E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama diskuton me kryebashkiakët e majtë planin e veprimit

TIRANË- Kreu i opozitës , Edi Rama ka mbledhur gjatë orëve të pasdites kryetarët e bashkive të zgjedhur nga PS për të detajuar planin e veprimit të vitit 2012. Të pranishëm në këtë takim kanë qenë dhe sekretarët e rinj të zgjedhur nga Asambleja e PS si dhe kryetari i Grupit Parlamentar dhe Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi.

Zyra e shtypit e PS-së bëri të ditur se gjatë kësaj mbledhjeje e cila u zhvillua në qytetin e Durrësit, kreu i selisë rozë ka folur për një specifikë të ndryshme e të re të këtij takimi me drejtuesit e pushtetit vendor dhe me sekretariatin e sapozgjedhur socialist.

Rama pohoi për hartimin e një plani të detajuar angazhimesh sa i takon gjithsecilit në këtë sekretariat të ri.
“Me sekretariatin kemi punuar me një plan të detajuar për çdo fushë që ata mbulojnë. Secili do kërkojë nga ju kontribut bazuar mbi planin e përgjithshëm”,- u shpreh Rama.

Rama tha se çdo temë e diskutuar dhe çdo fushë e identifikuar në funksion të zgjedhjeve kërkon kontribut elektoral nga kryetarët e bashkive.

Sekretari Blendi Klosi u ndal në aspektet e organizimit duke dhënë disa pika nga aktivitetet afatshkurtra dhe afatgjatë të PS për vitin 2012: “ Në vitin 2012 do duhet të kemi një rishtim të radhëve të PS me 30%. Kjo do kërkojë shumë punë dhe një aksion të madh politik. Do bëjmë takime në të gjithë Shqipërinë me problematika të ndryshme, duke prezantuar programin e ri politik por edhe duke prekur shtresat e caktuara të shoqërisë. Do organizojmë aktivitete që do dëshmojnë frymën tonë dhe gadishmërinë tonë për të qeverisur vendin. Anëtarësia aktive duhet të rigjenerohet. Për dy mujorin që vjen kemi fushatën opozitare për mbledhjen e firmave për referendumin e mbetjeve. Një iniciativë e thënë për së pari nga ne, pra nga Partia Socialiste”, theksoi  Klosi.

Ndërsa duke u ndalur në riorganizimin e të gjithë burimeve njerëzore të forcës që drejton Edi Rama ka kërkuar, ashtu si edhe në takimin me kryetarët e rretheve, krijimin e një shtresëzimi të anëtarësisë së PS në anëtarë dhe anëtarë aktiv.  E gjitha kjo, për liderin e PS për të mundësuar hartimin e një regjistri elektronik mjaft të domosdoshëm për aktivitetin politik të socialistëve në çdo qytet e fshat.

Në fund të këtij takimi Rama u shpreh se ky vit kërkon një fushatë gjithëpërfshirëse me energji pozitive, që fillimisht duhet të vij në radhët e Partisë Socialiste.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›