E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërmarrjet, formulë e re për Këshillin Mbikëqyrës



Këshilli Mbikëqyrës tashmë do të ketë edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave. Ky është ndryshimi më i ri që ju bë projektligjit “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare” që u miratua dje në Komisionin e Ekonomisë. Nëse më parë raporti i përfaqësuesve të ministrive në Këshillin Mbikëqyrës ishte 1/3 për Ministrinë e Ekonomisë dhe 2/3 për ministritë e linjës, tashmë formula ka ndryshuar. Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë të ketë 1/3 e përfaqësuesve, 1/3 do të jetë për ministritë e linjës dhe 1/3 tjetër do të ketë përfaqësues të Ministrisë së Financave. Siç edhe përcaktohet në projektligj, synimi i tij është që të sigurojë mirëmenaxhimin e të ardhurave të shoqërive aksionere me kapital shtetëror, duke pasur parasysh se Ministria e Financave ka një rol të rëndësishëm në politikat e zhvillimit ekonomik. Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Financave, Linda Rusmajli sqaroi se qëllimi i këtij projektligji është monitorimi nga kjo ministri e mirëmenaxhimit të shoqërive tregtare, si informimin e shpejtë dhe të saktë nga ana e tyre. Komisioni i Ekonomisë aprovoi këtë projektligj së bashku me propozimin e ri, duke e kaluar për miratim në seancën plenare të radhës në Parlament. Deputetët vlerësuan se ky ligj paraqet disa anë pozitive, të cilat priten që të rrisin miradministrimin e shoqërive të përcaktuara në të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›