E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Komision hetimor përfshi kutitë

Deklarata
Deputeti i PS thotë se në të kundërt ai do minonte tryezën e negociatave

Partia Socialiste deklaron se një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet, i cili kufizon objektin e hetimit, është memec dhe si i tillë nuk mund ta arrijë qëllimin. Deputeti socialist, Saimir Tahiri, në një prononcim për gazetën “Shqip”, tha se “deklarata e mazhorancës për ngritjen e një komisioni hetimor, edhe pse ka kryesimin dhe shumicën nga opozita, por i kufizuar në mjetet dhe mundësitë e hetimit siç është hapja e kutive, tregon se ky komision në veprimtarinë e vet do të jetë memec dhe i dështuar”. Pra, sipas Tahirit, një komision hetimor parlamentar, i cili ka mjete dhe instrumente hetimore të pakufizuara nga ana e mazhorancës, është tërësisht ligjore dhe në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, asnjë institucion tjetër nuk ka në veprimtarinë e tij kushtetuese hetimin e zgjedhjeve, hetimin e zbatimit të ligjit zgjedhor apo hartimin e rekomandimeve dhe nismave ligjore për të përmirësuar këtë situatë, duke parandaluar përsëritjen e manipulimeve në të ardhmen.
“Të hetosh manipulimin e zgjedhjeve, të hetosh nëpërmjet provave të padiskutueshme nëse manipulimi zgjedhor vjen si pasojë e një sipërmarrjeje të organizuar apo fenomen spontan, të hetosh se si mund të përmirësohet kjo gjendje është një tagër absolut dhe prerogative e padiskutueshme e Kuvendit nëpërmjet një komisioni parlamentar”, u shpreh Tahiri. Për socialistët, çdo skemë tjetër e mazhorancës për të anashkaluar hetimin e plotë e të vërtetë të zgjedhjeve të 28 qershorit nga ana e opozitës do të minojë përfundimisht tryezën e dialogut mes palëve, moment ky që sipas deputetit Tahiri do të përcaktonte largimin përfundimtar të Kryeministrit Berisha. “Duhet theksuar se çdo iniciativë e njëanshme e mazhorancës për të hetuar vetë ajo zgjedhjet do të jetë antikushtetuese dhe do e minojë njëherë e mirë tryezën e dialogut mes palëve”, theksoi Tahiri. Nuk kemi pse ndryshojmë qëndrimin, tha ai, për shkak të asaj çka bën mazhoranca apo pilotët e sponsorizuar në korsinë e emergjencës së mazhorancës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›