Rama e Meta apel votuesve per te mbeshtetur aleancen e majte ne 23 qershor

E kaluara nacionalçlirimtare afroi më shumë krerët e dy partive më të mëdha të së majtës.
5 maji, dita e Dëshmorëve, u zgjodh nga Edi Rama dhe Ilir Meta, pas nënshkrimit të marrëveshjes politike në Shkodër, si simbol i bashkimit të tyre politik, ideologjik dhe programor.
Sipas Ramës, në këtë 5 maj e majta ndihet krenare që kapërceu të kaluarën që e ndante. Por ndërkohë nuk mungoi dhe apeli për votuesit shqiptarë. “Në 23 qershor do të konfirmohet vullneti i shqiptarëve për të mos u zbrapsur, dorëzuar përpara besimit se të gjitha ëndrrat dhe shpresat që frymëzuan luftën nacionalçlirimtare dhe lëvizjen e dhjetorit, janë aty të gatshme për të marrë rrugën, pasi populli me votë t’i hapë rrugën në 23 qershor duke votuar Aleancën për Shqipërinë Europiane, për të pasur nesër qeverinë legjitime të popullit shqiptar”, theksoi kreu Rama.
I të njëjtës bindje ishte dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta.
“5 maji ditë kujtese, por i bindur se 23 qershori do japë me pjesëmarrjen masive të qytetarëve, të ardhmen më të mirë të Shqipërisë”, u shpreh ai.
Pas vitesh me radhë që festonin të ndarë ditën e Dëshmorëve, por edhe 29 Nëntorin, festën e çlirimit, dy protagonistët e së majtës, lëshuan të njëjtat apele për atë që e cilësuar si ndryshim të gjendjes në vend dhe integrimin europian.