliaj: “Komision për verifikimin e shëndetit mendor të Berishës”
“Do ta bojkotojmë TVSH-në. Nuk do të shkojmë në asnjë debat. Publiku të ruajë qetësinë. Po shikojmë mundësinë e një ngritjeje të komisionit për të verifikuar gjendjen mendore të kryeministrit. Të dëshmojë që ai është i aftë të qeverisë”.
Ndoka: “Do të bëjmë protestë, jo revolucion”
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, deklaroi se kjo sjellje tregon se Berisha është në një gjendje të vështirë, pasi është përballur me protestën më të madhe të 20 vjetëve. Protestat nuk do të jenë revolucion, por kanë formë paqësore.
Protesta e 20 nëntorit bashkoi opozitën
Protesta treditore, që nisi më 20 nëntor me moton “Dua të shoh votën time”, bashkoi të gjitha formacionet politike opozitare të krahut të majtë dhe të djathtë. Me dhjetëra mijëra veta morën pjesë në mitingun maratonë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para selisë së Kryeministrisë, ku iu kërkua zotit Berisha që të hapë kutitë e votimit për tri qarqet e vendit. Në mitingun e hapjes ishin të pranishëm të gjithë krerët e partive opozitare. Në mbyllje të protestës, më 22 nëntor, zoti Rama pati një konsultim mes partive aleate, ku u ra dakord që të jepet një afat 10-ditor për maxhorancën në lidhje me kërkesën për hapjen e kutive të votimit. Por, zoti Berisha nuk e mori në konsideratë propozimin e opozitës. Përkundrazi, dy ditë më parë lëshoi një lumë akuzash për zotin Rama dhe aleatët e tij më të ngushtë në PS dhe partitë e tjera, duke i quajtur një klan punisto-mafioz. Deri tani, PDK-ja ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka paraqitur prova shkresore se komisionerët në qarkun e Shkodrës i kanë vjedhur votat.
4 Dhjetor 2009