“Askush nuk mund të ndërhyjë në vendimet e gjyqtarit të çdo gjykate”

Presidenti Bujar Nishani prezanton kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe anëtarët e rinj
Apeli i kreut të shtetit: Gjykata e Lartë të drejtojë procesin e përmirësimit të gjyqësorit
Përpara trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë u zhvillua ceremonia e prezantimit në detyrë të Kryetarit të ri të Gjykatës së Lartë zotit Xhezair Zaganjori, si dhe dy anëtarëve të sapoemëruar, Admir Thanza dhe Tom Ndreca.
Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, në ambientet e Gjykatës së Lartë, ishte i pranishëm Presidenti i Republikës Bujar Nishani.
Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti i Republikës Bujar Nishani, vuri theksin tek rëndësia e madhe që ka unifikimi i praktikave gjyqësore.
Sipas tij, forca dhe pushteti ligjor që ka Gjykata e Lartë, krijon mundësinë dhe hapësirën që nuk e ka as një organizëm dhe mekanizëm tjetër për të kontrolluar dhe orientuar si dhe përcaktuar mënyrën e funksionimit të gjykatave të faktit dhe apelit dhe të punës profesionale të çdo gjyqtari.
“Askush nuk mund të ndërhyjë, të shohë, të gjykojë, të analizojë një vendim të çdo gjyqtari të çdo gjykate, kudo që të jetë ai dhe cilit nivel që i përket, as KLD nuk mund ta bëjë këtë dhe asnjë institucion tjetër. I vetmi mekanizëm dhe i vetmi institucion që ka hapësirën ligjore, që ka kapacitetet profesionale është Gjykata e Lartë dhe unifikimi i praktikave gjyqësore është mjeti më efikas për të mos thënë dhe i vetmi pas përcaktimeve ligjore, i cili do të orientojë qartë sesi duhet të sillet një gjyqtar në marrjet e vendimit për çështjet që shqyrton dhe nga ana tjetër është mekanizmi më i mirë për të identifikuar shkeljet ligjore të gjyqtarëve, është mekanizmi më i mirë për të identifikuar vendimet e gabuara, vendimet e padrejta, është mekanizmi më i mirë për të identifikuar shkeljet procedurale që do të thotë është mekanizmi më i mirë për të verifikuar se në çfarë rasti nuk bëhet drejtësi ndaj qytetarit”.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, Kryetari i Gjykatës së Lartë Zaganjori theksoi se, “vendi ynë, në kuadër të integrimit në strukturat evropiane ka nevojë të ndjekë modelet e vendeve me demokraci të zhvilluar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe atyre perëndimore, të cilat falë bashkëpunimit me pushtetin legjislativ, ekzekutiv, por dhe median, si dhe falë profesionalizmit, integritetit, dhe përkushtimit, kanë arritur të kenë një gjyqësor i cili është kolonë e rëndësishme brenda një shteti demokratik”.
Ai iu referua parimit kushtetues që qëndron në themel të ndërtimit të pushtetit shtetëror në çdo vend demokratik, parimit të ndarjes së pushteteve.
“Në kuadër të ruajtjes së vlerave të demokracisë si formë qeverisje dhe mbi të gjitha mbrojtjes së interesave të qytetarëve, Shqipëria, e cila ndodhet përballë sfidave të mëdha, ndër më thelbësoret ka atë të konsolidimit të shtetit të së drejtës. Gjykata e Lartë, e cila qëndron në krye të piramidës së pushtetit gjyqësor, ka një sërë detyrimesh të rëndësishme, si rritjen e transparencës, pavarësisë, performancës dhe përgjegjësisë funksionale në mënyrë që ky pushtet të vijë duke u forcuar e konsoliduar për të përmbushur me sukses rolin dhe misionin e dhënies së drejtësisë, të udhëhequr nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet në fuqi, gjithmonë në funksion të garantimit të një jete më të mirë, më të sigurt dhe të begatë për qytetarët”, vijoi më tej kreu i sapozgjedhur i Gjykatës së Lartë. Zaganjori garantoi Presidentin e Republikës, se do të rrisin profesionalizmin në shërbim të rritjes së shpejtësisë së gjykimit të çështjeve, në mënyrë që, përfituesi kryesor të jetë me të vërtetë shteti shqiptar, forcimi i demokracisë shqiptare, por në radhë të parë të jetë qytetari shqiptar.