Madhi sulmon Ramën: Mediu është i pafajshëm
Republikanët besojnë verbërisht në pafajësinë e Fatmir Mediut. Kreu i grupit parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, është në të njëjtën linjë me ish-ministrin e Mbrojtjes, duke thënë se disponon fakte dhe dokumente që vërtetojnë pafajësinë e Mediut. "Forcat e Armatosura nuk shmangen dot nga përgjegjësia e asaj që ndodhi më 15 mars në Gërdec", u shpreh Madhi, duke paraqitur disa dokumente dhe memo të Ministrisë së Mbrojtjes, ku e ngarkojnë Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura me peshën e fajit për ngjarjen e Gërdecit. Partia Republikane reagoi dje lidhur me kërkesën e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kryetar dhe deputet i PR-së. Në një konferencë për shtyp, kryetari i grupit parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, tha se "pasi u njohëm me kërkesën e Prokurores së Përgjithshme për dhënie autorizimi për fillimin e procesit penal ndaj kryetarit Mediu dhe lidhur me komentet mbi këtë kërkesë, vlerësojmë se forma dhe mënyra e përcjelljes publike të këtij fakti juridik është e paprecedentë dhe joprofesionale nga ana e saj". Madhi theksoi se do të provojmë pafajësinë e Mediut. "Disponoj dokumente që vërtetojnë pafajësinë time", u shpreh një ditë më parë Fatmir Mediu në një konferencë për shtyp. Konferenca e kreut republikan dukej më shumë edhe si një paralajmërim se do të nxjerrë emra të tjerë të implikuar në këtë çështje nëse nuk ka transparencë në hetimet e ndjekura nga organi i Prokurorisë. Në akuzat që i ka bërë Prokurorisë së Përgjithshme për hetime të njëanshme, kreu i republikanëve ka lënë të kuptohet se kreu i akuzës po mundohet të shpëtojë ushtarakët e ministrisë dhe të burgosë civilët e saj. "Ministri nuk është ushtar, nuk është nënoficer, as oficer. Ministri është autoriteti civil në Ministrinë e Mbrojtjes dhe sipas rregullores së Ministrisë së Mbrojtjes, në mënyrë absolute dhe vendimi i Këshillit të Ministrave, Kushtetutës, ministri është njeri politik. Nëse mendohet se ministri bën dhe përpilon urdhrin, dhe po të shikoni të gjitha urdhrat janë iniciuar nga nivelet e poshtme, qoftë civile dhe qoftë ushtarake, dhe mendoj që çdo ministër vepron po në një logjikë të tillë, në çdo vend të botës", tha Mediu. Lidhur me aktin e dorëheqjes, Mediu ka theksuar se "nëse flasim për përgjegjësinë, të gjithë ne që kemi firmosur, patjetër që duhet të jemi në prag të dorëheqjes për sa kohë ka ndodhur një tragjedi, për të kuptuar përgjegjësitë tona në kuptimin moral dhe njerëzor". Kreu i grupit republikan, një ditë pas ish-ministrit Mediu, është shprehur se urdhrat janë nisur nga nivelet e poshtme, duke vënë drejtpërdrejtë gishtin mbi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe ushtarakët e tjerë funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes.