E Diel, 1 Nëntor 2026

Seanca e parë e Kuvendit të ri nis me bojkotNga Tema Kuvendi i Shqipërisë nisi dje punimet e legjislaturës së XVIII pa praninë e opozitës. Në sallë ishin vetëm deputetët e mazhorancës, ndërsa të pranishëm ishin përfaqësues të trupit diploma

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Seanca e parë e Kuvendit të ri nis me bojkotNga Tema

Kuvendi i Shqipërisë nisi dje punimet e legjislaturës së XVIII pa praninë e opozitës. Në sallë ishin vetëm deputetët e mazhorancës, ndërsa të pranishëm ishin përfaqësues të trupit diplomatik, të institucioneve ndërkombëtarë dhe të komuniteteve fetare, si dhe kreu i shtetit, presidenti Bamir Topi.

Seanca, ashtu siç ishte paralajmëruar, është drejtuar nga Fatos Beja, që është deputeti i dytë më i vjetër pas Sali Berishës. Sipas rregullores, duhej të ishte ai që do drejtonte seancën, por kjo është refuzuar nga Berisha.

Vetëm pak minuta ka zgjatur seanca e djeshme. Deputetët e rinj kanë miratuar ngritjen e Komisionit të Verifikimit të Mandateve, që ditën e sotme do të dorëzojë raportin e tij, që i hap dhe rrugën miratimit të organeve drejtuesve të Kuvendit të ri.

Sërish ditën e sotme opozita nuk do të jetë në seancën e Kuvendit pasi ka paraqitur një seri kushtesh që duhen plotësuar që ajo të hyjë në Kuvend.

Në krye të Kuvendit pritet të jetë sërish nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli. Ndërsa një nënkryetar që tani është i njohur, për shkak se ka dalë nga marrëveshja mes PD dhe LSI, është Nasip Naçe. Në këtë mënyrë vetëm një deputet i LSI do të merret pa post. Ai është Lefter Koka, njeriu i akuzuar nga Berisha si kreu i Klanit të Zemunit.

Një tjetër nënkryetar pritet të jetë nga radhët e opozitës. Kjo e fundit nuk ka bërë të ditur as emrin e kryetarit të grupit parlamentar, për shkak se ka shpallur bojkotin.

Të dhëna

- Nga 140 deputetë të parlamentit 74 i takojnë mazhorancës dhe 66 opozitës.

- 76 deputetë ulen për herë të parë në sallën e Kuvendit.

- Legjislatura e re numëron 22 deputete gra ose një dyfishim të numrit të tyre, krahasuar me vitin 2005.

- Partia Demokratike do të përfaqësohet në parlament me 68 deputetë nga 56 që kishte në legjislaturën e kaluar.

- Partia Socialiste do të ketë 65 deputetë nga 42 që kishte në vitin 2005.

- Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë 4 deputetë nga 7 që kishte në vitin 2005.

- Partia Republikane do të përfaqësohet në Kuvend vetëm me një deputet (kryetarin e saj), - ndërsa në zgjedhjet e 2005-s ajo siguroi 11 vende.

- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të ketë një deputet nga dy që kishte në vitin 2005.

- Partia për Drejtësi dhe Integrim merr pjesë për herë të parë në Kuvend dhe përfaqësohet me 1 deputet.

- Nga 34 parti që konkurruan në zgjedhjet e 28 qershorit vetëm 6 prej tyre do të përfaqësohen në Kuvend: PD, PS, LSI, PR, PDI dhe PBDNJ. Ndërsa në vitin 2005 ishin 12 parti që përfaqësoheshin në parlament.

- Grupi parlamentar i PD nga 68 deputetë që ka 35 prej tyre zgjidhen për herë të parë.

- Grupi parlamentar i PS nga 65 deputetë 37 zgjidhen për herë të parë.

Rama: Ligj të posaçëm zgjedhor për hetimin e zgjedhjeve

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri të ditur dje kushtet e opozitës për të hyrë në Kuvend. Rama tha se kërkohet të zbardhet krimi zgjedhor që të mos përsëriten zgjedhje si të 28 qershorit.

