PS, zbulohen ndryshimet në statut
Aristir Lumezi
Kreu socialist do të mbledhë Asamblesë Kombëtare, për të miratuar ndryshimet e reja të statutit. Gazeta “Panorama” paraqet sot draftin e plotë, mbi të cilin do të bazohet Asambleja Kombëtare, në të cilën nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim thelbësor, me përjashtim të ndonjë rregulli në formulimin e ndonjë neni të ri të statutit. Drafti i ri rikthen organizimin e PS në bazë, njëlloj si në kohën e Fatos Nanos, duke pranuar se mungesa e përvojës dhe dëshira për të eksperimentuar struktura të reja. PS ngre sërish strukturën e PS në rreth dhe asamblenë socialiste të rrethit, duke hequr kompetencat që i ishin dhënë qarkut. Në relacionin që i bashkëngjitet këtyre ndryshimeve nga grupi i punës, thuhet se struktura aktuale e PS nuk funksionoi pasi ajo është shumë e decentralizuar dhe për këtë kërkohet centralizim të kompetencave dhe ndarjes së detyrave. Zgjedhjet e qershorit 2009, sipas grupit të punës për statutin, treguan se organizimi i PS në formën aktuale nuk sjell rezultatet e pritura, duke cilësuar dhe një mangësi të brendshme organizative të PS.
Disiplina
Drafti i statutit të ri, i cili duhet thënë se është i treti që pas zgjedhjeve të 2005, synon forcimin e disiplinës së brendshme në PS, ku përcaktohet për herë të parë se vendimi i shumicës duhet të zbatohet dhe nga pakica, pasi është votuar. “Disiplina në parti bazohet në konvergjencën e mendimeve për alternativat e zhvillimit. Pas votimit të vendimit, zbatohet vullneti i shumicës”, thuhet në nenin 1 të Parimeve Themelore të statutit të PS. Në statutin e ri nuk kanë ndryshuar masat disiplinore ndaj shkeljes së vendimeve të forumeve të PS. Në draftin e ri statutor, që në fillim përcaktohet se “PS është parti e majtë demokratike”, ndërsa në statutin aktual ajo përcaktohet si parti moderne e qendrës së majtë. Për herë të parë, PS përcaktohet si parti elektorale dhe funksionale, duke përcaktuar në statut parimin se nga parti funksionale, PS shndërrohet dhe në parti elektorale, ku organizimi i saj intensiv do të jetë më shumë gjatë fushatave elektorale.
Organizimi
Partia Socialiste propozon që të risjellë në strukturën e saj organizative kryetarin dhe asamblenë socialiste të rrethit, një strukturë që ishte hequr në 2007, ku iu dha një peshë më të madhe qarkut. Tashmë qarku do të jetë një strukturë koordinuese, përmes një Këshilli Koordinues të PS në Qark. “Struktura e rrethit kondicionohet për arsye të gjeografisë së zonave, ashtu dhe të një tradite më të mirë që ka ekzistuar në fushën e drejtimit të partisë në nivel vendor”, thuhet në relacionin që i paraqitet Kryetari i PS së rrethit, do të zgjidhet me votë të fshehtë nga asambleja e zgjeruar e rrethit, e cila do të përbëhet nga delegatët e kongresit të atij rrethi, kryetarët e bashkive dhe komunave të atij rrethi, kryetarët e grupeve socialiste të këshilltarëve në komuna e bashki si dhe kryetarët e FRESSH-it dhe FGSH-së së rrethit. Gjithashtu në këtë relacion thuhet se gjatë diskutimeve në grupin e punës ka pasur propozime për të ngritur strukturë të PS në bazë KAZAZ-je, mbi të cilën është organizuar dhe administrimi i zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale, por ky propozim nuk ka gjetur konsensus me argumentin se “partia do të vazhdojë të jetë po aq e decentralizuar, si në kushtet aktuale, ashtu dhe për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe të traditës”. gjithashtu do të krijohet Këshilli Koordinues i PS në qark, që drejtohet nga drejtuesi politik i PS në qark, që është një nga anëtarët e kryesisë, deputeti i qarkut. Ai përbëhet nga deputetë socialistë të qarkut, kryetarët e partisë së rretheve në përbërje të qarkut. Parimi “1 anëtar, 1 votë”, do të përdoret që këtej e tutje vetëm për zgjedhjen e kryetarit qendror të PS, delegatëve të kongresit dhe kryetarëve të organizatave socialiste. Me statutin e ri do të përjashtohet nga ky votim kryetari i PS në komunë dhe bashki, i cili do të zgjidhet nga anëtarët e asamblesë socialiste të komunës apo bashkisë, ndërsa kandidaturat do të miratohen nga kryesia e PSSH-së dhe mandati i tij do të jetë 4-vjeçar.
ndryshimet e reja ne statutin e PS
PSSH është parti elektorale dhe funksionale. Anëtarët dhe simpatizantët e saj marrin pjesë aktive në veprimtarinë politike dhe shoqërore të vendit
PSSH është parti e majtë demokratike, që ka në themel të veprimtarisë së saj parimet e lirisë, drejtësisë sociale, barazisë së shanseve dhe solidaritetin njerëzor.
