Balla: Vendi i zhytur në krizë, shqiptarët po varfërohen çdo ditë
Partia Socialiste ka akuzuar sërish Kryeministrin Berisha për krizën ekonomike që po kalon vendi. Deputeti Taulant Balla, gjatë një komunikimi me mediat, tha se përmes votës së vjedhur, Kryeministri Berisha po mban në këmbë një pushtet hajdutësh dhe po i varfëron shqiptarët çdo ditë e më shumë. Balla tha se çmimet e shportës janë rritur ndjeshëm, duke thelluar varfërinë të cilën sipas tij nuk e ndjejnë vetëm Kryeministri dhe oborri i tij. “Vetëm familja e Sali Berishës dhe familjarët e oborrit të superpasuruar nga korrupsioni nuk e ndjejnë sot thellimin e varfërisë për shkak të rritjes së çmimeve. çmimet e shportës ushqimore janë rritur frikshëm bashkë me inflacionin. Fatkeqësia më e madhe nuk është që Sali Berisha i vodhi zgjedhjet e 28 qershorit, por fakti që Berisha përmes vjedhjes së votave po mban me pahir një pushtet për të vjedhur shqiptarët” u shpreh Balla.
Duke bërë një ekspoze të situatës ekonomike në vend, Balla tha se situata është më e zymtë se kurrë. “Situata e vendit sot paraqitet më e zymtë se kurrë. Veriu dhe Juglindja e Shqipërisë ende nuk e kanë marrë veten nga përmbytjet e dimrit që lamë pas, të cilat erdhën si pasojë e papërgjegjshmërisë, babëzisë dhe korrupsionit të pushtetit të Sali Berishës dhe familjes së tij.
Qeveria e votave të vjedhura e Sali Berishës, jo vetëm që nuk po rrit punësimin, por numri i vendeve të punës po ulet ndjeshëm çdo muaj”, u shpreh Balla.