“Partia Socialiste e Shqipërisë kërkon një ligj të posaçëm për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, krijimin e një komisioni të posaçëm hetimor edhe me praninë e OSBE-ODIHR, të drejtuar e përbërë në shumicë nga opozita parlamentare. Ne nuk duam përsëritjen e një tjetër farse hetimore parlamentare në vazhdën e shëmtuar të këtyre komisioneve që i kanë lënë radhën njëri-tjetrit, pa arritur në asnjë përfundim e konkluzion serioz dhe të denjë, por duam që të na jepet mundësia që të bëjmë transparencën e procesit për të gjithë opinionin publik”, - tha Rama.

Kryetari i PS tha se kërkohet që të zbardhen parregullsitë zgjedhore dhe të identifikohen zyrtarët e shtetit që ndërhynë në procesin zgjedhor duke përdorur postet. Ai tha se duhet të rikthehen në punë të gjithë të larguarit për motive politike. Rama kërkoi dhe zbardhjen e vrasjes së ish-deputetit socialist, Fatmir Xhindi, dhe ndalimin e reklamave qeveritare gjatë fushatës.

“Duam të sigurojmë e transparencën e nevojshme për të gjitha pretendimet për shkelje dhe parregullsi të zgjedhjeve të 29 qershorit 2009, nëpërmjet administrimit të çdo materiali zyrtar, dëshmie apo dokumenti që lidhet me zgjedhjet, përfshirë materialet zgjedhore që ndodhen në kutitë e votimit.

Kërkojmë identifikimin e përgjegjësive të të gjithë zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë apo administratës së burgjeve që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, kanë pajisur me leje lirimi të përkohshme gjatë periudhës elektorale 29 maj-28 qershor 2009, persona të dënuar.

Synojmë evidentimin dhe rikthimin në pozicionin e mëparshëm të punës të të gjithë punonjësve të shtetit në administratën vendore e qendrore ose në çdo ent publik, të pushuar nga puna apo transferuar gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, për shkak se kanë marrë pjesë si përfaqësues të opozitës në komisione zgjedhore, apo nuk u janë bindur urdhrave për të marrë pjesë në veprimtarinë politike të Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj.

Synojmë gjithashtu identifikimin e përgjegjësive institucionale dhe administrative të të gjithë drejtuesve të institucioneve publike, të cilët në kundërshtim me legjislacionin në fuqi kanë përdorur funksionet dhe asetet publike në shërbim të fushatës elektorale të Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj.

Partia Socialiste e Shqipërisë kërkon ndryshimet përkatëse ligjore për balancimin e plotë qeveri-opozitë në Këshillin Kombëtar të Radiotelevizionit Publik, si edhe ndalimin e reklamave televizive qeveritare jashtë periudhës zgjedhore.

Partia Socialiste e Shqipërisë kërkon transparencën dhe përshpejtimin e hetimeve për zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, me asistencë të pavarur hetuesish ndërkombëtarë.

Partia Socialiste e Shqipërisë kërkon garantimin e paritetit numerik mazhorancë-opozitë në përbërjen dhe drejtimin e komisioneve të përhershme të kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, - tha Rama.

Kryetari i PS tha se vendit nuk i duhen zgjedhje më të mira se ato të kaluarat, por zgjedhje sipas standardeve të çdo vendi të BE dhe NATO.

“Ky është qëndrimi zyrtar i PS dhe është e qartë se ne kërkojmë të trajtojmë në sytë e opinionit publik të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me standardet e munguara të zgjedhjeve të 28 qershorit, me njehsimin e shtetit me pushtetin, për favorizimin e këtij të fundit, si edhe me mungesën e barazisë dhe të eksesit në medien publike e po ashtu edhe në tërësi në hapësirën mediatik, e cila në një mënyrë apo në një tjetër është trysnuar dhe influencuar nga ushtrimi abuziv i pushtetit të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve. E gjithë kjo ka të bëjë me demokracinë, ka të bëjë me cilësinë e demokracisë, ka të bëjë me barazinë e domosdoshme të të gjitha subjekteve në jetën demokratike, ka të bëjë me domosdoshmërinë për t’i garantuar çdo zgjedhësi e zgjedhëseje lirinë për të zgjedhur, për të garantuar ndershmërinë e domosdoshme në numërimin e votave dhe njëkohësisht për të garantuar standarde ndërkombëtare zgjedhjesh. Jo zgjedhje më të mira se ato kishim më parë, por zgjedhje si në çdo vend të BE dhe si në çdo vend anëtar të NATO”, - tha Rama.