PSSH është anëtare me të drejta të plota e Internacionales Socialiste dhe anëtare e asociuar e Partisë së Socialistëve Evropianë. PSSH respekton detyrimet financiare të pjesëmarrjes së saj në organizmat partiake ndërkombëtare
Disiplina në parti bazohet në konvergjencën e mendimeve për alternativat e zhvillimit. Pas votimit të vendimit, zbatohet vullneti i shumicës
Vendoset kryetari i PS-së së rrethit, i cili zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë socialiste të rrethit. Kandidaturat për këtë post miratohen nga kryesia e PSSH-së. Mandati kryetarit të PS-së së rrethit është 4-vjeçar. Ai është automatikisht dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare.
Krijohet Asambleja Socialiste e rrethit që përbëhet nga delegatët e kongresit të atij rrethi, kryetarët e bashkive dhe komunave të atij rrethi, kryetarët e grupeve socialiste të këshilltarëve në komuna e bashki, si dhe kryetarët e FRESSH-it dhe FGSH-së së rrethit.
Krijohet Këshilli Koordinues i PS në Qark, që drejtohet nga drejtuesi politik i PS në qark, që është një nga anëtarët e kryesisë, deputeti i qarkut. Ai përbëhet nga deputetë socialistë të qarkut, kryetarët e partisë së rretheve në përbërje të qarkut.
PS në emigracion; Organizatat socialiste në emigracion ngrihen mbi bazën e fshatit, komunës, bashkisë apo rrethit nga janë apo vijnë emigrantët, në mënyrë që të ndikojnë te familjet e tyre në Shqipëri gjatë fushatave elektorale
Kongresi
Përfaqësia i paraqet Kongresit për miratim listën me kandidaturat për anëtarë të Asamblesë Kombëtare dhe listën me kandidaturat për komisionin e Garancive Statutore. Kongresi zgjedh me votim të fshehtë dhe kandidaturat alternative të Asamblesë Kombëtare dhe Komisionit të Garancive Statutore.
Delegatët e Kongresit mund të propozojnë kandidatura shtesë në listën e kandidaturave. Kandidaturat shtesë përfshihen në listat përkatëse, nëse miratohen nga 50+1 e delegatëve të kongresit.
Votimi për kandidaturat shoqe bëhet me listë të veçantë. Shoqet përbëjnë jo më pak se 50 për qind e listës së kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare.
Asambleja Kombëtare
Asambleja Kombëtare e PS zgjedh kryesinë e PSSH. Numri i anëtarëve të kryesisë miratohet nga Asambleja Kombëtare, me propozim të kryetarit të partisë. Kryetari paraqet listën e plotë me kandidaturat për anëtarë të kryesisë.
Asambleja ka të drejtën e propozimit të kandidaturave shtesë deri në ½ e listës së paraqitur. çdo kandidaturë shtesë mbi listën e propozuar për anëtar të kryesisë së PS duhet të ketë mbështetjen e 10 përqind të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare.
Kandidatët për sekretarë të PSSH duhen të ketë të paktën një mandat si anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Sekretarët janë automatikisht anëtarë të kryesisë së PSSH.
PSSH miraton në forumet e veta marrëveshjet për aleanca bashkëpunimi me partitë e tjera. Në çdo rast, PSSH ruan të paprekur identitetin e vet politik dhe integritetin e vet organizativ
FREESH përbëhet nga anëtarë dhe përkrahës të moshës nga 15-30 vjeç. Kryetari zgjidhet me votim të fshehtë nga Kongresi i FRESSH. Kryetari i FRESH-it në bashki ose komunë zgjidhte nga konferencat e rinisë eurosocialiste, ndërsa kreu i rrethit zgjidhte nga asambleja e FRESSH-it në rreth.
Forumi i Gruas Socialiste është organizim politik brenda PS. Kryetarja qendrore e këtij forumi zgjidhte nga kongresi i këtij forumi. Kryetarja e gruas në rreth zgjidhet nga asambleja e gruas në rreth. Drejtuesja në bashki e komuna zgjidhte nga konferencat respektive të tyre.
Kryetari i PS në komunë dhe bashki nuk zgjidhet më përmes parimit “1 anëtar, 1 votë”, por nga anëtarët e asamblesë socialiste të komunës apo bashkisë. Kandidaturat miratohen nga kryesia e PSSH-së.
Kryetari i PS në komunë dhe bashki ka mandat 4-vjeçar. Në rast se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme apo vendore është humbës ose më i ulët se në zgjedhjet paraardhëse, ai dorëhiqet automatikisht. Kur përbërja e asamblesë së komunës/bashkisë ripërtërihet, kryetari i partisë i nënshtrohet votëbesimit.
Organizata Socialiste zhvillon zgjedhje pas çdo fushate për zgjedhjet e përgjithshme dhe për pushtetin vendor, por për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet