E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama e Lakrori përballen në Durrës

Dy kandidatët për kryetar të PS-së kanë prezantuar platformat e tyre për drejtimin e kësaj force në vitet e ardhshme


"Po të isha i bindur se populli nuk na kishte votuar, unë do të kisha dhënë dorëheqjen nga drejtimi i PS-së"

Dy kandidatët për kryetar të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, kanë vijuar përballjen e tyre para socialistëve të qytetit të Durrësit. Në një takim të zhvilluar në mjediset e Pallatit të Kulturës "Aleksandër Moisiu" të këtij qyteti, dy rivalët kanë shfaqur edhe një herë platformat e tyre dhe pikat më të forta të filozofisë së tyre për drejtimin e PS-së në katër vitet e ardhshme.


Takimi është zhvilluar thuajse në të njëjtën orë me tubimin që Lëvizja për Mendim Ndryshe e drejtuar nga Ben Blushi mbajti në Tiranë.


Lakrori


Në sallën e mbushur me simpatizantë dhe anëtare të PS të këtij qyteti fillimisht foli Maqo Lakrori, i cili shpalosi platformen e vet mbi bashkimin e socialistëve duke treguar konkretisht edhe opsionet e veta mbi ringritjen e PSSH dhe sjelljen e të majtës demokratike ne pushtet si dhe qeverisjen sipas stadadteve euroatlantike.


Në këtë takim konkurues Lakrori vuri theksin tek solidariteti si një vlerë e rëndësishme dhe e patjetërsueshme e socialistëve që ka qënë në esencë të veprimtarisë së kësaj force.


"Me këtë solidaritet që duhet të forcohet në radhet e Partisë ne kemi përballuar dhe kemi fituar disa fushata zgjedhore si në vitin 1992. Por tashmë këto cilësi të larta solidariteti që na kartakterizonin janë plasaritur dhe kanë humbur, kanë filluar ndarjet në të vjetër e të rinj etj. Konceptet si ajo e partisë së para 2005 e pas saj janë të dëmshme",- u shpreh Lakrori në fjalën e vet.


Lakrori u ndal gjerësisht në kërkesat e tij për ndryshimet në statuat, ndryshime që përfshiheshin në një projekt prej 10 pikash mes të cilave ai u ndal tek ajo e ndarjes nga kulti i individit. Sipas tij, në tërësinë e tyre këto dhjetë pika kërkojnë që të përcaktojnë qartë se PS është një forcë e majtë e demokratizuar.


"Duhet të ndahemi nga filozofia e kultit të individit dhe duhet të bëjmë të mundur që punët të bëhen me ekipe, sepse sot nuk ka me heronj shpetimtare", - tha më tej Lakrori.


Gjithashtu në prezantimin e platformës së vet Lakrori vuri theksin edhe tek nevoja për të kompaktësuar të gjitha strukturat e partisë dhe të gjithë socialistët shqiptarë me të gjitha formacionet e majta demoktratike shqiptare dhe me çdo formacion tjetër progresist.


Rama


Ndersa rivali i tij në këtë garë, kreu në detyrë i PS-së Edi Rama, në fjalën e tij ka vënë theksin tek goditja që ka pësuar shoqëria dhe demokracia shqiptare pas zgjedhjeve të qershorit ku sipas tij, liritë dhe të drejtat e qytetarëve nuk janë më në duart e tyre, por janë në duart e atyre që kontrollojnë pushtetin.


Në këto kushte, ka bërë të qartë ai, e vetmja mundësi që i ka mbetur socialistëve është që të rezistojnë për të shpëtuar së pari demokracinë dhe të ardhmen e vendit.


"Vota e 28 qershorit u grabit dhe u deformua por ne do të bëjmë rezistencë demokratike për të mos lejuar që të përsëriten zgjedhjet që lamë pas, ku shteti u transformua në një makinë elektorale për interesa të vetme të një njeriu të vetëm dhe të klanit të tij familjar.


Ne duhet të rrezistojme se rrugë tjetër nuk ka dhe se çdo rruge tjetër mbyll çdo mundësi për zgjedhje me standarde europiane në këtë vend", - u shpreh Rama.