Berisha: Para 20 vitesh ne ishim 250 vjet larg BE

Kryeministri, Sali Berisha, duke folur përpara grupit të ri parlamentar, tha se Shqipëria duhet të vrapojë dhe jo të ecë, për shkak se para 20 viteve ne ishim 250 vjet larg arritjeve të BE.

“Ne duhet jo të ecim, por të vrapojmë, sepse ne jemi kohëhumbur. Starti ynë 20 vite më parë ka qenë së paku 250 vjet larg aquive evropiane. Ne nuk mund të rrimë, por duhet të vrapojmë të kapim dhe të shkurtojmë distancat. Ndaj dhe katër vitet që vijnë janë vite të mundësive të mëdha për ju dhe për mua. Katër vitet që vijnë janë, gjithashtu, vitet e shanseve dhe kërkesave më të mëdha. Unë kam besimin më të madh se së bashku do të jemi në lartësinë e pritshmërisë së ligjshme të qytetarëve shqiptarë”, - tha Berisha.

Pasi sulmoi ashpër kryetarin e PS për qëndrimet e tij për bojkotin e parlamentit, Berisha tha se e fton opozitën për bashkëpunim.

“Unë e garantoj opozitën se do të bashkëpunojmë me frymë të hapur, konstruktive, se zëri i saj do të dëgjohet dhe se, së bashku me mazhorancën, ajo do të jetë bashkautore e reformave të mëdha që do ta çojnë Shqipërinë me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian”, - tha Berisha.

Kryeministri tha se është sërish i hapur që opozita të zgjedhë cilindo sistem zgjedhor dëshiron.

“Dua t’ju them juve këtu se për sa kohë që do të jem në pushtet, unë, Sali Berisha, do t’i njoh të drejtën opozitës të zgjedhë dhe rizgjedhë cilindo sistem zgjedhor që të dojë, përveç sistemit të Dushkut, sepse ai na turpëron. Sikundër, mbetem i vendosur për ndryshimet respektive në kuadrin zgjedhor, për të hequr çdo lloj persekutimi me ligj të forcave të tjera politike”, - tha Berisha.

Para grupit të ri parlamentar, Berisha nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me kabinetin e ri. Ai thjesht ka informuar se Jozefina Topalli do jetë sërish në krye të Kuvendit, e po ashtu Astrit Patozi do të jetë në krye të grupit parlamentar.

“Dua ta mbyll duke ju informuar se unë, së shpejti, do të paraqes kabinetin qeverisës para jush dhe qytetarëve shqiptarë. Gjatë karrierës time politike kam krijuar kabinete, por kësaj here përzgjedhjen e kam më të vështirë se asnjëherë tjetër. Kurrë ndonjëherë më parë nuk kam pasur personalitete kaq të shumta, të cilat meritojnë plotësisht të ulen në karrigen e ministrit. Por, natyrisht, kërkoj mirëkuptimin e gjithsecilit, sepse ato janë gjithsej 14 vende, një pjesë janë të koalicionit dhe pjesa që i mbetet Partisë Demokratike nuk do të mjaftonte as për 1/5 apo edhe më shumë, e atyre që meritonin të uleshin në ato poste”, - tha Berisha.

Meta: Bojkoti nuk është qëndrim i PS, por i Ramës

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha dje se qëndrimi për bojkot të parlamentit nuk është i PS, por i vetë Ramës.

“Asgjë nuk do ta ndalë projektin e evropianizimit të Shqipërisë, atë të liberalizimit të vizave dhe jam i bindur që kundër këtij projekti nuk është Partia Socialiste, por është një lidership, i cili ka vetëm probleme personale dhe interesa personale. Socialistët kanë kontribuar për evropianizimin e Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë, pavarësisht se ku ata ndodhen. Ndërsa kjo e sotmja është një shfaqje e turpshme, në kuadër të një degradimi fatkeq që ka kaptuar kryetarin në detyrë”, - tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›