Rama dhe misioni i pamundur për të prishur rezultatin
Do të cilësohet “Misioni i pamundur i Edvinit për të shkatërruar rezultatin zgjedhor”. Nuk ka besuar tek shprehja “Prit dhe shpreso”, por tek ajo “manipulo dhe prish”. Fytyrënxirë, Edvini ka mbërritur në një konferencë shtypi me policët bashkiakë në oborr, të cilët ishin porositur të duartrokisnin pas çdo fjale te Edvinit në konferencë, mirëpo u bënë aq të neveritshëm sa vetë ky i fundit duke nënkuptuar veprimin e tyre, me një shikim duket se u tha: “Ore policë, po boll se e kuptova që keni ardhur të gjithë”. Kështu pra ky njeri që nxin e sterrohet kur puna bëhet për të mirën e vendit nuk la pa nxjerrë nga goja gjithë jehonën shtjelluese të ligësisë që i është grumbulluar në shpirtin e zi. Pak përpara dorëheqjes së paralajmëruar, Edvini nxori gjithë mellanin, aq sa një mik më tha duke qeshur: “E dëgjove Edin, fliste si Enveri…? Grup armiqësor e pyeta. Aty rrotull, më tha. Ky njeri që aksidentalisht përfaqëson socialistët shqiptarë, pasi asnjëherë nuk ka qenë socialist, i punon mendja vetëm për paudhësi të cilat kanë çuditur edhe botën. Njeriu që shpiku orën e e vjedhur të Bushit, njeriu që nuk ka lënë gur pa hedhur kundër integrimit të këtij vendi, sërish shfaqet në një konferencë shtypi dhe dënon aleancën e një partie me një tjetër. Cili je ti more burrë që kërkon që të tjerët të rrotullohen rreth qerres tënde të prishur? Mulliri yt ka jo më një rrotë të ngrënë, por gjithë karabinanë të shembur, nuk bluan dhe as ka për të bluar më. Ditët deri në shpalljen e rezultatit janë të fundit në postin e kryetarit të PS e cila në këto vite drejtimi ka pësuar vetëm shpërfytyrime si në kohën e Palit. Ky njeri do të etiketohet si ai Pali i byrosë për të cilën populli tha: “Dil o sheleg nga kanali se nga Fieri iku Pali...” Ndërsa tash do të mund të thuhet: “Zbrisni o socialistë nga halli, se nga partia iku kryetari”.
Partitë e vogla
Askund në botë, duke u nisur nga përqindja e popullatës, nuk ka kaq shumë parti të vogla çfarë i sheh te shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni. Këto në realitet nuk janë parti të mirëfillta, sepse janë fraksione të ndara nga “partia” mëmë. Këto nuk promovojnë ide politike, por promovojnë liderë karrieristë, të cilët me çdo kusht dëshirojnë të jenë diku “të parët”, prandaj edhe ndahen nga partia “mëmë”, pasiqë aty krijohen fraksionet, jo ideologjike, por karrieriste. Janë këto parti të vogla, që ngadalë mbesin pa elektorat dhe shuhen, si kudo në botë. Dhe kështu nga skena politike shqiptare largohen të gjithë ata që kanë dëshiruar të jenë të “të parët” në parti, e nuk ka qenë e rëndësishme platforma partiake politike. Tashmë po shihet se këto parti të vogla, të cilat konkurrojnë për pushtet, llogarisin në koalicione, të fitojnë së paku një a dy mandate, kaq u mjafton, vetëm të jenë në parlament. Por të gjitha këto parti të vogla kanë dalë pikërisht nga partia, të cilën tash e konkurrojnë. Pra nuk ka pasur parti të vogla bazë, përveç një a dy, prandaj këto parti kanë qenë fabrika për prodhimin infantil të liderëve politikë. Më shumë ka liderë politikë Shqipëria se të gjitha shtetet e mëdha. Por dalja nga politika e Cekës, Gjinushit, Paskal Milos etj, është një shenjë se në skenën politike shqiptare po kthehet normaliteti, e jo siç është e ishte një arenë e kundërthënieve të patentuara (vetëm sa për ta bindur elektoratin se ata kanë ide diferente politike) e debateve dhe e kundërthënieve politike aq të tmerrshme. Aq të tmerrshme saqë atë që ka ndodhur, harroje, por ç’t’i bësh kësaj që po ndodh ende, kur një partiak thërret popullin ta mbrojë votën me gjak?! Këtyre partive të vogla që u ndanë nga “mëma” u mungonte platforma, ideja, qëllimi. Jepnin vetëm premtime: nëse ne vijmë në pushtet do të bëjmë kështu e kështu, por asnjëfarë programi konkret nuk dilte në opinion, vetëm premtime. Pra është parë se ka pasur shumë individë karrieristë të pushtetin. Atyre u intereson vetëm pushteti. Kurse pushteti nuk ka vend për të gjitha ato parti e individë që shumëzohen, thuajse në Shqipëri nuk ndodh asgjë, vetëm politikë. Koha e tranzicionit politik mbase kërkonte këtë fakturë, ku pluralizmin e kuptojnë si shumë individë, e jo si shumë ide politike, programe politike.
...