Grevistë në kërkim të dinjitetit të humbur

Historia e Lekës, shkodranit grevist që gjendja e keqe ekonomike e ka renditur mes grevistëve të opozitës
Nuk i ka kaluar të 40-at dhe tek e sheh ashtu të mbushur me thinja, të parruar dhe në gramat e para të urisë përnjëmend beson se është 60 vjeç. Vitet e mbijetesës më shumë se sa ngujimi prej 24 orësh kanë lënë gjurmët e tyre mbi supet e shkodranit. Leka është një prej 200 burrave që mbrëmjen e së premtes vendosën të ngujohen në kërkim të votës së liri. Por duket se ky është emëruesi i përbashkët i të gjithëve, pasi ashtu si dhe Leka të gjithë kanë një barrën e tyre të halleve, çka i ka sjellë gjithsecilin prej tyre në shesh, që kur opozita nisi udhën e saj të protestave.
Leka nis të rrëfejë arsyet përse ka vendosur të jetë një prej grevistëve të urisë të ngujuar përballë kryeministrisë, në mesin e bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Në orët e vona të natës çadrat e grevistëve janë rrethuar nga të afërmit e tyre. Ata kujdesen për shëndetin, apo edhe sjellin ndërresat e trupit. Askush prej grevistëve nuk del përtej kangjellave që rrethojnë çadrat, që orëve të vona të natës janë e vetmja mburojë e tyre. Nga larg i përshëndesin dhe mundohen më shumë se sa veten të mbajnë me gajret njerëzit e afërm, në sytë e të cilëve lexohet frika e së nesërmes. Mjekët thonë që gjendja e grevistëve është relativisht e mirë, shqetësimi lexohet në sytë e familjarëve.
Edhe të afërmit e Lekës gjenden aty, paçka se shkodrani të thotë se kjo punë do t'i dalë për mirë. "Kam gjashtë vjet pa punë, dhe dy fëmijë me një rrogë të gruas. Unë e di si ia dal, ndërkohë që në bazë të ligjit kam me vendim gjykate të drejtën për tu rikthyer në punë apo edhe shpërblimin për shkarkim të padrejtë nga puna", - thotë Leka.
Lekë Njebza është ekonomist, dhe pikërisht varfëria ekonomike e ka sjellë në protestë. Po për këtë qëllim edhe të vetësakrifikohet, duke u shprehur se nuk do të heqë dorë deri në plotësimin e kërkesave të opozitës. Më shumë se sa uria mbi shpatullat e 40-vjeçarit duket se rëndon varfëria. Skamja dhe pamundësia e punës është bërë e papërballueshme për shkodranin.
Ndaj dhe Leka nuk e ka menduar dy herë, kur strukturat drejtuese të Partisë Socialiste vendosëm të përshkallëzojnë protestën e tyre. Ai është radhitur ndër 180 simpatizantët e Partisë Socialiste përkrah 22 deputetëve, në opozitën më të pazakontë të ndërmarrë nga opozita. Leka është i bindur që aty nuk do të dalë deri në përmbushjen e kërkesave. Duket se ky është vendimi i gjithsecilit prej tyre, ku hallet e përditshmërisë janë mbledhur aq shumë sa për tu ngujuar shi përpara kryeministrisë, dhe presin që e nesërmja ardhtë e bardhë për të gjithë shqiptarët.