Rama bllokoi integrimin - më 23 qershor do “i bjerë kokës”

Reagon ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, si shkaktarin kryesor të bllokimit të votimit të tre ligjeve, që do të çonin Shqipërinë drejt statusit të vendit kandidat për në BE, duke humbur kështu, veç të tjerash, mundësinë e përfitimit dhe marrjes së financimeve, në vlera të konsiderueshme monetare dhe të rëndësishme për ekonominë e vendit.
Në një deklaratë për mediat, ministrja Bregu theksoi se, “200 ditë më parë, Bashkimi Europian deklaroi se Shqipëria ishte një hap larg marrjes së statusit. Që të kapërcehej ky hap u vendos vetëm një kusht: votimi i 3 ligjeve. Në plot 200 ditë, vazhdimisht e vazhdimisht Rama pati vetëm një impenjim: bllokimin e këtyre 3 ligjeve, bllokimin e aspiratës europiane të të gjithë shqiptarëve. Në çdo seancë parlamentare, të zhvilluar në këto 200 ditë, Rama e ka refuzuar, i ka thënë me këmbëngulje ‘jo’ kërkesës së përhershme të mazhorancës, për t’i votuar 3 ligjet”.
Më pas ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu vuri në dukje se qytetarët shqiptarë kanë 200 arsye për të mos e votuar Edi Ramën.
“Çdo ditë e bllokimit të statusit kandidat është një arsye më shumë për të mos e votuar Edi Ramën. Çdo gënjeshtër, manovër politike gjasme evropiane, alibi pa sens e shpesh kontradiktore, është një arsye më shumë që shqiptarët të mos votojnë Edi Ramën. Për 200 ditë bashkë me statusin Edi Rama u ka mohuar qytetarëve dhjetëra milionë euro fonde të Bashkimit Europian. Vazhdon t’u mohojë shqiptarëve dhjetëra-mijëra vende pune që lidhen me integrimin e vendit në BE. Vazhdon t’u mohojë të rinjve mundësi studimit, kualifikimit dhe karriere profesionale në vendet më të mira europiane”, nënvizoi ministrja e Integrimit.
Ndër të tjera, Bregu u shpreh se është më e qartë se kurrë se bllokimi i Ramës nuk lidhet as me moralin e as me thelbin e këtyre tre ligjeve. Sipas saj, bllokimi është politika e vetme e tij, është qëllimi i tij i vetëm elektoral. “Zvarriti e bllokoi në mënyrën më cinike tre ligjet, sepse kështu mendon se fiton vetë. Ai kujdeset vetëm për veten. Ai do vetëm pushtetin e tij. Asgjë dhe askush nuk vlen e nuk duhet, nëse s’i sjell atij fitoren. Ai nuk do tia dijë sa vende pune e sa para humbasin qytetarët e këtij vendi, sepse i vetmi shqetësim i tij është posti i tij”, vijoi ajo.
Sipas saj, Shqiptarët duan të ecin përpara. “Ne do të vazhdojmë të punojmë fort për anëtarësimin e Shqipërisë, në BE, ashtu siç e meritojmë. Kemi ecur në rrugën e duhur, duke përmbushur çdo ditë detyrimet e reformat që kërkon ky proces”, vlerësoi ministrja e Integrimin, e cila në fund të deklaratës së saj, garantoi se mazhoranca nuk do të ndalet.
“23 qershori do të jetë dita e fundit e bllokimit. Blloku që Rama u ngriti shqiptarëve, do t’í bjerë kokës, atij vetë, më 23 qershor”, përfundoi ajo.