Duke iu referuar pikërisht paketës së kushteve që PS i ka vënë mazhorancës për tu rikthyer në Kuvend, Rama ka mbrojtur qëndrimin e selisë rozë, duke bërë të ditur se ai ka për qëllim që të mos lejojë më që njerëzit të kërcënohen me vendin e punës për shkak të bindjeve politike.


"Ne nuk mund të lejojmë që të kemi zgjedhje ku njerëzit kërcënohen me buken e gojës dhe me vëndin e punës. Nuk mund të lejojmë gjithashtu që forcës së pushtetit t'i bashkangjitet forca e krimineleve të liruar nga burgu në mënyrë të paligjshme", - shtoi më tej Rama.


Pas fjalëve prezantuese, të dy kandidatët i janë përgjigjur pyetjeve të bëra nga anëtarësia socialiste e këtij qyteti, ku natyrisht interesi më i madh është shfaqur ndaj pretendimeve të disa anëtarëve të kryesisë të cilët pretendojnë se PS humbi për shkaqe të saj të brendshme të organizimit dhe drejtimit të fushatës.


Në këtë pjesë të debatit Rama ka gjetur rastin që t'i kthejë përgjigje të gjithë atyre që artikulojnë akuza se PS humbi se s'kishte program.


"Ne jo vetëm që kishim program, por për herë të parë patëm hartuar një program për të qeverisur dhe jo për të vjelur votat e më pas për të braktisur programin për të qeverisur siç bënë të tjerët", - tha Rama. Gjithashtu Rama ka theksuar se do të kishte dhënë dorëheqjen në rast se votat e PS-së dhe të së majtës nuk do të ishin vjedhur.


"Po të isha i bindur se populli nuk na kishte votuar, se nuk u deformua vullneti i popullit gjatë këtyre zgjedhjeve unë do të kisha dhënë dorëheqjen, por në këto zgjedhje pavarësisht nga manipulimet e bëra ne kemi fituar në 61 % te zonave urbane në Shqipëri, 14 bashki më shumë se në vitin 2005.


Xhaçka: Hapja e kutive, e drejtë e pamohuar


TIRANË - Të drejtë të pamohueshme të çdo pale e ka quajtur Partia Socialiste kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit, duke i bërë thirrje Kryeministrit Sali Berisha të reflektojë për kushtet e socialistëve sa nuk është vonë. Gjatë një konference për shtyp, një nga deputetet më të reja socialiste, Olta Xhaçka, ka përsëritur qëndrimin e forcës që përfaqëson për kushtëzimin e marrëdhënieve me Kuvendin.


"Sali Berisha duhet të kuptojë se as gënjeshtrat e njëpasnjëshme dhe as indiferenca teatrale ndaj kërkesave të opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit, nuk e shpëtojnë dot atë dhe qeverinë e dytë të Gërdecit nga përballja me të vërtetën që fshihet në ato kuti të marra peng në shkelje të ligjit e të së drejtës sonë të pamohueshme,"- tha ajo.


Në emër të PS-së, Xhaçka hodhi poshtë si aludime, pohimet e Kryeministrit Sali Berisha për ofertat që kishte patur nga socialistët për të formuar bashkërisht një qeveri, duke lënë jashtë saj Ilir Metën.


"Sot të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se pazari i tij me Ilir Metën për mashtrimin e një pjese të popullit opozitar është bërë përpara 28 qershorit,"- theksoi ajo, duke shtuar prerë se Partia Socialiste nuk do bashkëpunojë për të mbajtur në këmbë qeverinë e dytë të Gërdecit.


Sipas saj, shqiptarët e dinë tashmë se pas krimit shtetëror të Gërdecit nuk qëndron thjesht Fatmir Mediu, po vetë Sali Berisha, i cili kërkon ta kthejë Shqipërinë në një feud, ku zgjedhjet grabiten, ku populli gënjehet e mashtrohet përditë dhe ku qeveris një oborr feudal të korruptuarish, të pandehurish e të kërkuarish nga populli për mashtrim publik.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›