E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu në shtator para Gjykatës së Lartë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Dosja “Gërdeci”

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë shtyn për në vjeshtë seancën gjyqësore në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Arsyeja e shtyrjes ishte mungesa e avokatëve të cilët deklaruan se ishin bllokuar gjatë udhëtimit në rrugën Durrës-Kukës. Por vendimi i Kolegjit Penal nuk është pritur mirë nga familjarët e 26 viktimave të shpërthimit të depos së demontimit të municioneve në Gërdec. Menjëherë pas mbylljes së seancës, ata deklaruan se procesi po shtyhet qëllimisht dhe se për të afërmit e tyre kjo është një vrasje e dytë. Madje, ata kanë deklaruar se do të kalojnë në vetëgjyqësi, në rast se drejtësia nuk do të vihet në vend.
Vendimi
Gjykata e Lartë shtyn për në datën 14 shtator seancën në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në seancën që zgjati vetëm 7 minuta, Kolegji Penal vendosi shtyrjen e seancës, pasi avokatët deklaruan se ishin bllokuar në rrugën Durrës-Kukës, e për këtë arsye nuk mund të marrin pjesë në seancë. Prokurorët deklaruan në seancë se rruga mbyllet në orën 11:00 të ditës së djeshme e për këtë arsye avokatët duhet të kishin mbërritur në seancë. Gjithsesi, Kolegji Penal, në mungesë të avokatëve e kërkesës së tyre për të shtyrë seancën, vendosi shtyrjen për më 14 shtator. Ndërkohë që dje duhej të niste shqyrtimi i dosjes së veçuar të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, gjë që sipas prokurorisë solli dhe tragjedinë e Gërdecit.
Shpërthimi
Shpërthimi i një fabrike të çmontimit të municioneve mesditën e 15 marsit të një viti më parë në Gërdec, u mori jetën 26 personave si dhe u plagosën 300 të tjerë. Pas një viti hetimesh, prokuroria vuri nën akuzë 30 persona, ku top-listën e kryesonte ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, disa ish-ushtarakë të lartë, administratori i "Alba Demil", Mihal Delijorgji dhe ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari. Gjykata e Lartë e ndau në tri pjesë dosjen e shumëpërfolur, duke mbajtur për gjykim vetëm ish-ministrin Mediu, ndërsa dosjen për 29 të pandehurit e tjerë ia dërgoi për kompetencë Gjykatës së Tiranës.

Familjarët: “Presidenti të ndërhyjë për të vendosur drejtësinë”

Të revoltuar nga shtyrja e seancës gjyqësore në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, familjarët e viktimave të Gërdecit kërkuan që Presidenti i vendit dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të ndërhyjë që procesi të mos zvarritet. “Seanca u shty se mungonin avokatët. Seanca e radhës është lënë në 14 shtator, fakt që do të thotë se deri atëherë Mediu ka marrë një tjetër mandat deputeti, nuk do të gjykohet fare dhe del i pafajshëm. Kjo që po ndodh është një vrasje e dytë për të afërmit tanë dhe nuk do ta lejojmë. Në rast se gjykatat nuk do të ndëshkojnë fajtorët, ne do të kalojmë në vetëgjyqësi”,- deklaroi dje pas seancës gjyqësore në Gjykatën e Lartë, një prej familjarëve të viktimave të 26 marsit të vitit të shkuar.

26
është numri i viktimave të tragjedisë së 26 marsit në fabrikën e demontimit të armëve të Gërdec të Vorës ku mbetën të plagosur edhe 300 persona të tjerë

4
është numri i të dyshuarve të vënë në pranga në lidhje me këtë ngjarje. Mihal Delijorgji, Ylli Pinari e Dritan Minxolli, janë arrestuar disa orë pas tragjedisë

44
është numri i dosjeve që po shqyrtohen në Gjykatën e Tiranës në lidhje me kthimin e një shume parash, të cilat dyshohet se banorët e Gërdecit i kanë fituar padrejtësisht

Ky lajm është publikuar: 07/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›