Rama: Çdo ditë protesta pa ndalim
Aristir Lumezi
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u bëri thirrje dje shqiptarëve të bashkohen dhe të protestojnë çdo ditë pa ndalim, për çdo shkelje që iu bëhen nga pushteti. Rama theksoi se 30 prilli do të kulmojë me një protestë madhështore në Bulevardin e madh, për të vazhduar më pas pa ndalim sërish së protestuari deri në dhënien fund të keqqeverisjes. “U bëj sot apel të gjithë qytetarëve të rimarrin në dorë fatin e tyre, të marrë peng prej një pushteti që pasi grabiti votat, po rrënon ekonominë e vendit dhe të çdo familjeje shqiptare. Të hapim kutitë dhe ndalim rrënimin ekonomik përmes protestave pa ndalim. çdo ditë një protestë, për t’u takuar që të gjithë më 30 prill në Bulevardin e Tiranës”, apeloi dje Rama, në mënyrë të përsëritur. Në qendër të protestave, sipas tij, duhet të jenë shqetësimet e përditshme të qytetarëve. “Të bashkohemi të gjithë për të refuzuar faturat e pa përballueshme të kësaj Qeverie, që zhytet përditë në borxhe duke rritur çmimin e jetesës. Të bashkojmë forcat për të dënuar krimin elektoral dhe për të hapur kutitë e shpresës. U bëj thirrje të papunëve, jo vetëm atyre që iu vodhën votat më 28 qershor, të rimarrin në dorë fatet e familjeve të tyre. çdo ditë një protestë për t’u rikthyer më 30 prill në mitingun e madh të Tiranës”, u shpreh Rama, gjatë një komunikimi për mediat në selinë rozë. Siç theksoi Rama, vetëm të bashkuar mund t’i jepet fund pushtetit që po qeveris keq vendin. “Vetëm të bashkuar mund t’i japim fund këtij pushteti, që pasi fundosi zgjedhjet fundosi ekonominë duke varfëruar xhepat çdo ditë e më shumë”. Ai këmbënguli se të njëjtën gjë duhet të bëjnë bujqit, ish-minatorët dhe ata që nuk gjejnë shteg në këtë shtet që dhunon këdo që s’është me familjen në pushtet”, u shpreh Rama. Partia Socialiste, vijoi ai, ndjen detyrimin e pashmangshëm të pjesëmarrjes në çdo protestë ku do të ftohet nga qytetarët. “T’i japim jetë me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin një proteste pa ndalim, që të mbyllet një kapitull i shëmtuar padrejtësish, që rrënjët i ka te deformimi i vullnetit të njerëzve në kutitë e votimit”, bëri thirrje kryetari socialist. Kreu i PS bëri të ditur se 30 prilli, jo vetëm që do të jetë dita e protestës së fuqishme qytetare, por do të jetë dhe nisja e protestave të mëtejshme. “Partia Socialiste ndjen detyrimin e pashmangshëm të pjesëmarrjes në çdo protestë, ku do të jetë e ftuar nga qytetarët dhe mbështetës së plotë morale të çdo proteste që vetë qytetarët do të organizojnë, kudoqoftë, për çfarëdo çështje të jetës së tyre të rënduar nga keqqeverisja dhe sado të pakët në numër qofshin. Ndërkohë, së bashku me partnerët e koalicionit opozitar, ne do të ndërmarrim edhe nismat tona protestuese në rrugën e protestës kulmore të 30 prillit. E cila nuk do të ndalet, por do të pasojë më pas, më 1 maj e më tutje, me të gjitha format demokratike, në Tiranë e në gjithë Shqipërinë”, njoftoi Rama në konferencën e shkurtër për shtyp. Apeli i kryetarit socialist për të protestuar kundër Qeverisë aktuale nuk kishte asnjë kufizim, u adresohej madje dhe buxhetorëve. “U bëj apel rrogëtarëve të keqtrajtuar të shtetit në administratë, spitale, shkolla, agjenci e ndërmarrje shtetërore, të rimarrin në dorë fatin e tyre si qytetarë, që nuk mund të kthehen në skllevërit e një pushteti të ngritur mbi korrupsionin e votës dhe futjen kudo të frikës së largimit nga puna për një llaf goje. Vetëm të bashkuar mund t’i japim fundin që meriton këtij pushteti, që pasi fundosi zgjedhjet po fundos edhe ekonominë duke i lënë njerëzit përditë e më të papunë, përditë e më të pashpresë”, u shpreh Rama.
Mimi Kodheli
Ndërkaq deputetja Mimi Kodheli tha se Qeveria Berisha është e paaftë për nxjerrjen e vendit nga kriza ekonomike. “Inflacioni zyrtar në muajin shkurt të vitit 2010 rezultoi 4.4% duke tejkaluar me 0.4 pikë kufirin e sipërm të tolerancës së përcaktuar nga Banka e Shqipërisë. Pushteti i Sali Berishës, i ngritur mbi manipulimin e votës po rrit çmimet, po shton papunësinë, po zhyt Shqipërinë gjithnjë e më tepër në krizë dhe po e vështirëson çdo ditë e më shumë jetën e gjithsecilit prej nesh”, theksoi Kodheli.
Lushnja
Ka nisur nga qyteti i Lushnjës “sezoni” i protestave të opozitës. Opozitarët e Lushnjës u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit, ku të pranishëm ishin dhe tre deputetët e këtij rrethi: Bashkim Fino, Arben çuko dhe Fatos Tushe. Me thirrjen që Shqipëria nuk do të lejojë të kthehet në një Ruzhdie, deputeti Bashkim Fino ka thënë para protestuesve se tashmë Kryeministri i mashtrimeve të mëdha dhe i skandaleve të pamasa është në orët e fundit të tij. “Berisha dhe klika e tij drejtuese nuk mund të hapë kutitë, pasi me cenimet që ai ka kryer i ka bërë ato kuti si kutia e Ruzhdies”, është shprehur Fino.