E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritje pagash edhe për 50 mijë mësues

07/03/2011  Tafaj, pasi ka uruar festën e 7 Marsit, ka bërë me dije se të gjithë mësuesit do të përfitojnë nga vendimet e qeverisë.

Nuk është konfirmuar ende shifra zyrtare, por theksohet se rritja do të jetë mbi 7% të pagës

Përfitues të rritjes së pagave gjatë vitit 2011 do të jenë edhe arsimtarët. Pas urimit për festën e 7 Marsit, kreu i Ministrisë së Arsimit, Myqerem Tafaj, u ka bërë të ditur mësuesve se rritja e pagave për ta do të vijojë edhe gjatë këtij viti, madje në vlera më të larta se ç’ka ndodhur së fundi. Ndonëse nuk është përcaktuar ende shifra zyrtare, sipas përcaktimeve të bëra deri tani pohohet se kjo rritje pritet të jetë më e lartë se 7 për qind, rritje e cila do të shkojë për rreth 50 mijë mësues të arsimit parauniversitar. Njëkohësisht politika e rritjes së pagave do të zbatohet edhe për strukturat e arsimit të lartë. Më 7 mars 1887 është hapur Mësonjëtorja e parë shqipe në qytetin e Korçës dhe që prej asaj date 7 marsi njihet dhe festohet në të gjithë Shqipërinë si Dita e Mësuesit.

Rritja

"Rritja e pagave ndodhi edhe në vitin 2010, një vit jo i lehtë buxhetor. Edhe në këtë vit, pra, ne do të kemi sërish rritje të pagave të mësuesve dhe të pedagogëve. Akoma nuk kemi detaje të sakta, megjithatë mund të them se ne vjet kemi bërë rritje 5-7 për qind për pagat e arsimtarëve. Besoj se këtë vit rritja do të jetë më e madhe", - ka deklaruar ministri Tafaj teksa ndante urimet për festën e mësuesit. Sipas tij, cilësia e mësimdhënies në arsimin parauniversitar dhe atë universitar klasifikohen si prioritet dhe për këtë vit, duke konfirmuar kështu vijueshmërinë e reformave. Për këtë do të vijojë mbështetja me projekte për kualifikimin e vazhduar të mësuesve në të gjitha nivelet e arsimit. “Synojmë që brenda dy-tre vjetësh të arrijmë të kemi përfunduar kualifikimin e çdo mësuesi në arsimin parauniversitar në fushën e teknologjisë së informacionit, në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për të zhvilluar programet mësimore mbështetur edhe në teknologjinë e informacionit”, - ka shtuar Tafaj. Pak muaj më parë është konfirmuar edhe përfshirja e mësuesisë në listën e profesioneve të rregulluara, çka shihet si një hap vendimtar në rrugën e rritjes së cilësisë në arsim. Aktualisht ka nisur të aplikohet ndryshueshmëria e studimeve universitare në fushën e mësuesisë, e cila synon përgatitjen e brezave të ardhshëm të mësuesve sipas standardeve më të përparuara evropiane e më gjerë. “Kam theksuar në çdo takim me gjimnazistët dhe përfitoj nga rasti edhe në këtë ditë urimi për festën e 7 Marsit që t’u bëj thirrje maturantëve që përfundojnë maturën këtë vit të zgjedhin degët e mësuesisë, si profesion i bukur, por dhe i vështirë, si profesion që është më shumë sesa profesion, një mision shumë fisnik”, - ka shtuar më tej ministri Tafaj. Po ndërsa është shprehur për politika liberalizuese për të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin arsimin e lartë, Tafaj ka cilësuar si sfidë kryesore përmirësimin e cilësisë.

Ndryshimet

Më tej ministri është ndaluar në nismat që janë ndërmarrë në arsimin e lartë, ku ndër to përfshihen procesi i akreditimit të universiteteve dhe rankimi apo listimi i tyre. Lidhur me këto Tafaj ka pohuar: "Është plotësuar numri i nevojshëm i shkollave të larta në katër fushat kryesore që janë zgjedhur për rankim. Nuk mund të bëheshin të gjitha fushat, ishte e pamundur në kuadrin e një projekti. Ky është një projekt që do t’i shërbejë në radhë të parë informimit të studentit, por nuk është një akreditim. Akreditimi është projekti i dytë, dhe ai do të ndodhë brenda këtij viti. Do të ndodhë madje në bashkëpunim me agjencitë e huaja, do të fillojë, e kam theksuar dhe një herë dhe e ritheksoj, me institucionet e arsimit të lartë privat."

Urimi për 7 Marsin

“Me rastin e shtatë marsit, Ditës së Mësuesit, ditës së shkollës së arsimit shqiptar, dëshiroj të uroj mësueset, mësuesit, pedagoget, pedagogët e Shqipërisë: gëzuar 7 Marsin, këtë festë tashmë tradicionale, këtë festë që nuk është vetëm për 50 mijë punonjës të arsimit shqiptar, por edhe për rreth 850 mijë nxënës e studentë, çka do të thotë se është një festë që festohet në çdo familje shqiptare. Kjo është një traditë e bukur e krijuar në vendin tonë. Në këtë ditë të madhe të arsimit shqiptar përulemi me respekt të thellë përpara veprës së ndritur të arsimtarëve dhe patriotëve të shquar, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha deri sublime për zhvillimin e arsimit shqiptar”, - ka uruar kreu i Ministrisë së Arsimit Myqerem Tafaj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›